Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas video-mesazhit të kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar deklaratën e tij se nuk ekziston asnjë vendim apo firmë që e implikon në shkelje të ligjit. Blushi ngre dy çështje që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me firmat e kryeministrit, duke përmendur bonusin e dhënë për kompaninë “Integrated Energy BV” dhe procedurën për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. “Edi Rama vërtetoi sot jo vetëm kartelën e tij klinike, por edhe papërgjegjshmërinë e një kleptomani dhe arrogancën e një banditi, që drejton me gjakftohtësi organizatën kriminale, që ka marrë peng të gjithë shtetin”, shkruan Blushi. Sipas tij, më 7 dhjetor 2016, Rama ka firmosur dhënien e një bonusi prej 8% të pikëve për kompaninë “Integrated Energy BV” në procedurën konkurruese për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Blushi pretendon se në momentin kur është firmosur bonusi, kjo kompani nuk ekzistonte. “Edi Rama, në kundërshtim me çdo ligj në fuqi, më 7.12.2016 firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV sh.p.k. për procedurën konkurruese për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Por, në fakt, kjo kompani nuk ekzistonte në momentin kur Kryeministri firmosi bonusin që e favorizonte atë në procedurën konkurruese”, shprehet ai. Çështja e dytë që ngre sekretari i Përgjithshëm i PL-së lidhet me inceneratorin e Elbasanit. Blushi pretendon se Rama ka firmosur për negocimin pa shpallje të kontratës koncesionare për ndërtimin e inceneratorit, edhe pasi, sipas tij, autoritetet përkatëse ishin njoftuar se procedura ishte e paligjshme.
“Edi Rama ka firmosur, në kundërshtim me ligjin ‘Për koncesionet dhe Partneritetin Publik/Privat’, për negocimin pa shpallje të kontratës koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit”, vijon Blushi.
Në përfundim, ai deklaron se nuk pret dorëheqjen e kryeministrit dhe bën thirrje për largimin e tij nga pushteti, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Ramës.
“Shporrja, dhe vetëm shporrja, është e vetmja zgjidhje që duhet ta marrin në dorë shqiptarët!”, përfn Blushi.
Reagimi i plotë: Edi Rama vërtetoi sot jo vetëm kartelën e tij klinike, por edhe papërgjegjshmërinë e një kleptomani dhe arrogancën e një banditi, që drejton me gjakftohtësi organizatën kriminale, që ka marrë peng të gjithë shtetin.
Ky mashtrues i pacipë, që sfidoi sot këdo duke pretenduar se nuk ekziston asnjë vendim apo firmë e tij në shkelje të ligjit, ja ku i ka dy gjurmë, që ulërasin në dritën e diellit.
1. Edi Rama, në kundërshtim me çdo ligj në fuqi, më 7.12.2016 firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV sh.p.k. për procedurën konkurruese për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Por, në fakt, kjo kompani NUK EKZISTONTE në momentin kur Kryeministri firmosi bonusin që e favorizonte atë në procedurën konkurruese.
2. Edi Rama ka firmosur, në kundërshtim me ligjin “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik/Privat”, për negocimin pa shpallje të kontratës koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, edhe pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, ishte njoftuar zyrtarisht nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, z. Eduard Ahmeti, se procedura e përzgjedhur për dhënien e këtij koncesioni (negocimi pa shpallje) ishte e paligjshme.
Askush të mos lodhet duke pritur dorëheqjen e tij dhe as të mos ngjiret me kërkesën për largimin e vullnetshëm të tij nga pushteti.
Asnjë hajdut nuk vjedh për t’ia dorëzuar më pas plaçkën policisë.
Asnjë bandit nuk vetëndalet me ndërgjegje në kriminalitetin e vet.
Shporrja, dhe vetëm shporrja, është e vetmja zgjidhje që duhet ta marrin në dorë shqiptarët!
Ky është i vetmi ilaç për shpëtimin e Republikës, të marrë peng nga një i sëmurë mendor, kleptoman dhe mafioz i pandreqshëm! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

