Lajme Zone
“Nuk janë zbatuar vendimet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme”, BIRN: Durrësi harron tërmetin, ndërhyrjet pa kontroll në pallate rikthejnë rrezikun
PolitikëBalkanWeb

“Nuk janë zbatuar vendimet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme”, BIRN: Durrësi harron tërmetin, ndërhyrjet pa kontroll në pallate rikthejnë rrezikun

Ndërhyrjet abuzive në dyqanet e kateve të para dhe në apartamentet e pallateve në Durrës kanë rifilluar shumë shpejt pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë e ndërtesave në një qytet që ende po përballet me pasojat e fatkeqësisë.

Gati shtatë vjet pas tërmetit që shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe miliona euro dëme, ndërhyrjet në apartamente dhe katet e para të pallateve në Durrës vazhdojnë të shqetësojnë ekspertët. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se autoritetet vendore kanë lënë pa zbatuar qindra vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme. Ndërhyrjet abuzive në dyqanet e kateve të para dhe në apartamentet e pallateve në Durrës kanë rifilluar shumë shpejt pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë e ndërtesave në një qytet që ende po përballet me pasojat e fatkeqësisë. Asokohe, ekspertët i konsideruan ndërhyrjet e pakontrolluara në strukturat e godinave si një nga faktorët që rënduan pasojat e tërmetit, i cili shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Por gati shtatë vjet më vonë, kujtesa e tragjedisë duket se po zbehet, ndërsa ndryshimet e planimetrive dhe përshtatja e ambienteve për funksione të reja vijojnë në pallatet e qytetit. “Ndërhyrjet e tanishme në godina janë tregues se ne e kemi kujtesën të shkurtër dhe se i kemi harruar shpejt pasojat e fatkeqësisë,” tha për BIRN inxhinieri Alier Cara. Sipas tij, ndryshimet e planimetrive në mjediset e shërbimit shpesh justifikohen me arsyetimin se tërmetet e forta në Durrës ndodhin mesatarisht një herë në 100 vjet.

“Duket sikur qyteti ka fituar një amnisti nga tërmetet, por kjo bëhet thjesht për të justifikuar ndërhyrjet në banesat e ndërtuara në kohë të ndryshme në qytetin antik,” u shpreh Cara.

Shqetësimet e ekspertëve për ndërhyrjet në ndërtesa shoqërohen me gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar mangësi serioze në veprimtarinë e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Durrës.

Sipas raportit të auditimit të publikuar në vitin 2026, në 200 raste kryeinspektori i IMT-së nuk kishte nxjerrë urdhrat e ekzekutimit për vendimet e prishjes së ndërtimeve të paligjshme. Në 23 raste të tjera, megjithëse ishin evidentuar elementë të veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, inspektorati nuk i kishte referuar shkeljet pranë organeve ligjzbatuese.

Auditimi evidentoi gjithashtu trajtim të ndryshëm të subjekteve që kishin kryer ndërtime pa leje. Në disa raste, ndërhyrje si ndërtimi i mureve rrethuese apo portave ishin referuar për ndjekje penale, ndërsa shkelje të tjera nuk kishin ndjekur të njëjtën procedurë.

Shkelje u konstatuan edhe në administrimin e gjobave. Në 65 raste, inspektorati kishte vendosur gjoba fikse prej 500 mijë lekësh për punime pa leje, pa zbatuar metodologjinë ligjore të përllogaritjes së tyre. Ndërkohë, në 252 raste mungonte dokumentacioni që provonte njoftimin e subjekteve të gjobitura.

Gjatë viteve 2023–2024, inspektorati vendosi gjoba me vlerë të përgjithshme prej rreth 79.5 milionë lekësh, por arriti të arkëtonte vetëm 10 milionë lekë, ose rreth 13% të shumës. KLSH evidentoi gjithashtu se nuk ishte ndjekur siç duhej ekzekutimi i detyrueshëm i gjobave të papaguara.

