Protesta studentore në Tiranë vijon të zgjerohet. Pas Fakultetit të Ekonomisë, studentët kanë mbërritur edhe në Fakultetin e Drejtësisë, ku janë futur në ambientet e universitetit dhe u kanë bërë thirrje të rinjve të ndërpresin mësimin e t’u bashkohen protestës.
Thirrjet e protestuesve kanë bërë që studentët të lënë auditorët, ndërsa lëvizja synon të përfshijë sa më shumë të rinj në bojkotin e mësimit.
Pak minuta më herët, studentët kishin qenë në Fakultetin e Ekonomisë, ku gjithashtu kërkuan ndërprerjen e mësimit dhe mobilizimin e studentëve në mbështetje të protestës.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe mëngjesin e sotëm thirrjen për dialog, por studentët kanë refuzuar këtë mundësi, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre dhe në vijimin e protestës.

