Lajme Zone
Nuk është më president, por Vuçiç synon të diktojë ende ritmin politik
PolitikëPamfleti

Nuk është më president, por Vuçiç synon të diktojë ende ritmin politik

Ana Brnabiç, kryetare në largim e parlamentit serb dhe ushtruese e përkohshme e detyrës së kreut të shtetit, njoftoi të dielën se seanca konstituive e Kuvendit të sapozgjedhur do të mbahet më 17 nëntor, në orën 10:00.

Ana Brnabiç dhe Aleksandar Vuçiç / Ish-presidenti serb përpiqet të kontrollojë kalimin e pushtetit dhe t’ua vështirësojë qeverisjen fituesve të zgjedhjeve. Ai u jep vetëm 10 ditë kohë për formimin e qeverisë, ndonëse gjatë pushtetit të tij procesi ka zgjatur deri në gjashtë muaj. Ndërkohë, 49 faljet presidenciale të dhëna në ditën e dorëheqjes, ngrenë pikëpyetje serioze për një tranzicion të qetë të pushtetit... Aleksandar Vuçiç i ka humbur zgjedhjet parlamentare dhe është larguar tashmë nga posti i presidentit. Por kjo nuk e ka penguar të përpiqet të diktojë ende axhendën politike të Serbisë. Ana Brnabiç ka thirrur seancën konstituive të parlamentit të ri për 17 nëntor, duke i lënë pasuesit të saj vetëm dhjetë ditë kohë për të shpallur zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë, Vuçiç po kërkon përshpejtimin e formimit të qeverisë së re, ndërsa ka nisur paraprakisht të rendisë arsyet se përse ajo sipas tij, nuk do të funksionojë.

Ana Brnabiç, kryetare në largim e parlamentit serb dhe ushtruese e përkohshme e detyrës së kreut të shtetit, njoftoi të dielën se seanca konstituive e Kuvendit të sapozgjedhur do të mbahet më 17 nëntor, në orën 10:00.

Rendi i ditës përmban 6 pika, ndër të cilat verifikimi i mandateve të deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të rinj të parlamentit. Deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, seancën do ta kryesojë deputeti më i moshuar, profesori Stojan Radenoviç, i cili ka hyrë në parlament si përfaqësues i Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Në parlamentin me 250 vende, Lista e Studentëve ka siguruar 140 mandate, blloku politik i Vuçiçit ka 103, ndërsa shtatë vendet e mbetura janë ndarë mes listave të pakicave. Pra, shumica e re parlamentare duket e garantuar, të paktën në këtë fazë, megjithëse zhvillimet e ardhshme mund ta ndryshojnë përbërjen e saj politike.

Pas dorëheqjes së Vuçiç më 27 shtator, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen brenda datës 27 dhjetor. Sipas ligjit zgjedhor serb, nga shpallja e zgjedhjeve deri në zhvillimin e votimit duhet të kalojnë të paktën 30 ditë.

Kjo do të thotë se zgjedhjet presidenciale duhet të shpallen jo më vonë se 27 nëntori. Nëse kryetari i ri i parlamentit zgjidhet më 17 nëntor, atij do t’i mbeten vetëm dhjetë ditë për të përmbushur këtë detyrim.

Brnabiç mund t’i shpallte vetë zgjedhjet presidenciale, por në fund të tetorit deklaroi se preferonte t’ia linte këtë vendim pasuesit të saj. Duke caktuar seancën konstituive më 17 nëntor, ajo po i lë drejtimit të ri parlamentar një afat mjaft të ngushtë.

Nuk është e qartë nëse kjo është pjesë e një strategjie të vetëdijshme politike, por veprimet e deritanishme të përfaqësuesve të SNS-së dhe të Brnabiç, japin arsye të mjaftueshme për dyshime.

