Lajme Zone
Nuk mund të fshiheni pas budallallëkut!
PolitikëPamfleti

Nuk mund të fshiheni pas budallallëkut!

Debati i rikthyer në mediat ndërkombëtare mbi gjendjen njohëse të Donald Trump ngre një çështje që shkon shumë përtej Shtëpisë së Bardhë. A janë sjelljet dhe vendimet e tij të diskutueshme pjesë e një strategjie politike, apo duhen kërkuar shpjegime te mosha dhe shëndeti?

Karikatura Pamfleti / Nga Trump te Edi Rama, shëndeti mendor nuk mund të shërbejë si alibi për vendimet e gabuara, skandalet dhe përgjegjësitë e pushtetit... Kur njerëzit që një udhëheqës zgjedh për të qeverisur përfjnë vazhdimisht në skandale, dyshimet mbi aftësitë e tij mendore bëhen dytësore. Ajo që meriton vëmendje është mënyra si e ka ndërtuar pushtetin, kriteret me të cilat përzgjedh bashkëpunëtorët dhe, mbi të gjitha, paradoksi i një sistemi ku të gjithë mund të mbajnë përgjegjësi, përveç atij që i ka zgjedhur dhe u ka besuar pushtetin.

Debati i rikthyer në mediat ndërkombëtare mbi gjendjen njohëse të Donald Trump ngre një çështje që shkon shumë përtej Shtëpisë së Bardhë. A janë sjelljet dhe vendimet e tij të diskutueshme pjesë e një strategjie politike, apo duhen kërkuar shpjegime te mosha dhe shëndeti? Por ky debat duket se vjen tepër vonë. Sepse kur një udhëheqës ka ushtruar pushtetin për vite me radhë, ka marrë vendime që kanë përcaktuar fatin e një vendi dhe pasojat e tyre tashmë janë ndier, kërkimi i shpjegimeve te gjendja e tij shëndetësore rrezikon të zhvendosë vëmendjen nga ajo që ka vërtet rëndësi: përgjegjësia për vendimet e marra dhe dëmet që ato mund të kenë shkaktuar.

Një lider mund të jetë plotësisht i shëndetshëm dhe të marrë vendime katastrofike. Mund të jetë intelektualisht i aftë dhe njëkohësisht të ndërtojë një sistem ku besnikëria vlen më shumë se integriteti, ku bindja shpërblehet më shumë se profesionalizmi dhe ku përgjegjësia mbetet jetime

Kjo është një çështje që meriton të shtrohet edhe në Tiranë.

Prej vitesh, në debatin publik shqiptar qarkullojnë komente për temperamentin, sjelljen dhe gjendjen mendore të Edi Ramës. Shpesh, vendimet e tij politike, kontradiktat apo mënyra e komunikimit interpretohen përmes hamendësimeve personale.

Por Shqipëria nuk ka nevojë për një diagnozë të kryeministrit. Ka nevojë për një bilanc të pushtetit të tij.

Si shpjegohet që kaq shumë njerëz të përzgjedhur, promovuar dhe mbështetur politikisht nga Edi Rama janë përfshirë në skandale, hetime apo përballje me drejtësinë?

A është fjala për gabime të përsëritura në përzgjedhje? Për mungesë kontrolli? Apo për një model qeverisjeje ku besnikëria ndaj udhëheqësit ka më shumë peshë se përgjegjësia ndaj shtetit?

Këto janë pyetjet që duhen bërë, pa paragjykuar fajësinë penale të askujt.

Sepse një gabim në përzgjedhje mund të jetë rastësi. Dy gabime mund të tregojnë mungesë gjykimi. Por kur problemet përsëriten për vite me radhë, bëhet gjithnjë e më e vështirë të shmanget diskutimi për sistemin që i prodhon.

Dhe ky sistem ka një autoritet politik në krye: Edi Ramën.

Kryeministri ka kërkuar vazhdimisht të vlerësohet për rezultatet e qeverisjes së tij. Ai ka zgjedhur bashkëpunëtorët, ka ndërtuar ekipet, ka përcaktuar hierarkinë dhe ka mbrojtur publikisht vendimet e veta.

Por kur njerëzit e këtij sistemi përfshihen në skandale, përgjegjësia politike priret të shpërndahet. Çdo rast trajtohet si histori individuale, çdo problem si devijim personal, çdo hetim si çështje që i përket vetëm drejtësisë.

Natyrisht, përgjegjësia penale është individuale. Askush nuk mund të shpallet fajtor për veprimet e një tjetri pa prova.

Por përgjegjësia politike nuk funksionon kështu.

Një kryeministër nuk mund të jetë arkitekti i çdo suksesi dhe spektatori i çdo dështimi.

Nuk mund të marrë meritat për njerëzit që promovon dhe të mos japë shpjegime për kriteret me të cilat i ka zgjedhur, kur besimi tek ata rezulton i gabuar.

