Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste për Tiranën, ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga kjo parti.
Duke ju referuar Ndrecës, Rama tha se është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo parti.
Ai theksoi se nuk do të tolerohet askush që flet kundër popullit apo kësaj partie. Sipas tij në PS nuk do të ketë vend askush që sillet si “e ëma e Zeqos në majë të thanës”. “Si mund të largohet nga puna një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera dhe të tjerë drejtues dhe punonjës në Tiranë pse nuk u bëjnë ‘like’ dhe ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit firmos si drejtues politik i bashkisë, kur është vetëm një nga dy të përjashtuar e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet asnjë që flet kundër popullit dhe kësaj familje. Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

