Foto ilustrim Por shqiptari është një qenie që përshtatet shpejt. Në aeroport mbërrin si emigrant. Pas disa vjetësh fillon të shqetësohet nga emigrantët. Më kujtohet një skenë nga filmi “Muaji i mjaltit”. Nuk e mbaj mend fjalë për fjalë dialogun, por situata është pak a shumë kjo: një emigrant shqiptar pa dokumente përfn në një qeli të policisë italiane. Në të njëjtën qeli ndodhet edhe një emigrant nigerian.
Shqiptari është shumë i indinjuar me italianët. “Racistë, thotë. Racistë të tmerrshëm.” Dhe prova që ka për racizmin e tyre është se e kanë futur atë, shqiptarin, në një qeli bashkë me një zezak.
Skena është për të qeshur, sepse shqiptari nuk e ka kuptuar ende situatën. Ai është kundër racizmit, por vetëm deri në çastin kur racizmi e vendos në të njëjtin raft me nigerianin. Në kokën e tij ekziston një rend i padukshëm i botës: italiani mund ta shohë me përbuzje afrikanin, por shqiptarin duhet ta dallojë. Fundja, ky është shqiptar.
M’u kujtua kjo skenë këto ditë duke parë entuziazmin e një pjese të shqiptarëve në rrjetet sociale pas rezultatit të AfD-së në Saksoni-Anhalt. AfD mori 43.8 për qind të votave të dyta dhe 39 nga 83 vendet në parlamentin e landit. Një rezultat i jashtëzakonshëm elektoral, pavarësisht se partia mbeti pa shumicë absolute. Deri këtu, asgjë e çuditshme. Gjermanët votuan. Është vendi i tyre dhe është e drejta e tyre të zgjedhin partitë që duan.
Ajo që është më interesante është shqiptari që feston.
Sepse shqiptari i sotëm është, në një pjesë të madhe, produkt i emigracionit. Sipas statistikave qe gjeta online vetëm në Gjermani, në fund të vitit 2025 jetonin 323,260 shtetas të Kosovës dhe rreth 125 mijë shtetas të Shqipërisë. Këtu nuk hyjnë ata që ndërkohë janë bërë shtetas gjermanë, as shqiptarët me pasaporta të Maqedonisë së Veriut, Serbisë apo Malit të Zi.
Pra, kemi një popull emigrantësh që zbulon simpatinë për një parti që e ka kufizimin e emigracionit ndër temat e saj kryesore.
Kjo ka njëfarë logjike shqiptare: Unë hyra. Tani mbylleni derën. Madje vendosni edhe drynin, se po vijnë të tjerë!
AfD e përdor hapur konceptin e “remigrimit” dhe kërkon kthimin e personave që nuk kanë të drejtë ligjore qëndrimi, kontrolle më të forta dhe kufizime të emigracionit. Vetë partia thekson se nuk kërkon dëbimin e emigrantëve që qëndrojnë ligjërisht apo të shtetasve gjermanë me origjinë të huaj. Kjo është e rëndësishme të thuhet, sepse karikaturizimi nuk ndihmon për ta kuptuar problemin.
Por po aq e rëndësishme është të kuptosh se drejtimi politik i AfD-së është qartësisht drejt më pak emigracioni, më pak azili, më shumë kthime dhe kushte më të forta për të huajt.
Dhe aty, shqiptari i Facebook-ut tund kokën me kënaqësi: “Shumë mirë. Të vendoset rregull.”
Natyrisht, rregulli duhet të fillojë pasi të ketë ardhur kushëriri nga Fieri.
Pastaj kemi një hollësi tjetër: Fenë.
AfD ka në programin e vet formulimin e drejtpërdrejtë: “Islami nuk i përket Gjermanisë.” Edhe kjo është një politikë që gjermanët mund ta diskutojnë si të duan. Por për shqiptarin situata bëhet përsëri interesante.
Një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve të Kosovës dhe një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të Shqipërisë vijnë nga familje myslimane. Shumë prej atyre që sot jetojnë në Gjermani kanë emigruar atje pikërisht duke përfituar nga një shoqëri që, për dekada, ka pranuar njerëz me prejardhje, kombësi dhe fe të ndryshme.
Por shqiptari është një qenie që përshtatet shpejt. Në aeroport mbërrin si emigrant. Pas disa vjetësh fillon të shqetësohet nga emigrantët.
Por kemi edhe problemin e Kosoves dhe këtu filmi bëhet edhe më i bukur.