Këtu qëndron edhe paradoksi i qeverisjes së gjatë të Edi Ramës.

Sa më shumë pushtet përqendrohet në duart e një udhëheqësi, aq më pak bindës bëhet pretendimi se ai nuk mban përgjegjësi për mënyrën se si funksionon sistemi që drejton.

Sigurisht, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë mund të dëshmojnë se drejtësia është bërë më aktive dhe më e pavarur. Ky është një zhvillim që duhet vlerësuar.

Por suksesi i drejtësisë nuk është automatikisht sukses i qeverisjes.

Prokuroria nuk mund të jetë filtri i vetëm i integritetit të administratës. Gjykatat nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë politike të kryeministrit. Dhe qytetarët nuk duhet të presin hapjen e një dosjeje penale për të zbuluar nëse një zyrtar e meritonte besimin që i ishte dhënë.

Një qeverisje serioze nuk matet vetëm nga gatishmëria për të lënë drejtësinë të veprojë pasi skandali ka shpërthyer. Ajo matet edhe nga aftësia për të parandaluar abuzimet, për të dëgjuar paralajmërimet dhe për të korrigjuar mekanizmat që kanë dështuar.

Pikërisht këtu debati mbi Trump merr një kuptim më të gjerë.

Problemi i demokracive nuk është domosdoshmërisht gjendja shëndetësore e udhëheqësve. Problemi fillon kur institucionet dobësohen përballë pushtetit personal dhe kur besnikëria politike shndërrohet në kriterin kryesor të mbijetesës brenda sistemit.

Në Shqipëri, Edi Rama nuk mund të gjykohet mbi hamendësime për shëndetin e tij mendor. Por ai mund dhe duhet të gjykohet politikisht mbi vendimet, emërimet, standardet dhe rezultatet e qeverisjes së tij.

Sepse pas kaq shumë vitesh në pushtet, pyetja nuk është më nëse kryeministri i njeh njerëzit që zgjedh.

Pyetja është përse vazhdon t'u besojë përgjegjësi të mëdha njerëzve për të cilët më pas detyrohet të japë shpjegime.

Nëse nuk i njeh, kjo ngre pikëpyetje për aftësinë e tij për të përzgjedhur. Nëse i njeh dhe shpërfill sinjalet paralajmëruese, kjo ngre pikëpyetje për standardet e tij politike. Në të dy rastet, përgjegjësia nuk mund të zhduket pas deklaratës se secili përgjigjet për veten.

Në fund të fundit, pushteti nuk mund të jetë çifligu yt kur ndahen meritat dhe tokë e askujt kur kërkohet përgjegjësi.

Edi Rama mund të ketë të drejtë kur thotë se përgjegjësia penale është individuale. Por përgjegjësia politike ku është? Njerëzit që ai ka zgjedhur nuk kanë zbritur nga qielli. Janë promovuar, mbështetur dhe pajisur me autoritet përmes vendimeve politike, për të cilat kryeministri duhet të japë llogari.

Debati që nisi nga Trump dhe mbërrin në Tiranë nuk kërkon diagnoza mjekësore. Kërkon një bilanc të ftohtë të pushtetit dhe pasojave të tij.

Sepse është kulmi i ironisë që Edi Rama, pas kaq shumë vitesh në pushtet, kërkon të marrë meritat si arkitekti i çdo suksesi, por sa herë shpërthen një skandal, shfaqet si njeriu i vetëm që nuk e dinte çfarë po ndodhte në shtëpinë e vet.

Nëse i ka zgjedhur gabim, duhet të shpjegojë përse. Nëse ka shpërfillur paralajmërimet, duhet të shpjegojë përse. Dhe nëse nuk ka ditur çfarë ndodh, duhet të shpjegojë si ka funksionuar kontrolli i tij mbi qeverisjen.

Sepse në politikë, padija nuk është medalje pafajësie.

Dhe ky është paradoksi që Edi Rama nuk mund ta zgjidhë me asnjë batutë: të kërkosh të jesh autori i gjithçkaje që shkëlqen dhe të mos kesh asnjë përgjegjësi për atë që kalbet nën pushtetin tënd./Pamfletinuk mund të fshiheni pas budallallëkut gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial A mësuan gjë arrogantët e Tiranës nga zgjedhjet në Amerikë? 5 Nëntor 2026, 11:2011:20Editorial E marta e zezë e Edi Ramës 4 Nëntor 2026, 10:2510:25Editorial Tetë portat e fatit amerikan 3 Nëntor 2026, 12:0812:08Editorial Të luash me zjarrin 2 Nëntor 2026, 11:0011:00Editorial Hija e Vaterlosë mbi Uashington 1 Nëntor 2026, 11:2411:24Editorial Papa Leoni XIV trondit Vatikanin, mesazhi përtej Trumpit dhe sfida ndaj të pasurve 31 Tetor 2026, 11:0411:04Editorial