Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se pas këtyre protestave qëndron opozita, e cila sipas tij nuk e mund dot me zgjedhje dhe përdor gurin.
Rama tha se nuk bëhet fjalë për pushtetin e tij por për tryezën e negociatave. Ai theksoi se shteti nuk do të dorëzohet përballë kësaj situate. “Nuk është çështje e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Jo me arrogancë, por krenar, bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme, nuk kam më as dëshirë të udhëtoj për pushtet. Pasuri? Çfarë të them, është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave. Shqiptarët duhet të mendojnë qartë: duan këtë apo BE-në?
Do të thonë disa: Pse ike dhe s’do të shkojmë ne në BE? Nuk po them që jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE. Jeni ziliqarë, të paaftë, ziliqarë, sepse nuk më mundni dot me zgjedhje, me fjalë dhe ju ka ardhur dita te guri. E nisët me shishe uji e vezë dhe arritët te guri.
Le ta themi që janë kaq të aftë, negociatat kanë kalendar. Dritarja është hapur tani, kalendari kërkon që çdo ditë të japim e të marrim, ka çdo ditë fluturim në Bruksel e anasjelltas. Kjo ndërpritet nëse unë iki dhe vjen ai neoballisti, ose neokomunisti apo matufepsi, u duhet një kohë e gjatë. Nuk do të dorëzohet shteti përpara kësaj. Shteti që dorëzohet përpara kësaj nuk e merr veten për vite e vite”, tha Rama. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

