Sadleva Bodo është emëruar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit. Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Largimin nga posti Kupi e njoftoi përmes llogarisë së Facebook-ut, ndërkohë përmes rrjeteve sociale ministri i Drejtësisë e konfirmoi pranimin e dorëheqjes.
Adriatik Kupi, i cili mori detyrën më 1 prill, e përshkroi kohën e menaxhimit të burgjeve prej tij si jo të lehtë.
E ndërsa nuk bëri publike të fshehtat e dorëheqjes, ish-drejtori i përgjithshëm tha se “Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”.
Duke i lënë pa emra gurët e hedhur dhe në mister arsyet e kësaj vendimmarrjeje, Kupi shton se për disa gjëra koha do të flasë më qartë.
Ndërkohë, tre orë pas këtij njoftimi, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri me dije se pranoi dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve.
Duke u shfaqur falënderues për përkushtimin e ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, ministri Toni Gogu sqaron se procedurat për emërimin e drejtorit të ri të burgjeve do të ndiqen sipas ligjit. Top Channel

