Lajme Zone
Pagat e magjistratëve/ Kuvendi nuk miratoi ndryshimet brenda afatit, GJKKO nxjerr udhëzim për zbatimin e vendimit të Kushtetueses
PolitikëTop Channel

Pagat e magjistratëve/ Kuvendi nuk miratoi ndryshimet brenda afatit, GJKKO nxjerr udhëzim për zbatimin e vendimit të Kushtetueses

Përplasjes për pagat në sistemin e drejtësisë i shtohet një tjetër zhvillim.

Përplasjes për pagat në sistemin e drejtësisë i shtohet një tjetër zhvillim. Teksa kryeministri Edi Rama kritikoi një ditë më parë KLGJ-në dhe KLP-në për vendimet e marra për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka nxjerrë një udhëzim për mënyrën se si do të zbatohet për magjistratët e saj vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese.

Dokumenti që disponon Top Channel është Udhëzimi nr. 288, datë 31 gusht 2026, i GJKKO-së, dhe rregullon përllogaritjen, evidentimin dhe likuidimin e efekteve financiare që rrjedhin nga vendimi i Kushtetueses.

Udhëzimi vjen pasi Kuvendi nuk ndërhyri brenda afatit të 31 korrikut 2026, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për ndryshimet ligjore. Në relacionin shpjegues që shoqëron udhëzimin, GJKKO analizon pikërisht situatën juridike të krijuar pas përfundimit të këtij afati dhe mënyrën se si duhet të zbatohet vendimi i Kushtetueses në kushtet e mosveprimit të ligjvënësit.

Në dokument argumentohet se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të ketë efekt pezullues mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas relacionit, organet zbatuese duhet të veprojnë në përputhje me interpretimin dhe standardin kushtetues të përcaktuar nga Kushtetuesja.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur KLGJ dhe KLP kanë marrë vendimet e tyre për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shkaktuar debat me qeverinë mbi kompetencën dhe mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në udhëzim, GJKKO përcakton mënyrën e përllogaritjes dhe likuidimit të pagave të magjistratëve, si dhe procedurën që duhet të ndiqet nga administrata në rast të pamjaftueshmërisë së fondeve.

Ndërsa debati institucional për pagat vazhdon, administrata e sistemit të drejtësisë mbetet një tjetër pjesë e prekur nga ngërçi i pagesave. Top Channel