Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, foli në seancën plenare të kësaj të enjteje për incidentin e disa ditëve më parë me protestuesit, teksa po shkonte në Kuvend. Duke e vënë theksin te algoritmet në rrjetet sociale, Luarasi tha se videoja e saj me protestuesit u pa nga miliona persona, ndërsa shtoi se pas publikimit të saj janë evidentuar rreth 730 komente ndëshkuese ose potencialisht të dhunshme. Sipas Luarasit, komentet përfshinin thirrje për dënimin e saj me burg, zhdukjen, varjen në litar, djegien apo pushkatimin e saj. “Të gjithë ju e keni parë se një javë më parë, teksa po vija drejt seancës plenare, u përndoq nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj. Kjo ishte një video që u pa nga miliona njerëz. Unë s’jam këtu për ta ritreguar, por jam këtu për të treguar atë që ndodhi pas videos. Sepse aty qëndron çështja që kjo konventë synon të rregullojë. Ajo që pasoi u monitorua në mënyrë të pavarur, publikim pas publikimi. Në 5 ditë, emri u përmend në 708 artikuj, në 64 media online, në 134 llogari të emërtuara. Shtrirja e përgjithshme 14.9 milionë. Shikimet 4.8 milionë. 80% e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve. Nga këto, 730 komente ndëshkuese ose potencialisht të dhunshme: burg, zhdukje, varje, djegie, pushkatim”, tha mes të tjerash Luarasi. Rama reagon pas sjelljes së protestuesve ndaj deputetes Iris Luarasi: E neveritshme

