Integrimi europian dhe progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave u kthyen në objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit 2027 dhe seancës dëgjimore me Komisionerin për të Drejtën e Informimit, deputetja e PS-së Iris Luarasi dhe kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, shkëmbyen akuza për qëndrimet e opozitës ndaj ligjeve të integrimit dhe zbatimin e reformave.
Luarasi kritikoi opozitën për votimin kundër ligjeve që lidhen me integrimin në BE, ndërsa Tabaku u përgjigj duke theksuar se miratimi i ligjeve nuk ka vlerë pa zbatim dhe pa adresimin e problematikave që evidenton raporti i progresit.
Iris Luarasi, deputete e PS: “Kemi hapur grupkapitullin e fundit të negociatave, po ecim në një kohë rekord që shumë pak vende e kanë bërë. Vende të tjera që sot janë anëtarë e kanë shtyrë me vite. Mbyllja e negociatave në fund të vitit të ardhshëm është tashmë kalendari ynë i punës. Po ta lexosh me vëmendja raportin, aty vlerësohen gjëra që një pjesë të tyre opozita nuk i ka votuar. Kolegët e opozitës mund t’i lexojnë këto vlerësime me ndërgjegje të qetë, sepse asnjë prej ligjeve përafruese nuk ka pasur miratimin e tyre. Nuk kanë ngritur dorën për asnjë nga 54 ligjet që kanë lidhje me integrimin në BE. Në Malin e Zi opozita është patjetër në konflikt me qeverinë, ka deklaruar se mbështet çdo ligj që ka lidhje me standardet dhe përafrimin me BE. Atje opozita e ka kuptuar se mund ta kundërshtosh qeverinë, por pa e ndëshkuar vendin dhe kjo është diferenca me opozitën që kemi në Shqipëri. Këtu opozita është në sallë, por e zhdukur nga tabela e votimit”.
Jorida Tabaku, deputete e PD, kryetare e komisionit: “Kush e ka lexuar raportin, mendoja se do të ishte një moment reflektimi për të parë gjërat siç kanë shkruar atje. Siç shkruhet në progres-raport, bërja e ligjeve shpejt dhe vetëm miratimi i ligjeve me një listë që nuk reflekton kërkesat e qytetarëve nuk ka vlerë për sa kohë nuk zbatohen. Kemi ndryshim të madh me Malin e Zi, që sapo miratoi heqjen e imunitetit të Kryeministrit dhe gjithë ministrave dhe mund të hetohen për korrupsion. Kurse ky parlamenti këtu e mbrojti me votë politike korrupsionin. Ky është ndryshimi i madh. Nuk ka rëndësi sesa ligje miratohen, por sa shqetësime ngrihen. Nuk kam parë ndonjëherë më shumë kundërshti për rolin e parlamentit dhe hapësirën e parlamentit atje”. Top Channel

