Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026. Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave. LEXO EDHE:Rezerva arrin në 8 miliardë euro, Tabaku: Zhvlerësimi i euros nuk buron nga ekonomia reale Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave. Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë. Ndërkohë, duke pasur parasysh tendencën e zakonshme të rritjes së prurjeve valutore në tremujorin e dytë dhe veçanërisht në atë të tretë, duket se një ecuri e tillë mund ta shpjegojë shpejtimin e zhvlerësimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Rënia e Euros duket se po shpejtohet përsëri këtë vit, pasi ishte ngadalësuar disi vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë vazhdon të jetë e pranishme në tregun valutor, duke blerë rregullisht Euro, me qëllim për ta ngadalësuar këtë tendencë. Vetëm për tremujorin e parë, Banka Qendrore bleu rreth 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit./Monitor U.D/Shqiptarja.com TAG: kembimi valutor banka e Shqiperise euro Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento EMIGRANT: 25/08/2026 14:04 Kjo eshte nje loje e piset . Ram shif banken se emigrantet e mbajne ate vend , ka zhvleresuar euron si mos me keq Përgjigju Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 54.5% Keq 32.7% Nuk e di 12.8% Vota total: 1098 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

