Rasti i Nenad Raskoviqit, i cili ka pretenduar se është rrahur nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ka marrë një tjetër drejtim pas reagimit të institucioneve të sigurisë dhe raportimeve se ai është dërguar për trajtim në Beograd.Policia e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se pjesëtarë të saj kanë përdorur forcë ndaj Raskoviqit, ndërsa për rastin është angazhuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet të sqarojë rrethanat. Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Dorajet Imeri, thotë se qëndrimi i Policisë dhe zhvillimet që pasuan ngrenë pikëpyetje mbi versionin e prezantuar nga përfaqësues politikë serbë.“Policia e Kosovës doli me qëndrim dhe konfirmoi se nuk ka qenë e përfshirë në rast. Tani mbetet që hetimi ta sqarojë plotësisht se çfarë ka ndodhur dhe kush qëndron prapa dhunës së pretenduar ndaj tij”, thotë Imeri.Sipas tij, një nga skenarët që duhet shqyrtuar është mundësia që Raskoviq të ketë qenë cak i strukturave ilegale serbe në veri.“Ekziston mundësia që personi në fjalë të jetë rrahur nga strukturat ilegale serbe, nëse ato kanë dyshuar se ai mund të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës lidhur me rastet e varrezave masive. Në një skenar të tillë, qëllimi mund të ketë qenë frikësimi dhe heshtja e tij, ndërsa më pas përgjegjësia t’i atribuohej Policisë së Kosovës”, deklaron Imeri.Ai thekson se kjo mbetet një hipotezë që duhet verifikuar nga organet kompetente dhe jo një fakt i konstatuar.Sipas Imerit, një element tjetër që ngre pikëpyetje është dërgimi i Raskoviqit në Beograd pas publikimit të rastit dhe reagimit të Policisë së Kosovës.“Me transferimin e tij në Serbi krijohet një situatë në të cilën ai nuk është lehtësisht i qasshëm për institucionet e Kosovës për të dhënë deklaratë dhe për të ndihmuar në sqarimin e plotë të rrethanave. Në të njëjtën kohë, narrativa e akuzave ndaj Kosovës dhe Policisë së Kosovës mund të vazhdojë edhe pa u ballafaquar me një proces të plotë verifikimi të fakteve”, thotë Imeri. Sipas tij, institucionet duhet të hetojnë jo vetëm pretendimin fillestar ndaj Policisë, por edhe mundësinë e presionit apo frikësimit të personave që mund të kenë informacione për krimet e luftës.“Serbia është shumë agresive kur bëhet fjalë për informacionet mbi krimet e luftës”Imeri e lidh rastin edhe me zhvillimet e fundit rreth kërkimeve për varreza masive dhe informacioneve për personat e zhdukur gjatë luftës.“Serbia është jashtëzakonisht agresive kur bëhet fjalë për rastet e krimeve të luftës dhe sidomos për personat që mund të japin informacione për lokacionet e varrezave masive. Kemi parë edhe raste të tjera të serbëve ndaj të cilëve janë ngritur dyshime apo janë ndërmarrë veprime pasi dyshohej se kishin dhënë informacione për varreza masive”, thotë Imeri.Sipas tij, pikërisht për këtë arsye hetimi për rastin Raskoviq duhet të shkojë përtej përplasjes së narrativave politike.“Duhet të sqarohet kush e ka sulmuar, ku ka ndodhur sulmi, kush ka qenë në kontakt me të para dhe pas rastit dhe nëse ky person ka pasur informacione që lidhen me krimet e luftës apo varrezat masive. Vetëm një hetim i plotë mund t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve”, përfn Imeri./Epokaere/