Në vitin 2023, zëdhënësi i atëhershëm i politikës së jashtme të grupit parlamentar të AfD-së, Petr Bystron, deklaroi se njohja e Kosovës kishte qenë gabim. Grupi parlamentar kërkoi që qeveria gjermane të anulonte njohjen e Kosovës dhe t’i kërkonte falje Serbisë për pjesëmarrjen gjermane në bombardimet e NATO-s të vitit 1999.
Një tjetër përfaqësues i AfD-së e quajti më pas “projektin Kosovë” të dështuar dhe kërkoi tërheqjen e trupave gjermane nga KFOR-i. Dhe kjo nuk mbeti vetëm retorikë e vitit 2023.
Më 11 qershor 2026 Bundestagu votoi për zgjatjen e misionit gjerman në KFOR. Nga 150 deputetët e AfD-së, 136 votuan kundër, asnjë pro dhe 14 nuk votuan.
Tani imagjinoni shqiptarin e Kosovës që jeton në Düsseldorf, ka ardhur si emigrant, ka familje myslimane, mban flamurin kuqezi në ballkon dhe në Facebook feston fitoren e AfD-së.
Asgjë nuk e ndalon. Demokracia, për fat të mirë, lejon edhe kontradiktën.
Ky fenomen nuk kufizohet vetëm ne gjermani.
Edhe në Shtetet e Bashkuara kemi parë shqiptarë që mbështesin me entuziazëm politika shumë të rrepta emigracioni. Më 21 janar 2026, administrata Trump pezulloi përkohësisht lëshimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre Shqipëria dhe Kosova, ndërsa Departamenti i Shtetit po rishikonte procedurat lidhur me mundësinë që emigrantët të bëheshin barrë për fondet publike. Masa nuk ishte për vizat turistike dhe, pas një vendimi gjyqësor, pushoi së zbatuari më 21 gusht 2026.
Edhe atëherë argumenti në rrjetet sociale ishte shpesh i ngjashëm: mirë ua bëjnë atyre që vijnë e jetojnë me ndihma.
Se cilët shqiptarë jetonin me ndihma, sa ishin dhe mbi çfarë të dhënash mbështetej kjo bindje, kishte më pak rëndësi. Berihaji nuk kërkon statistikë. Berihaji kërkon vetëm drejtim.
Dhe këtu është, besoj, pjesa më interesante e gjithë historisë. Njeriu nuk voton gjithmonë sipas interesit të tij ekonomik, familjar apo kombëtar. Kjo është normale. Njerëzit votojnë edhe sipas vlerave, frikërave, zemërimit, identitetit apo mënyrës si e shohin shoqërinë.
Problemi nis kur nuk e di fare çfarë përmban paketa që po duartroket.
Mund të jesh shqiptar dhe të kërkosh kufizim të emigracionit. Mund të jesh mysliman dhe të votosh një parti që ka qëndrime shumë kritike ndaj Islamit. Mund të jesh kosovar dhe të mbështesësh një parti që ka kërkuar anulimin e njohjes së Kosovës. Janë zgjedhje politike.
Por atëherë të paktën duhet ta dish çfarë ke zgjedhur. Sepse përndryshe kthehemi te shqiptari i “Muajit të mjaltit”. Ai nuk ishte i zemëruar sepse policia italiane po sillej keq me emigrantët. Ishte i zemëruar sepse policia italiane nuk kishte kuptuar një gjë shumë të rëndësishme: ai vetë nuk duhej të konsiderohej emigrant si gjithë të tjerët.
Dhe ndoshta kjo është një nga sëmundjet e vogla të emigracionit tonë politik. Ne nuk jemi kundër derës së mbyllur. Thjesht duam që të mbyllet pasi të kemi hyrë ne. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Keqkuptimi me takimet e së premtes! 14 Shtator 2026, 16:5316:53Forum A do ta dobësojnë apo forcojnë Vuçiçin sanksionet e Perëndimit? 14 Shtator 2026, 12:0212:02Forum KAYO, kur heshtja institucionale cenon interesin publik! 14 Shtator 2026, 09:0609:06Forum Në Shqipërinë e sotme “revolucioni” ka emrin pjesëmarrje dhe alternativë 13 Shtator 2026, 21:0521:05Forum Qeveria dhe Kuvendi shkojnë vetëm pas berihajt! 13 Shtator 2026, 19:0119:01Forum Rezultatet e 'PISA'-s, pse niveli i nxënësve është në rënie? 13 Shtator 2026, 15:3315:33Forum

