Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Nuk është krim të protestosh”/ Ish-prokurori Karanxha kundër nismës së Ramës: Ka pasur arrestime të paligjshme! Dhuna ka qenë joproporcionale


Ish-prokurori Ervin Karanxha ka ngritur shqetësime për dhunën e ushtruar nga efektivët e policisë gjatë protestave studentore, ndërsa ka paralajmëruar se paketa e re ligjore e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama nuk duhet të cenojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka ngritur shqetësime për dhunën e ushtruar nga efektivët e policisë gjatë protestave studentore, ndërsa ka paralajmëruar se paketa e re ligjore e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama nuk duhet të cenojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Karanxha deklaroi se në prokurori janë regjistruar disa kallëzime për dëmtimet e protestuesve nga policia, ndërsa theksoi se pamjet filmike dhe dokumentacioni mjekësor mund të shërbejnë si prova për nisjen e procedimeve penale ndaj efektivëve përgjegjës. Sipas tij, përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë gjithmonë proporcional dhe çdo tejkalim i kompetencave duhet të hetohet. “Prokuroria ka regjistruar disa kallëzime për dëmtimet e protestuesve nga policia. Në varësi të kartelës klinike të secilit shihet shkalla e dëmtimeve, por edhe pamjet filmike mund të shërbejnë për nisjen e procedimit. Ligji thotë se dhuna duhet të jetë proporcionale”, u shpreh Karanxha. Ai denoncoi rastet kur qytetarët, edhe pasi janë shoqëruar dhe janë vënë nën kontroll nga policia, vijojnë të goditen nga efektivët.

“Kur shoqërohet një person, rri i lidhur dhe efektivët e godasin. Këto janë të papranueshme dhe quhen kapërcim i kompetencave. Si rregull, nis procedimi penal dhe verifikohet cili punonjës policie ka kryer këto veprime”, deklaroi ish-prokurori.

Karanxha theksoi se, megjithëse ka punonjës policie që e kryejnë detyrën me përgjegjësi, gjatë protestave janë evidentuar edhe raste arrestimesh të paligjshme.

“Dalin edhe shumë arrestime të paligjshme. Janë arrestuar persona që nuk kanë kryer asnjë veprim. Nuk është krim të protestosh apo të shohësh një protestë. Duhet të provosh që ka shkelje. Duhen parë raportet e shoqërimit për çdo person”, tha ai.

Duke komentuar paketën e re ligjore të paralajmëruar nga Rama kundër asaj që kryeministri e ka cilësuar si dhunë dhe anarki urbane, Karanxha theksoi se çdo ndërhyrje në legjislacion duhet të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ai iu referua dy vendimeve të viteve 2012 dhe 2021, të cilat, sipas tij, përcaktojnë standarde të rëndësishme për ushtrimin e së drejtës së tubimit dhe që lidhen edhe me të drejtën ndërkombëtare.

“Duhet të bëhet oponencë me dy vendime që janë praktikë e Gjykatës Kushtetuese dhe që i referohen edhe së drejtës ndërkombëtare. Kur është bërë interpretimi i një norme kushtetuese, nuk mund të ketë ndryshim praktike. Krijohet një imazh negativ i vendit nëse ndërhyhet në këto të drejta”, paralajmëroi ai.

Ish-prokurori nënvizoi se tubimet janë një element thelbësor i një shoqërie demokratike dhe se organizimi i tyre nuk kërkon marrjen e lejes nga policia, por vetëm njoftimin e autoriteteve sipas ligjit.

“Duke qenë se e drejta e tubimit është e garantuar, demokracia është e shëndetshme kur i ka protestat. Mjafton që të ketë një njoftim në polici. Nuk ka leje, ka njoftim. Do të bëhet tubim në këtë vend. Cenimi i kësaj është shkelje e të drejtave të njeriut”, deklaroi Karanxha.

Në përfundim, ai theksoi se çdo ndryshim ligjor që qeveria synon të ndërmarrë duhet të jetë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe të mos kufizojë në mënyrë të paligjshme lirinë e tubimit dhe të shprehjes së qytetarëve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb