Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel, më 6 shtator, lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve dhe gjyqësorit. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka komentuar debatin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e sistemit të drejtësisë. Ai thekson se secili institucion duhet të veprojë brenda kompetencave të tij. Sipas kryeministrit, fondi i pagave të pushtetit gjyqësor propozohet nga pushteti ekzekutiv dhe miratohet nga pushteti legjislativ. Rama tha se edhe vetë Gjykata Kushtetuese është në pritje të Parlamentit për ekzekutimin e vendimit të saj. “Çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe”, shprehet kryeministri në reagimin e tij. “Secili institucion në vendin e vet. Fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushtetit ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e thesarit të shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe dhe në më të keqin as mos e pyet se ç’është”, shkruan Rama.
Magjistratët janë ankuar se ende nuk janë ekzekutuar pagat e muajit gusht, edhe pse Gjykata Kushtetuese iu dha të drejtë, për rritjen e rrogave, pas vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së.
Vetë ministri i Drejtësisë Toni Gogu një ditë më parë premtoi se ngërçi do të zgjidhet, duke thënë se çdo vendim i Kushtetueses duhet të zbatohet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama gjyqtaret pagat

