Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa vendimi do të shpallet veçmas për secilin prej të akuzuarve. Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar përgjegjësinë për akuzat e ngritura ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor, i cili ka zgjatur më shumë se katër vjet, është zhvilluar me dëgjimin e dëshmive të më shumë se 100 personave të thirrur nga Prokuroria. Në fazën e mbrojtjes, avokatët kanë paraqitur dëshmitarë dhe argumente për të kundërshtuar akuzat dhe pretendimet mbi përgjegjësinë e të pandehurve.
Prokuroria ka kërkuar dënime me burgim për katër ish-drejtuesit, ndërsa mbrojtja ka kërkuar rrëzimin e akuzave dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.
Shpallja e aktgjykimit ka sjellë vëmendje të madhe edhe në Kosovë, ku janë zhvilluar aktivitete në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, mes tyre edhe “Marshi për Liri” në Prishtinë. Mbështetës janë mbledhur edhe pranë selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë.
Autoritetet holandeze kanë shtuar masat e sigurisë përreth objektit, në pritje të shpalljes së vendimit.
Aktgjykimi i sotëm është vendim i shkallës së parë dhe nuk përbën domosdoshmërisht fundin e procesit. Si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja kanë të drejtë ta apelojnë vendimin në përputhje me procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

