Efekti i papritur i Trumpit në Shqipëri: “Revolucioni i Flamingove” sfidon Ramën... Këtu, në kryeqytetin shqiptar, recepsionistët e hoteleve bëjnë çmos për të theksuar se protestat që po zhvillohen jashtë janë krejtësisht paqësore.
Me sa duket, ka pasur mjaft anulime rezervimesh që kur demonstratat masive nisën në pranverë. Por, nëse i pyet drejtpërdrejt, ata mund të lënë të kuptohet në mënyrë të fshehtë se i mirëpresin turistët që marrin pjesë në to. Çdo mbrëmje, njerëz të të gjitha moshave mblidhen përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama për t’u ankuar për korrupsionin dhe për të kërkuar dorëheqjen e tij.
“Revolucioni i Flamingove”, siç është quajtur, u nxit nga ajo që shumë njerëz e konsiderojnë një marrëveshje të papërshtatshme mes qeverisë shqiptare dhe Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Kështu, po dëshmojmë një efekt të papritur global të Trumpizmit: një qeveri që hyn në marrëdhënie me administratën më të korruptuar në historinë amerikane rrezikon të ekspozohet ndaj sfiduesve të brendshëm.
Shumëçka mund të ndryshojë brenda një viti. Kujtoni se, gjatë gjithë vitit 2025, komentues në mbarë botën denonconin me të drejtë shkatërrimin e pamëshirshëm të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe shprehnin keqardhje për atë që presidenca e dytë e Trumpit paralajmëronte për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën. Mesazhi për autokratët pothuajse kudo ishte se ata nuk do të përballeshin me asnjë kundërpërgjigje. Duke pasur parasysh dobësinë e njohur të Trumpit për udhëheqësit autoritarë, ata madje mund të duartrokiteshin.
Dhe kështu, presidenti serb Aleksandar Vuçiç urdhëroi kontrolle policore në organizata të ndryshme joqeveritare të mbështetura nga USAID, duke i justifikuar me kënaqësi këto sulme të hapura ndaj shoqërisë civile me cilësimin që Elon Musk i kishte bërë agjencisë si një “organizatë kriminale”. Sipas disa vlerësimeve, çmontimi i USAID nga Musk do të çojë në miliona vdekje; por autokratët e botës e konsideruan mbylljen e saj si një zhvillim tërësisht pozitiv.
Ndoshta anëtarët e “Autocracy, Inc.” duhej ta kishin kuptuar se marrja e mbështetjes nga Trump për aktivitetet e tyre të mbrapshta do të rezultonte një bekim i përzier. Në fund të fundit, logjika politike për të cilën kaq shumë vëzhgues ankoheshin në vitin 2025 mund të përmbysej, duke bërë që lidhjet me regjimin e Trumpit të shiheshin si provë e korrupsionit të tyre.
Dhe kështu ka ndodhur. Trump jo vetëm që është thellësisht jopopullor në pjesën më të madhe të botës, por ata që kundërshtojnë qeveritë në pushtet të lidhura me Trumpin mund t’i ngrenë shumë më lehtë çështjet e korrupsionit. Në fund të fundit, edhe ata që nuk janë veçanërisht të informuar për hollësitë e politikës amerikane do të kenë dëgjuar për skandale të tilla si Katari që i dhuroi Trumpit një “pallat fluturues ryshfeti”.
Reagimi popullor kundër korrupsionit trumpian duket se përshkruan situatën në Shqipëri. Sipas rrëfimit të tyre, Kushner dhe Ivanka Trump “zbuluan” një ishull të bukur pranë brigjeve shqiptare (Sazani vështirë se mund të quhej i pazbuluar, pasi prej kohësh kishte shërbyer si bazë ushtarake shqiptare). Për më tepër, ata e gjetën këtë perlë dhe brigjet e saj të bukura ndërsa pushonin në superjahtin e mikut të tyre miliarder Nathaniel Rothschild, ku iu bashkua askush tjetër veç Ramës.
Pak më vonë, Kushner dhe Ivanka Trump nisën të shqyrtonin mundësinë e shndërrimit të një rezervati natyror të përcaktuar zyrtarisht për flamingot në një resort luksoz dhe, kur protestuesit vendas e kundërshtuan projektin, ata u larguan me forcë nga roje private sigurie. Por ngjarja u filmua dhe protestat shumë shpejt u përhapën nga jugu i vendit drejt Tiranës. Tani, demonstrata masive zhvillohen çdo mbrëmje, me flamingot të pranishme dukshëm në të gjitha format dhe përmasat, nga figurat e prera deri te flamingot e mëdha rozë të fryra.
