Lajme Zone
Opinion/ Bieta Sulo: Po, kanë të drejtë të kenë turp. Por kush ua bëri këtë?
EkonomiTop Channel

Opinion/ Bieta Sulo: Po, kanë të drejtë të kenë turp. Por kush ua bëri këtë?

Nga Bieta Sulo

Nga Bieta Sulo Ndoshta duhet të ndalojmë pak përpara se t’u themi këtyre grave:

“Mos kini turp.”

Sepse, në fakt, po, kanë turp. Dhe kanë të drejtë të kenë turp. Jo sepse kanë bërë diçka të turpshme. Por sepse janë ekspozuar në vendin më të pambrojtur ku mund të jetë një njeri:

në privatësinë e vet, në trupin e vet, në intimitetin e vet.

Aty ku njeriu nuk është personazh.

Nuk është këngëtare.

Nuk është aktore.

Nuk është “VIP”.

Është thjesht njeri.

Dhe ndoshta nuk ka shumë gjëra më të forta sesa momenti kur një njeri e kupton se ajo që ka bërë në intimitetin e tij, në atë hapësirë ku ka besuar se është i sigurt, tani po shihet nga të tjerët.

Nga njerëz që nuk i njeh.

Nga njerëz që e komentojnë.

Nga njerëz që e gjykojnë.

Prandaj, po. Është e turpshme. Është poshtëruese. Është traumatike.

Por këtu fillon pyetja e vërtetë.

Kush ua bëri këtë?

Kush e regjistroi?

Kush e ruajti?

Kush e nxori?

Kush e shpërndau?

Dhe mbi të gjitha:

Kush e ktheu intimitetin e një njeriu në spektakël publik?

Sepse këtu është ndryshimi i madh.

Të kesh një jetë intime është zgjedhja jote. Të lejosh dikë të hyjë në atë intimitet është zgjedhja jote. Por të zgjohesh një ditë dhe të kuptosh se ajo që të ka ndodhur në privatësinë tënde tani është në telefonat e mijëra njerëzve… kjo nuk është më zgjedhja jote.

Dhe pikërisht këtu duhet të ndalemi.

Jo te trupi i gruas.

Jo te mënyra se si duket.

Jo te me kë ishte.

Jo te çfarë bëri.

Por te pyetja:

Kush ia mori të drejtën për të vendosur se çfarë nga jeta e saj private i përket publikut? Sepse ndoshta ne po bëjmë një gabim të madh kur i themi:

“Mos ki turp.”

Ndoshta duhet t’i themi:

“Po, ke të drejtë të ndihesh e turpëruar. Ke të drejtë të ndihesh e dhunuar në privatësinë tënde. Ke të drejtë të jesh e zemëruar.”

Por pastaj duhet të bëjmë edhe pyetjen tjetër:

“Pse duhet ta mbash ti turpin e asaj që të është bërë?”

Dhe kjo është ajo që më duket se duhet të na shqetësojë më shumë se vetë videot.

Sepse videot do të harrohen.

Emrat do të zëvendësohen nga emra të tjerë.

Por mënyra se si një shoqëri reagon ndaj një gruaje (burri) kur privatësia e saj ekspozohet, tregon shumë për ne.

A do ta gjykojmë atë që u pa, apo do të pyesim se kush e bëri të mundur që ta shihnim?

P.S. Po ty që i pe të gjitha videot e deri në fund madje, ua dërgove edhe grupeve në wap të vjen ndopak turp????? Top Channel