Vuçiç kërkon qeveri brenda 10 ditësh

Vuçiç pretendon se qeveria e re mund të formohet brenda 10 ditësh. Të shtunën, ish-kreu i shtetit u përpoq t’u diktonte ritmin fituesve të zgjedhjeve, gjatë një takimi në Beograd me përfaqësues të degëve të Partisë Përparimtare Serbe në qytete dhe bashki të ndryshme.

Sipas NIN, Vuçiç deklaroi se seanca konstituive e parlamentit do të mbahej brenda pak ditësh dhe se fituesit mund ta formonin qeverinë e re brenda vetëm 10 ditësh. Për ta thënë më drejtpërdrejt, Vuçiç po përpiqet sërish të diktojë ritmin e procesit, ndonëse vetë partia e tij ka treguar se nuk ka pasur asnjë nxitim për formimin e qeverive.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat historike. Në sistemin e pushtetit që mban emrin e Vuçiç, procesi i formimit të qeverisë ka kërkuar kohë të konsiderueshme. Për shembull, në vitin 2022 kaluan më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhjet deri në formimin e qeverisë, ndërsa në vitin 2024 u deshën gati 4 muaj e gjysmë.

Natyrisht, afati 10-ditor nuk është një detyrim kushtetues, por një pritshmëri politike e shpallur nga Vuçiç. Në fakt, pas konstituimit të parlamentit, Kushtetuta parashikon një afat prej 90 ditësh për zgjedhjen e qeverisë së re.

Megjithatë, ish-presidenti ka nisur që tani të vërë në dyshim premtimet elektorale të lëvizjes studentore. Një prej tyre është propozimi për një javë pune 4-ditore, me 7 orë në ditë.

Vuçiç ka pretenduar se zbatimi i një mase të tillë do të çonte në largimin e fabrikave nga Serbia.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe vetë mundësinë e funksionimit të një qeverie, të mbështetur në modelin e vendimmarrjes kolektive të lëvizjes studentore. Sipas tij, është e paimagjinueshme që një qeveri të mund të funksionojë, nëse përpara se të marrë vendime, duhet t’i drejtohet asamblesë plenare për miratim.

Synimi politik i këtyre kritikave është i qartë. Ai po përpiqet t’i paraqesë fituesit e zgjedhjeve si të paaftë për të qeverisur, përpara se ata të kenë marrë zyrtarisht detyrën.

Edhe humbja bëhet faji i kundërshtarëve

Një ton më emocional Vuçiç mbajti të premten, gjatë një aktiviteti në Sremska. Ai pranoi se e kishte pasur të vështirë ta pranonte humbjen e zgjedhjeve të 25 tetorit, dhe se ishte përlotur kur kishte parë anëtarët e partisë që e prisnin.

Duke folur për rezultatin zgjedhor, ai tha se kur mendonte për gjithçka që ishte ndërtuar gjatë qeverisjes së tij dhe për rritjen e pagave e pensioneve, i lindte ndjesia se ndoshta ishte bërë një padrejtësi, por se Zoti kishte zgjedhur këtë rrugë.

Ish-presidenti kritikoi gjithashtu procedurat gjyqësore ndaj anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe, duke pretenduar se forcat e reja politike po përdornin atë që ai e quajti “terror institucional”.

Veçanërisht domethënëse ishte deklarata e tij se 100 ditët e para të qeverisë së re duhet të llogariten që nga 25 tetori, pra që nga mbrëmja e zgjedhjeve. Ky është një standard i pazakontë, të cilin Vuçiç nuk e kishte zbatuar për qeveritë e formuara gjatë pushtetit të tij.

Po të përdorej i njëjti kriter për kabinetet e mëparshme, vetëm dy prej tyre do ta kishin kaluar këtë provë, pasi të tjerat nuk ishin formuar brenda një afati kaq të shkurtër. Një qasje e tillë, do ta bënte shumicën e re përgjegjëse për një periudhë kur parlamenti ende nuk ishte konstituuar dhe përfaqësuesit e qeverisë së mëparshme vazhdonin të kishin rol të rëndësishëm në drejtimin e institucioneve shtetërore.

