Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në mënyrën e kryerjes së kontrolleve dhe inspektimeve ndaj bizneseve. Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Rama deklaroi se nuk do të ketë më kontrolle rutinë pa paralajmërim, ndërsa theksoi se qëllimi i inspektimeve duhet të jetë ndihma ndaj bizneseve për të respektuar ligjin dhe standardet, dhe jo kapja e tyre në shkelje. Sipas Ramës, inspektori nuk duhet të paraqitet në biznes si një “skenë krimi”, por si përfaqësues i shtetit që njofton, mbikëqyr dhe ndihmon subjektin të korrigjojë problematikat. “Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit me një skenë krimi, por si shteti që njofton, që mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjosh. Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët”, u shpreh Rama. Rama njoftoi edhe një tjetër ndryshim në mënyrën e ushtrimit të kontrolleve. Sipas tij, së shpejti çdo inspektor që do të kryejë një kontroll në emër të shtetit do të jetë i pajisur me kamerë inteligjente trupore dhe uniformë. “Që ta dish kush është, kë përfaqëson dhe ai vetë ta dijë se është i mbikëqyrur nga Inspektori i Përgjithshëm”, u shpreh Rama.

