Lajme Zone
Pagat e magjistratëve/ KLP kundër draftit të PS-së: Rritja minimale, nuk reflekton standardin e Kushtetueses
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Pagat e magjistratëve/ KLP kundër draftit të PS-së: Rritja minimale, nuk reflekton standardin e Kushtetueses

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gjykata e Lartë dhe institucione të tjera kanë kundërshtuar propozimin e mazhorancës, me argumentin se formula e paraqitur nuk respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

KLP kundër draftit të PS KLP dhe Gjykata e Lartë kundërshtojnë formulën e propozuar nga socialistët për pagat e magjistratëve, ndërsa të njëjtit qëndrim i është bashkuar edhe Partia Demokratike. Në komisionet parlamentare po vijon shqyrtimi i nismës së socialistëve për ndryshimin e formulës së pagës referuese të magjistratëve. Në kuadër të diskutimeve janë zhvilluar edhe seanca dëgjimore me drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gjykata e Lartë dhe institucione të tjera kanë kundërshtuar propozimin e mazhorancës, me argumentin se formula e paraqitur nuk respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, deklaroi se rritja e propozuar është minimale dhe se ka një diferencë të konsiderueshme me përllogaritjet e bëra nga Këshilli.

“Nuk jemi njohur me detaje, por rritja është minimale, ka një diferencë të madhe me vendimin tonë, nuk reflekton standardin e vendosur nga gjykata kushtetuese”, tha kryetarja e KLP Mirela Bogdani.

Kundërshtime ndaj formulës së propozuar paraqiti edhe zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën detyrim dhe jo thjesht orientim për ligjvënësin.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, jo orientim, por detyrim, ka caktuar detyrimin dhe afatin, e më tej pasojat. Gjykata e Lartë nuk kundërshton në parim që ligjvënësi të propozojë një referencë të re, por ajo që keni propozuar ju, nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur nga gjk, ne propozojmë një mekanizëm që sjell respektimin real të Gjykatës Kushtetuese”, tha zv. kryetari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda, në komisionin e ligjeve.

Qëndrimit të institucioneve të drejtësisë i është bashkuar edhe Partia Demokratike. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi nismën e socialistëve antikushtetuese dhe paralajmëroi se, sipas tij, projektligji do të përfjë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Duke folur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Bardhi argumentoi gjithashtu se magjistratët duhet të kenë një trajtim financiar që garanton integritetin dhe pavarësinë e tyre.

“Me këtë ligj që keni sjellë ju, do të vijmë prapë këtu, sepse ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta rrëzojë sërish atë. Sepse ky propozim është në shkelje të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm duke mos e reflektuar atë, por duke bërë të kundërtën e asaj që kërkohet. Kur kemi bërë reformën në drejtësi, kemi qenë të qartë se duhet t’i kthejmë integritetin gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne nuk mund t’i trajtojmë sot si lëmoshë. Në fund fare, ne duhet t’i trajtojmë ata minimalisht si veten.

Ne ia rritëm rrogën vetes pak vite më parë me rreth 50%, kryeministrit me më shumë se 60%, ministrave me më shumë se 60%. Ne na paguhet nafta, telefoni dhe gjithçka tjetër. Nuk mund të bëhet krahasim me deputetët apo ministrat. Po, një gjyqtar duhet ta kalojë edhe deputetin, edhe ministrin, edhe presidentin. Çfarë bën Bajram Begaj që rri kot në zyrë dhe nuk mund të marrëka më shumë një magjistrat? Janë këta gjyqtarë që janë përballë krimit dhe japin dënime me burgim të përjetshëm. Prandaj meritojnë integritet dhe, e përsëris, nuk mund t’i trajtojmë për lëmoshë.”, tha Bardhi.

Qeveria, nga ana tjetër, ka mbështetur formulën e propozuar. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pranoi se Kuvendi ka humbur afatin e 31 korrikut për adresimin e çështjes, por argumentoi se projektligji synon të korrigjojë situatën e krijuar.

Sipas tij, kompetenca për përcaktimin e pagave i takon Kuvendit dhe duhet të ushtrohet përmes ligjit.

“Është një çështje shumë e rëndësishme. Kuvendi e humbi afatin e 31 korrikut, kjo është një gjë që nuk ka nevojë të justifikohemi. Bylykbashi ngriti disa pikëpyetje për rolin ligjvënës, dhe ne jemi të hapur për përgjegjësinë që na takon për këtë proces.

Dua të them një gjë shkoqur, nuk besoj se vonesa e Kuvendit të sillte përplasje mes pushteteve. Edhe projektligji që vjen bën pikërisht këtë gjë, një ndreqje të një gabimi që është bërë. Thelbi është te pyetja se kush duhet të vendosë për pagat? Dhe këtë e thotë vetë Gjykata Kushtetuese, që e vendos vetë Kuvendi dhe e vendos me ligj”, tha Gogu.

Mazhoranca po shkon drejt miratimit të formulës së re për pagat e magjistratëve në seancën e ardhshme parlamentare, të parashikuar më 17 shtator.

Projektligji i socialistëve parashikon që paga referuese e magjistratëve të kalojë nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas përllogaritjeve, kjo do të përkthehej në një rritje prej rreth 8 500 lekësh të pagës referuese.

Kjo shumë është ndjeshëm më e ulët se pretendimi i magjistratëve, i mbështetur edhe nga KLGJ dhe KLP. Sipas përllogaritjes së tyre, rritja duhet të jetë rreth 80 mijë lekë, ose afërsisht nëntë herë më e lartë se ajo që parashikon drafti i socialistëve.

Propozimi i mazhorancës ka marrë dakordësinë e qeverisë përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.

Një tjetër çështje lidhet me efektet financiare që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas mendimit zyrtar që Këshilli i Ministrave i ka dërguar Kuvendit, të siguruar nga Report Tv, qeveria përllogarit rreth 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura që prej prillit të vitit 2023, periudhë nga e cila kërkohet të llogariten efektet financiare.

Për shkak të kostos për buxhetin, qeveria propozon që kjo shumë të mos shlyhet menjëherë, por të paguhet me këste brenda një periudhe dyvjeçare.

Diskutimet në komisione zhvillohen në prag të seancës së 17 shtatorit, kur mazhoranca synon të çojë për miratim formulën e re të pagës referuese të magjistratëve, pavarësisht kundërshtimeve të ngritura nga institucionet e drejtësisë dhe opozita. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Klevis Balliu bën deklaratën e fortë: SPAK duhet të shkrihet! 15 Shtator 2026, 14:0314:03Politike Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve/ PD kërkon dëgjesë me institucionet e drejtësisë, Manja e pranon 15 Shtator 2026, 13:5713:57Politike Përplasja për pagat, Bardhi akuza Ramës: Qeveria ka futur në kolaps sistemin gjyqësor 15 Shtator 2026, 11:1811:18Politike Nafta mbi 229 lekë/litër, PD kërkon uljen e taksave: Situata emergjente, qeveria të ndërhyjë menjëherë 15 Shtator 2026, 11:0811:08Politike Dobësimi i demokracisë amerikane po bëhet problem për Evropën, skenarët e konfliktive 15 Shtator 2026, 10:3610:36Politike Debati për pagat e magjistratëve, PD kërkon seancë dëgjimore me institucionet e drejtësisë në Kuvend 15 Shtator 2026, 10:1610:16Politike