Nën hijen e 49 faljeve presidenciale

Ndërkohë, Lista e Studentëve ka rikthyer në vëmendje një nga vendimet e fundit të Vuçiç në krye të shtetit. Përmes një kërkese drejtuar institucioneve, fituesit e zgjedhjeve kërkojnë të sqarojnë kriteret mbi bazën e të cilave ish-presidenti u dha falje 49 personave më 27 shtator, pikërisht në ditën kur dha dorëheqjen.

Nga 49 faljet e dhëna, 23 kishin të bënin me persona të përfshirë në protesta dhe bllokime rrugësh. Por 26 rastet e tjera përfshinin edhe procedime penale për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

Në listë figuron për shembull edhe ish-sekretarja e shtetit në Ministrinë e Brendshme, Dijana Hrkaloviç, e përshkruar si një figurë e lidhur me botën e mafies dhe shërbimet sekrete. Aty përfshihen edhe 15 ish-anëtarë të njësisë së ndërhyrjes së shpejtë të qytetit të Nishit, të cilët po gjykoheshin për shkaktimin e një dëmi prej rreth 843 milionë dinarësh në buxhetin bashkiak.

Falje kanë përfituar edhe persona të akuzuar për sulme të dhunshme ndaj studentëve. Mes tyre është Marko Pavlloviç, i cili në janar të vitit 2025 përplasi për vdekje me automjetin e tij studentën Sonja Ponjaviç në Beograd, ndërsa ajo po merrte pjesë në një aktivitet përkujtimor në nder të viktimave të tragjedisë së Novi Sadit.

Pavlloviç po gjykohej për tentativë vrasjeje dhe vendimi për çështjen e tij pritej të shpallej më 6 nëntor. Por falja e dhënë nga Vuçiçi ndryshoi rrjedhën e procesit. Gjykata e rihapi çështjen, ndërsa avokati i familjes së Sonja Ponjaviçit paraqiti një ankim kushtetues, duke kundërshtuar vendimin presidencial.

Për këtë arsye, Lista e Studentëve kërkon të mësojë se kush i ka iniciuar procedurat e faljes, çfarë mendimi kanë dhënë autoritetet përkatëse dhe nëse në secilin rast janë respektuar kërkesat ligjore.

Përtej aspektit juridik, këto vendime ngrenë pikëpyetje të rënda edhe në planin moral dhe etik. Fakti që një president në largim ka ushtruar kompetencën e faljes në ditën e dorëheqjes, duke përfshirë në listë edhe persona të akuzuar për vepra të rënda penale, e bën edhe më të diskutueshëm procesin e transferimit të pushtetit në Serbi./Pamfleti nga “Balkan Magazine”vuçiç ritmi politik serbia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Joe Biden flet për betejën me kancerin: Sëmundja po më ngadalëson! 9 Nëntor 2026, 08:5108:51Rajoni dhe Bota Shefi i Nvidia-s në kurthin e spiunazhit kinez? Trump “thyen heshtjen” për skandalin 9 Nëntor 2026, 08:3808:38Rajoni dhe Bota Misteri i valixhes në Athinë, trupi i pajetë i përket një gruaje; çfarë zbuloi ekspertiza 9 Nëntor 2026, 08:3008:30Rajoni dhe Bota U plagos nga policia, ndërron jetë autori i masakrës me 6 viktima në Poloni 9 Nëntor 2026, 08:1208:12Rajoni dhe Bota Trump përgatitet për largim pas humbjes së republikanëve: MAGA do të mbijetojë edhe pa mua 9 Nëntor 2026, 08:0808:08Rajoni dhe Bota Nga lidhja jashtëmartesore te dyshimet për spiunazh kinez, çfarë fshihet pas skandalit të shefit të Nvidia-s? 9 Nëntor 2026, 07:4007:40Rajoni dhe Bota