Alexander Alden dhe Milorad Dodik / Kandidati për ambasador në Azerbajxhan, dyshohet se ka ndikuar në afrimin e Uashingtonit me Milorad Dodikun dhe Republikën Srpska. Një investigim i medias amerikane Semafor zbulon ndërhyrjet e tij në politikën ndaj Bosnjës, presionin ndaj përfaqësuesve evropianë dhe shqetësimet për dobësimin e rendit të diktuar nga Marrëveshja e Dejtonit. Administrata e Donald Trumpit po përballet me pikëpyetje të reja për politikën e saj në Ballkan. Alexander Alden, kandidati i presidentit amerikan për ambasador në Azerbajxhan dhe aktualisht këshilltar i lartë i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dyshohet se ka luajtur një rol kyç në afrimin e Uashingtonit me qeverinë pro-ruse të Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
Sipas më shumë se gjashtë personave të njohur me përfshirjen e tij, të cilët kanë folur për median amerikane Semafor, Alden ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrjen e administratës Trump për çështjen e Milorad Dodik.
Kandidatura e tij pritej të shqyrtohej në Senat që këtë të martë, por emri i tij nuk u përfshi në seancën e radhës. Nëse do të paraqitet për miratim, Alden pritet të përballet me pyetje të vështira për ndërhyrjet e tij në favor të Republikës Srpska, entitetit me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë, i cili prej vitesh mban lidhje të ngushta me Moskën.
Partia në pushtet në Republikën Srpska drejtohet nga Milorad Dodiku, i cili deri vitin e kaluar ishte nën sanksionet amerikane për minimin e paqes dhe të rendit kushtetues në Bosnjë.
Trumpi i hoqi këto masa, megjithëse Dodik ka vazhduar të kërkojë shkëputjen e entitetit nga shteti boshnjak. Ligjvënës nga të dyja partitë në Kongresin amerikan, kanë kërkuar rikthimin e sanksioneve.
Brenda Departamentit të Shtetit, Alden shihet nga disa zyrtarë si një mbështetës i vendosur i Dodik. Një prej burimeve të Semafor e ka përshkruar atë si “serbin në Departamentin e Shtetit”, duke pretenduar se argumentet që përdor për politikën ndaj Bosnjës përputhen me ato të udhëheqësit të Republikës Srpska.
Një burim tjetër, e cilësoi si njeriun kryesor pas politikës amerikane ndaj Dodikut, ndërsa një i tretë paralajmëroi se vendimet ku ai ka pasur ndikim mund ta shtyjnë entitetin drejt një përpjekjeje të re për shkëputje.
Dyshimet bëhen edhe më të ndjeshme për shkak të detyrës që Alden pritet të marrë në Azerbajxhan, vend që mban marrëdhënie të mira me Serbinë dhe me Dodikun. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara synojnë të kufizojnë ndikimin rus në rajon, një objektiv që mund të bëhet më i vështirë për t'u realizuar nëse Alden konfirmohet në këtë detyrë.
Jim O’Brien, i cili gjatë administratës Biden shërbeu si ndihmëssekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, tha për Semafor se nëse akuzat janë të vërteta, ato dëshmojnë gjykim jashtëzakonisht të dobët dhe përbëjnë arsye serioze shqetësimi për këdo që emërohet ambasador.
Sipas pesë personave të intervistuar, Alden ndërhyri në mënyrë agresive edhe gjatë negociatave për emërimin e përfaqësuesit të ri të lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë. Në qershor, gjatë një takimi të Këshillit për Zbatimin e Paqes, ai dyshohet se u bëri presion përfaqësuesve evropianë që të pranonin kandidatin e propozuar nga Uashingtoni.
Bëhej fjalë për diplomatin italian Antonio Zanardi Landi, të cilin, sipas dy burimeve të Semafor, Alden e kishte përzgjedhur personalisht. Përfaqësuesi i Lartë është një institucion ndërkombëtar i krijuar për të garantuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnjë tri dekada më parë.
Ish-përfaqësuesi Christian Schmidt u largua nga detyra duke përmendur presionin amerikan. Dodiku e kishte kundërshtuar vazhdimisht, duke e konsideruar atë pengesë për projektin e shkëputjes së Republikës Srpska.
Sipas burimeve të Semafor, Alden paralajmëroi se SHBA-ja mund të ndërpriste financimin e zyrës së Përfaqësuesit të Lartë nëse përfaqësuesit evropianë nuk pranonin Landin. Megjithatë, ata e refuzuan kandidaturën.
Në një raport të publikuar në shtator, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve shprehën shqetësimin se diplomati italian mund të vepronte në interes të Dodikut. Ndërkohë, Srdjan Blagovcanin, nga organizata Transparency International, e cilësoi këtë përplasje si një nga shenjat më të dukshme të divergjencës në rritje mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për Bosnjën.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te ekuilibrat politikë. Ngërçi për emërimin e Përfaqësuesit të Lartë rrezikon të pengojë edhe planet e mbështetura nga SHBA-ja për ndërtimin e një gazsjellësi që do të ndihmonte vendet e Ballkanit të ulnin varësinë nga gazi rus.
Dobësimi i institucionit që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit shihet, për këtë arsye, si një sinjal shqetësues për të ardhmen e stabilitetit në rajon. Ndërkohë, Republika Srpska ka shpenzuar më shumë se 11 milionë dollarë për lobim pranë administratës amerikane që nga viti 2025, sipas dokumenteve të dorëzuara në Departamentin e Drejtësisë. Kjo shumë është rreth katër herë më e lartë se shpenzimet e periudhës 2022-2024. Përpjekjet lobuese janë shoqëruar edhe me kontakte të drejtpërdrejta politike, përfshirë vizitën e Dodikut në rezidencën Mar-a-Lago të Trumpit javën e kaluar.
Senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtare e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, kërkoi që zyrtarët e përfshirë në deformimin e politikës amerikane ndaj Bosnjës dhe në pengimin e mbikëqyrjes së Kongresit të mbajnë përgjegjësi.
Ajo e cilësoi si thellësisht shqetësuese mungesën e shpjegimeve nga Departamenti i Shtetit për vendimet e fundit. Një episod tjetër që ngre pikëpyetje lidhet me masakrën e Srebrenicës. Sipas një prej burimeve të Semafor,
Departamenti i Shtetit e ka udhëzuar ambasadën amerikane në Bosnjë të mos e cilësojë masakrën e vitit 1995 si gjenocid, përveç rasteve kur i referohet drejtpërdrejt qendrës përkujtimore. Një udhëzim i tillë do të përbënte ndryshim të rëndësishëm të qëndrimit amerikan, pasi Uashingtoni e ka njohur prej kohësh masakrën si gjenocid.
Megjithatë, zëvendësndihmëssekretari Dan Lawton e cilësoi atë si të tillë gjatë një dëshmie në Dhomën e Përfaqësuesve. Administrata Trump i ka hedhur poshtë akuzat ndaj Aldenit. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e përshkroi atë si një zyrtar me përvojë në fushën e sigurisë kombëtare, i cili gëzon besimin e plotë të drejtuesve të institucionit.
Një zyrtar i lartë shtoi se politika amerikane në Ballkan drejtohet nga Marco Rubio, me mbështetjen e zëvendëssekretarit Christopher Landau dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Departamenti mohoi gjithashtu pretendimin se Alden kishte ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve në takimin për emërimin e Përfaqësuesit të Lartë.
Administrata Trump e paraqet qasjen e saj si një politikë që u jep përparësi zgjidhjeve vendore dhe realiteteve rajonale. Aleksandar Sasha Joviçiç, drejtues i organizatës “Serbët për Trump”, e përshkroi këtë qasje si një model partneriteti, në kundërshtim me atë që e quajti politikë amerikane të imponimit në të kaluarën.
Megjithatë, përplasja mes Uashingtonit dhe evropianëve për të ardhmen e Bosnjës mbetet e hapur. Kandidatura e Aldenit mund të shndërrohet në një provë të rëndësishme për Senatin amerikan: nëse politika e jashtme e SHBA-së në Ballkan do të udhëhiqet nga interesat strategjike të vendit apo do të ndikohet nga marrëdhëniet politike dhe lobimi i aktorëve që prej vitesh sfidojnë rendin e Dejtonit./Pamfleti nga “Semafor”alexander alden njeriu i trump ballkani interesat e rusisë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Cilët spiunë të Sigurimit mbron Edi Rama? 11 Nëntor 2026, 15:5315:53Politike “Qeveria po mban peng të ardhmen e shqiptarëve”, Tabaku përcjell kritikat nga Parlamenti Europian 11 Nëntor 2026, 15:2615:26Politike Veliaj kërkon komision hetimor për Ramën: Të hetohen kërcënimet ndaj meje, jam gati të dëshmoj nën betim! 11 Nëntor 2026, 15:2615:26Politike “Luftën kundër korrupsionit nuk e bën dot ai që korrupton”/ Zhupa përplaset me mazhorancën: Dëgjoni mesazhet e BE-së! 11 Nëntor 2026, 14:5514:55Politike "2.5 miliardë lekë për zgjedhjet vendore", Celibashi: Votimi elektronik në dorë të PS-së dhe PD-së 11 Nëntor 2026, 14:0314:03Politike Reforma Zgjedhore, Kaso i përgjigjet ultimatumit të Ballës: Nuk vijmë në Komision për makijazh 11 Nëntor 2026, 13:5613:56Politike

