Një ngjarje e rëndë është parandaluar në momentet e fundit në Caserta, Itali, ku autoritetet zbuluan një plan të organizuar për vrasjen e një gruaje, i porositur nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas mediave italiane, burri kishte paguar 20 mijë euro për eliminimin e ish-gruas, duke organizuar me detaje çdo hap të planit kriminal.
Hetimet kanë zbuluar se porositësi i kishte vënë në dispozicion autorit të dyshuar të vrasjes informacione të detajuara për viktimën, përfshirë edhe çelësat e banesës së saj, në mënyrë që krimi të kryhej pa pengesa.
Sipas skenarit të ndërtuar, gruaja fillimisht do të rrëmbehej dhe më pas do të ekzekutohej në një zonë të izoluar, larg syve të dëshmitarëve.
Ndërhyrja e policisë bëri të mundur ndalimin e planit pak para se ai të vihej në zbatim.
Si rezultat i operacionit, pesë persona janë arrestuar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e çështjes dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.
Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë bërë të ditur motivin që e shtyu porositësin të organizonte vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.