Megjithëse auditimi nuk përcakton nëse rastet e ndërtimeve të paligjshme lidhen me ndërhyrjet në strukturat e pallateve, gjetjet e tij ngrenë pikëpyetje mbi aftësinë e autoriteteve vendore për të kontrolluar territorin dhe për të parandaluar punimet e paligjshme.

Menjëherë pas sezonit veror, në Durrës intensifikohen punimet e rikonstruksionit në lokalet e shërbimit, shpesh të shoqëruara edhe me ndryshimin e destinacionit të tyre, si për shembull nga restorante në dyqane.

Në një nga pallatet pranë shëtitores “Taulantia”, të gjitha lokalet e katit të parë janë kthyer në miniapartamente për akomodim afatshkurtër.

“Duket se kishin më shumë fitim me qiratë ditore sesa me të ardhurat nga dyqanet e zakonshme,” tha për BIRN Beniamin Doda, banor i së njëjtës lagje.

Sipas tij, ndërhyrje të tilla nuk kufizohen vetëm në katet e para, por janë të përhapura edhe në apartamentet e banimit.

“Përveç zhurmës që vazhdon për disa javë, orë e pa orë, punimet tejkalojnë edhe projektin fillestar të pallatit,” tha Doda.

Ai shprehet se për banorët është e vështirë të kuptojnë nëse punimet janë të autorizuara dhe nëse respektojnë kushtet e sigurisë.

“Mjafton një formular i lëshuar nga njësia administrative, që zakonisht vendoset në hyrje të banesës, ku hyjnë e dalin me ashensor, bashkë me ustallarët, edhe thasët me copat e suvasë që shkulet nga muret, pllakat e reja apo thasët e çimentos,” shtoi ai.

Arkitekti Artan Kaçani e lidh përhapjen e ndërhyrjeve abuzive me mungesën e kontrollit dhe të një sistemi të plotë evidentimi të njësive të shërbimit.

Sipas tij, mungesa e një adresari për lokalet dhe dyqanet, që ndodhen kryesisht në katet e para të pallateve, ka lehtësuar kryerjen e ndërhyrjeve pa respektuar procedurat.

Mungesa e monitorimit gjatë punimeve dhe informaliteti i njësive të shërbimit kanë favorizuar gjithashtu ndryshimet e destinacionit dhe të planimetrive të ndërtimit.

“E njëjta gjë ndodh edhe me apartamentet e banimit,” tha Kaçani.

Ndryshimi i funksionit të një ambienti nuk përbën domosdoshmërisht rrezik për qëndrueshmërinë e një ndërtese. Por specialistët paralajmërojnë se ndërhyrjet në elementët mbajtës, të kryera pa projekt teknik dhe pa kontroll, mund të cenojnë sigurinë e godinave, veçanërisht në rast të lëkundjeve të forta sizmike.

Ndërkohë, afro një mijë familje durrsake që humbën shtëpitë nga tërmeti i vitit 2019 po transferohen në lagjen e re të ndërtuar në Spitallë, disa kilometra larg qendrës së qytetit.

Por as në lagjen e re me emrin “Rilindja” dhe as në qendër të Durrësit nuk ka një shenjë simbolike që të përkujtojë shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti dhe të shërbejë si kujtesë për domosdoshmërinë e sigurisë së ndërtesave.

Për ekspertët, mësimet e tërmetit nuk duhet të kufizohen te rindërtimi i banesave të dëmtuara, por duhet të përkthehen në standarde më të forta kontrolli dhe në parandalimin e ndërhyrjeve që mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e godinave.

Megjithatë, inxhinieri Alier Cara vlerëson përpjekjet për të përmirësuar kapacitetet profesionale në vlerësimin e dëmeve dhe përballimin e emergjencave sizmike.

“Instituti i Ndërtimit në Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim, po bën një punë të mirë për efektet e post-tërmetit, si dhe evidentimin e dëmeve prej tij,” tha ai.

Sipas Carës, programi, i cili ka trajtuar Durrësin si model, parashikon edhe trajnimin e inxhinierëve që do të jenë në vijën e parë të vlerësimit të dëmeve në rast të një fatkeqësie të ardhshme.

“Tërmete mund të bien përsëri,” paralajmëroi ai./BIRN © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb