Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kritikuar ashpër paketën e masave penale të prezantuar nga qeveria ndaj protestuesve, duke e cilësuar atë një përpjekje të dëshpëruar për të frikësuar studentët. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, Salianji deklaroi se masat e paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama nuk do të arrijnë të ndalin protestat që vijojnë prej dy javësh në Shqipëri. Ai hodhi poshtë krahasimet mes protestave në vendin tonë dhe atyre në Francë apo Itali, duke argumentuar se situatat janë krejtësisht të ndryshme. Sipas ish-deputetit demokrat, ngjashmëria më e madhe është me lëvizjen studentore në Serbi, e cila sfidoi pushtetin e Aleksandar Vuçiçit. Salianji u shpreh se reagimet e qeverisë tregojnë më shumë për gjendjen e saj politike sesa për të rinjtë që protestojnë. Duke komentuar paketën e masave shtrënguese ndaj pjesëmarrësve në protesta, Salianji i cilësoi paralajmërimet e qeverisë si “presione me lugë çaji”, duke theksuar se studentët nuk do të zmbrapsen. Ai u ndal edhe te zhvillimet politike në Serbi, duke kujtuar marrëdhëniet e afërta mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit. Sipas Salianjit, edhe deklaratat e ish-presidentit serb tregojnë se kryeministri shqiptar po përballet me një situatë gjithnjë e më të vështirë politike. “Nuk ka asnjë ngjashmëri me protestat në Francë apo Itali. E gjithë klasa politike në Itali është pro masave të gjendjes së jashtëzakonshme. Shqipëria, reagimi i studentëve këtu, nuk ka lidhje me ato të Italisë apo Francës. E vetmja e përbashkët është: njerëz atje, njerëz këtu. Ngjashmëria është me Serbinë. Këto janë presione me lugë çaji. Në këtë rast të ngre pak nervat, janë të rritur dhe duken fëmijënorë. Këto janë reagime dëshpëruese që tregojnë më shumë për ta sesa për të rinjtë, që nuk do të frikësohen.
Vuçiç është armik i shqiptarëve, që kur ishte afër Millosheviçit, por ka qenë mik i Edi Ramës. Ju e keni ndjekur se si në një intervistë tha: ‘Edi Rama është aseti i Shqipërisë’, por tha: ‘Ka pasur mundësi që të reagonte më përpara ndaj lëvizjes studentore, por nuk e ka bërë’. Dhe miqtë e Ramës parashikojnë fundin e këtij të fundit. Sa më shpejt të largohet Edi Rama, aq më pak kosto do të ketë edhe ai vetë, përveç kostove për shqiptarët.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Ervin Salianji ish-deputeti i Partisë Demokratike
