Kanë ardhur reagimet e para nga familjarët e ish-krerëve të UÇK-së pas dënimit të tyre me 81 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë.
Vëllai ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi është shprehur se familja pret që Apeli ta përmbysë vendimin e Gjykatës Speciale me 25 vjet burgim për krime lufte. “E presim Apelin. Jemi të bindur në pafajësi”, është shprehur shkurtimisht për mediat. Ndërkohë vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar vendimin si padrejtësia më e madhe e këtij shekulli. Ajo shkruan se ky vendim ndryshon historinë e Republikës së Kosovës dhe i vendos një njollë të zezë UÇK-së duke barazuar viktimën me agresorin. “Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli. Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, përfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin. Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.
UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët. Në këtë gjykatë te padrejtë, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiç, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky është veç një tjetër tregues i qarte për natyrën paragjykuese dhe politike te po kësaj politike.
Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë. Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës. Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi”, shkruan ajo. /CNA Gjykata e Hagës shpall dënimin për Rexhep Selimin
16 Shtator, 11:49 Gjyqi i Hagës/ Jepet dënimi për Jakup Krasniqin 16 Shtator, 11:42 Gjyqi në Hagë/ Shpallet dënimi për Kadri Veselin 16 Shtator, 11:41 Shpallet vendimi në Hagë për Hashim Thaçin/ Ja me sa vite burg dënohet 16 Shtator, 11:37 Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

