Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe rreth 400 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një përmbytjeje të menjëhershme dhe rrëshqitjeve masive të dheut përgjatë kufirit mes Nepalit dhe Tibetit. Ujërat kanë përfshirë fshatra të tëra, ndërsa janë dëmtuar rëndë rrugë dhe infrastruktura.
Përmbytja goditi herët të mërkurën zonën e Rasuvas, në veri të kryeqytetit nepalez, Katmandu. Sipas të dhënave paraprake, një tërmet i regjistruar në orën 08:37 sipas kohës lokale mund të ketë shkaktuar një ortek, duke bërë që sasi të mëdha dëbore të shkrirë të derdheshin në lumin Bhote Koshi dhe të shkaktonin përmbytjen e menjëhershme.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar në të dyja anët e kufirit Nepal–Tibet. Deri tani, 12 persona janë shpëtuar.
Mediat shtetërore kineze, që raportojnë për situatën në Tibet, bëjnë me dije se ka viktima të shumta, ndërsa autoritetet nepaleze paralajmërojnë për humbje të mëdha në njerëz dhe dëme materiale.
Bordi i Turizmit i Nepalit tha se po punohet për të përcaktuar vendndodhjen e 291 turistëve dhe 93 shtetasve nepalezë, përfshirë guida turistike, që ndodheshin në zonën e goditur nga përmbytja. Mes tyre janë 12 turistë nga Britania e Madhe, si dhe shtetas amerikanë, malajzianë, afrikano-jugorë dhe indianë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ujërat e furishme që përshkojnë fshatrat dhe marrin me vete gjithçka që u del përpara. Zëdhënësi i Policisë së Nepalit, Abhi Narayan Kaphle, tha për BBC se të gjitha strukturat e sigurisë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.
Disa zona përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit Bhote Koshi, i cili buron në Tibet dhe rrjedh drejt Nepalit, janë vendosur në gatishmëri të lartë. Përmbytjet kanë ndërprerë rrugët, komunikimet dhe furnizimin me energji elektrike në rajon. Autoritetet njoftojnë se rruga kryesore drejt Katmandusë është e bllokuar.

