Aston Villa ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj ish-futbollistit dhe analistit televiziv Jamie Carragher, pas komenteve të tij për klubin dhe mbështetësit e tij. Vendimi u bë publik nga bashkëpronari dhe presidenti i klubit anglez, Nassef Sawiris, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale të Aston Villa-s, mbrëmjen e së premtes.
Shkak për këtë reagim janë bërë komentet e Carragher në emisionin “Stick to Football”, ku ai diskutoi mundësinë që trajneri Unai Emery të largohet nga Aston Villa për të marrë drejtimin e Manchester United.
Gjatë diskutimit, ish-mbrojtësi anglez argumentoi se Manchester United është një klub i një niveli më të lartë dhe se Emery mund të thej nga mundësia për të drejtuar një skuadër me histori dhe ambicie më të mëdha. Ai shkoi më tej, duke iu drejtuar tifozëve të Aston Villa-s me një shprehje fyese dhe duke deklaruar se klubi i tyre “nuk do të jetë kurrë Manchester United”.
Këto deklarata kanë shkaktuar pakënaqësi në radhët e drejtuesve të klubit nga Birminghami. Sawiris konfirmoi se Aston Villa nuk do ta lërë çështjen me kaq.
“Aston Villa do të nisë procedura ligjore ndaj Jamie Carragher për fyerjet e tij të papranueshme ndaj klubit dhe tifozëve tanë. Aston Villa nuk do të lejojë askënd të pengojë ngjitjen tonë në futbollin anglez dhe atë evropian”, thuhet në deklaratën e presidentit të klubit.
Carragher kishte folur edhe për sukseset e Emery-t, duke vlerësuar punën e trajnerit spanjoll, i cili ka arritur rezultate të rëndësishme në kompeticionet evropiane. Sipas tij, një trajner me arritje të tilla mund të kërkojë një sfidë të re në një klub si Manchester United.
Megjithatë, Emery ka shprehur së fundmi kënaqësinë për qëndrimin te Aston Villa, ku ka ndërtuar një projekt sportiv dhe ka marrë kompetenca të gjera në drejtimin e skuadrës. Trajneri spanjoll ka deklaruar gjithashtu se synimi i tij është ta kualifikojë klubin në Champions League në çdo sezon.
Ndërkohë, Manchester United po kalon një periudhë presioni për shkak të rezultateve dhe situatës së trajnerit Michael Carrick, çka ka nxitur diskutimet për emra të mundshëm që mund të marrin drejtimin e skuadrës në të ardhmen. Top Channel

