Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili synoi të merrte “kartonin e kuq” nga gjykata kundër prokurorit Ols Dado, për të cilin insiston se është dekretuar pa meritë. Duke hedhur poshtë padinë e tij, gjyqtari u shpreh se Veliaj ka interes të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë.
Gjykata rrëzoi gjithashtu dy kërkesa të tjera, të një shoqate që tentoi të bëhej palë në proces dhe të ish-prokurorit Tom Dedaj, i cili pretendon se u shkarkua në kohën e ish-prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për t’i hapur rrugë emërimit të Dados.
Këto qëndrime u hodhën poshtë nga mbrojtja e Dados.
Kryebashkiaku e konsideroi arrestimin e tij nga Dado, i cili sipas tij nga noter u dekretua prokuror, si një rrëmbim që e ka larguar prej 540 ditësh nga bashkia dhe familja.
Procesi administrativ ishte në fazën paraprake dhe palë në të ishin edhe Presidenca dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Top Channel

