News24 ka siguruar pamjet ekskluzive nga momenti dramatik kur Refit Buzi liron ish-partneren e tij, Rozalinda Plaka, të cilën e mbante peng pas një krimi të rëndë familjar. Ngjarja e rëndë mori përmasa tragjike në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Buzi i mori jetën ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij me armë gjahu, për të marrë më pas peng ish-të fejuarën dhe për t’u arratisur nga vendngjarja.
Lirimi i të resë erdhi vetëm pas disa orësh negociatash të tensionuara me forcat speciale RENEA, të cilat kishin rrethuar zonën ku fshihej autori. Edhe pse u arrit shpëtimi i Rozalinda Plakës, ngjarja u përmbyll me një tjetër viktimë gjatë pasdites së djeshme, pasi 35-vjeçari Refit Buzi i dha fund jetës duke u vetëvrarë me të njëjtën armë gjahu me të cilën kreu krimin, pas 8 orësh negociata me forcat RENEA. Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, në një deklaratë për mediat bëri me dije se gjatë rrethimit, 35-vjeçari kishte kërcënuar disa herë se do të vishte armën kundër vetes, kërcënim të cilin e çoi deri në fund pas lirimit të pengut. Strukturat e policisë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
