Një ditë më parë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka publikuar një video-mesazh lidhur me pavarësinë e gjykatës, derisa javë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshim plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.Deklarata e Trendafilovas ka ngjallur reagime në vend, të partive politike dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryetarja e Speciales: Nuk veprojmë nën ndikimin politikTrendafilova ka thënë se institucioni që drejton është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tij. Ajo ka theksuar se gjykata ka mandat të përcaktuar ligjërisht dhe se synon të sigurojë procedura penale të sigurta, të paanshme, të drejta dhe efikase.Sipas saj, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara janë profesionistë me integritet të lartë, të emëruar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese, të cilët i ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur.“Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, është shprehur Trendafilova.Ajo ka rikujtuar se vendimet gjyqësore mund të kundërshtohen përmes mekanizmave të ankesave në kuadër të sistemit të Dhomave të Specializuara, përfshirë panelet e Apelit, Panelin e Gjykatës Supreme dhe Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.Trendafilova ka theksuar se të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe se në disa raste kanë arritur sukses përmes ankesave të tyre.Kryetarja e gjykatës ka thënë se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, por ka shtuar se askush nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin. “Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike”, thuhet në deklaratën e saj.Në video-mesazh, Trendafilova ka përmendur gjithashtu rastet e frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se përpjekjet për të penguar drejtësinë kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë.Në përfundim, ajo ka ritheksuar se Dhomat e Specializuara do të vazhdojnë punën e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pa iu nënshtruar presioneve të jashtme, duke kërkuar që të gjithë aktorët e përfshirë t'i përmbushin detyrimet e tyre në respektim të sundimit të ligjit. Deklarata e Trendafilovas, reagon OVL e UÇK-së: Zonja duhet ta dijë se në Kosovë, ligjet i miraton KuvendiDeklarata e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.OVL e UÇK-së thekson se Trendafilova duhet ta dijë se t'i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë.“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova.Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi”, thuhet në reagim. Sipas OVL e UÇK-së, kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqin dorë prej saj. “Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë. Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së. Gruda i reagon Trendafilovës: Gjykata Speciale duhet ta zbatojë ligjin e ri sapo të hyjë në fuqiDeputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, po ashtu ka reaguar ndaj deklaratës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me pavarësinë e gjykatës dhe zbatimin e ligjit.Përmes një postimi, Gruda ka thënë se, ndonëse askush nuk mund t’i diktojë gjykatës se si ta interpretojë ligjin, ajo nuk mund të zgjedhë se cilin ligj do ta zbatojë.Sipas tij, miratimi i ligjeve është kompetencë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa gjykatës i takon interpretimi dhe zbatimi i tyre. “E vërtetë që askush nuk mund t’ia diktojë gjykatës se si ta interpretojë ligjin. Por gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë”, ka shkruar Gruda.Ai ka theksuar se, sapo ligji i ri për Gjykatën Speciale të hyjë në fuqi, institucioni duhet ta zbatojë atë.Reagimi i deputetit të PDK-së vjen pas video-mesazhit të Trendafilovës, në të cilin ajo mbrojti pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe theksoi se gjykata e ushtron mandatin e saj pa ndikime apo ndërhyrje politike. Limaj: Reagimi i Trendafilovës është shenja e parë e efektit të Ligjit për SpecialenKryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar si hap pozitiv reagimin publik të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.I ftuar në RTV Dukagjini, Limaj tha se dalja publike e Trendafilovës për të dhënë sqarime përbën, sipas tij, shenjën e parë të efektit të ligjit të ri.Ai vlerësoi se reagimi i saj erdhi si rezultat i veprimeve konkrete të institucioneve të Kosovës, duke kritikuar njëkohësisht mënyrën e komunikimit të Dhomave të Specializuara gjatë viteve të kaluara.“Së pari, besoj që ky reagim vjen si pasojë e veprimeve konkrete të Kosovës, ligjit. Efektet e para dhe shenjat e para të efektit të ligjit janë detyrimi i zonjës Trendafilova për të dalë e për të dhënë këtë sqarim dhe prononcim”, deklaroi Limaj. Ai theksoi se Trendafilova nuk e ka komentuar drejtpërdrejt ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por ka dhënë sqarime duke iu referuar bazës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.Sipas Limajt, kryetarja e Gjykatës Speciale nuk ka të drejtë të interpretojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa vlerësoi se në prononcimin e saj ajo ishte e kujdesshme në këtë drejtim.Limaj e cilësoi reagimin si një zhvillim pozitiv, pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së Trendafilovës.“Për mua është një hap pozitiv vetë detyrimi i saj me dalë me i dhënë disa sqarime, pavarësisht çka tha. Tregon efektet e para të ligjit”, u shpreh ai.Në fund, kreu i Nismës Socialdemokrate kritikoi Dhomat e Specializuara për atë që e quajti arrogancë, mungesë komunikimi dhe transparence ndër vite. Ai tha se institucionet e Hagës duhet t'u drejtohen drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, në emër të të cilëve ushtrojnë veprimtarinë e tyre. /Telegrafi/