Është interesante se mes flamujve të shumtë shqiptarë që mbajnë demonstruesit shihen edhe flamujt amerikanë. Në këtë vend tradicionalisht proamerikan, qytetarët duan qartazi të sinjalizojnë se mesazhi i tyre nuk është antiamerikan, por kundër korrupsionit. Ajo që ata kundërshtojnë është mungesa e plotë e transparencës.
Trump është katalizatori i përsosur për një lëvizje të tillë, sepse ai është më haptazi i korruptuar se shumica e udhëheqësve autoritarë të sotëm. Ai pranon me mburrje dhurata luksoze, nga diamantet te pagesat në kriptomonedha, dhe më pas, siç duket, “rastësisht” heq tarifat ose jep falje si rezultat. Provat për tregti të brendshme të përhapur dhe manipulim të aksioneve ishin dërrmuese edhe përpara se platforma e Trumpit në rrjetet sociale të fillonte të shiste në mënyrë të drejtpërdrejtë akses të hershëm në deklaratat e presidentit që ndikojnë në tregje.
Mesazhi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të Trumpit për pjesën tjetër të botës nuk mund të ishte më i qartë. Në vitin 2025, ajo “pezulloi” zbatimin e Foreign Corrupt Practices Act, një instrument i rëndësishëm kundër ryshfetit jashtë kufijve të SHBA-së. Më pas, këtë verë, ajo dobësoi ndjeshëm Corporate Transparency Act, dikur i përshëndetur nga sekretari i Shtetit i Trumpit, Marco Rubio, si “ligji më i rëndësishëm kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në dekada”, duke ua bërë më të lehtë kriminelëve vendas dhe të huaj të fshihen pas kompanive guaskë.
Megjithatë, duke pasur parasysh këtë mesazh, nuk është aspak befasuese që ata që bëjnë biznes në mënyrë të dukshme me shtetin mafioz në formim të Trumpit të përfjnë duke u dukur të dyshimtë. Edhe pse retorika e Trumpit për “lajmet e rreme” i ka ndihmuar autokratët kudo që të justifikojnë sulmet ndaj shtypit, korrupsioni i tij i hapur ka tërhequr gjithashtu vëmendjen mbi mënyrën se si ata vetë përfitojnë nga pushteti.
Në rastin e Shqipërisë, demonstruesit po kritikojnë si Ramën, ashtu edhe udhëheqësin e opozitës Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër. Akuza morale e protestuesve bie mbi të gjithë klasën politike të vendit, e cila prej kohësh deklaron mbështetje për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që mund ta bëjë këtë rezultat më pak të mundshëm duke u shërbyer interesave të njerëzve si familja Kushner. Eurodeputetët e kanë paralajmëruar tashmë Ramën se marrëveshjet që shpërfillin rregullat e BE-së mund ta vënë në rrezik anëtarësimin.
Rama ankohet se: “Po të mos ishte Jared Kushner... askujt nuk do t’i plaste për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja ndaj Trumpit që krijon gjithë këtë vëmendje.”
Ai ka të drejtë, megjithëse jo në mënyrën që kishte ndër mend. Pak njerëz mund ta kishin imagjinuar vetëm një vit më parë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të përfnte duke nxitur një lëvizje masive prodemokracisë dhe kërkesa për transparencë në mbarë botën. Megjithatë, autokratët e botës kanë një armik të ri: mikun e tyre më të mirë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”trump flamingo Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Flamingot, Alex Soros nxeh lojën: Dërgon më 20 Gusht flotiljen e Gaza-s në Sazan 17 Gusht 2026, 13:2513:25Politike Berisha: Bandat e Ramës sulmojnë protestuesit përmes Tom Doshit 17 Gusht 2026, 12:4712:47Politike Berisha akuza Ramës: Mizogjen, nxori nga mbledhja kryebashkiaken e Dimalit! Ofendon gjithë gratë e Shqipërisë 17 Gusht 2026, 12:4212:42Politike Berisha zbulon prapaskenat e arrestimit të Ylli Zallës: Lamallari mashtron, i shumëkërkuari u dorëzua vetë 17 Gusht 2026, 12:2712:27Politike Berisha i zbulon planet Ramës: Niko Peleshi do të zëvendësohet nga Taulant Balla 17 Gusht 2026, 12:2212:22Politike Gonxhja sfidon protestuesit pas 78 ditësh revoltë: Nuk më tremb fare rikthimi i tyre në shtator 16 Gusht 2026, 19:0019:00Politike

