Ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për përfitimin e një vile të dytë luksoze në resortin “Green Coast” në Palasë në këmbim të një tenderi në Unazën e Madhe të Tiranës. Përmes faturimeve fiktive dhe emrave të tretë, “Alko Impex” akuzohet se pagoi qindra mijëra euro për pishinë “infinity”, vaska hidromasazhi dhe pajisje të tjera luksi. Më 14 shtator të vitit 2020, në orën 18:49, në adresën elektronike të ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku mbërriti një email nga arkitekti Alban Efthimi. Në këtë komunikim, arkitekti i propozonte Ballukut zgjidhje estetike për një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë, duke theksuar se projekti ishte rishikuar me idenë që përdoruesit e vilës të ndjeheshin “të llastuar”. Projekt-ideja përfshinte një pishinë “infinity”, gjelbërim kacavjerrës, një tavolinë ngrënie në të njëjtin nivel me ujin dhe një pistë vrapimi pranë pishinës për seanca të gjata me pamje nga deti. Për të theksuar luksin e pakompromis, arkitekti sugjeronte vendosjen e dy vaskave hidromasazhi të frymëzuara nga hoteli i famshëm “Roccabella” në Santorini si dhe veshjen e tarracës dhe pishinës me dru “teak” për një ndjesi të ngrohtë të ngjashme me atë të një jahti. “Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos ta japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen ‘të llastuar’ njësoj si në hotel,” i shkruante ai Ballukut. “Shihe si alternativë kur të përfjmë edhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi te mermerët blu,” shtonte ai. Sipas hetimeve të SPAK, këto detaje ekskluzive luksi nuk ishin tekat e një blerësi çfarëdo, por kërkesat e drejtpërdrejta të ministres së atëhershme të Infrastrukturës, Belinda Balluku për një vilë në rivierën shqiptare që dyshohet se është përfituar përmes korrupsionit.
Sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për masën e sekuestros, shpenzimet për këto kërkesa të arkitekturës variojnë nga rreth 290 deri në 410 mijë euro dhe u paguan nga kompania “Alko Impex General Construction”, e cila po shpërblehej në të njëjtën kohë me një tender prej 2.2 miliardë lekësh [rreth 23.9 milionë euro] për Unazën e Madhe të Tiranës.
Prokuroria e Posaçme pretendon se vila në Palasë është produkt i korrupsionit dhe i pastrimit të parave.
Afera me vilën në Palasë, e dyta e sekuestruar pas një tjetre po në zonën e Dhërmiut, ka rënduar situatën penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera” të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, më shumë se një herë. Bashkë me të në këtë aferë akuzohet biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction” si dhe ish-futbollisti Igli Tare, pronari në letra i vilës, i cili akuzohet për pastrim parash.
Në total, numri i të akuzuarve individë dhe kompani në dosjen “Balluku” është 24, përfshirë një duzinë me vartës të saj dhe biznesmenë që akuzohen se paguan ryshfet pas përfitimeve të paligjshme të tenderave për infrastrukturën. Në çështjen “Balluku”, SPAK ka bërë bashkë pesë procedime të ndryshme penale.
Ish-zëvendëskryeministrja i ka mohuar akuzat, ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste i ofruan asaj mbrojtje në pranverë të këtij viti ndaj një kërkese për masë të SPAK.
Si u fsheh vila në Palasë
Balluku u mor e pandehur një vit më parë, fillimisht për abuzimet me tenderin për tunelin e Llogarasë, ndërsa më pas asaj iu shtuan akuzat për një sërë tenderash në infrastrukturë, përfshirë ato për Unazën e Madhe të Tiranës. Prokuroria dyshon se për manipulimin e Lotit 7 të Unazës, Balluku përfitoi punimet luksoze në vilën e Palasës, e cila ishte blerë nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.
Mekanizmi i detajuar për të mbajtur të fshehur këtë përfitim të dyshuar të korrupsionit u ndërtua përmes përdorimit të emrave të tretë dhe faturimeve fiktive. Zyrtarisht, “Vila familjare 2F nr.188/1” u porosit fillimisht nga Igli Tare me një kontratë sipërmarrjeje të datës 26 nëntor 2020, me çmim prej 250,000 eurosh, dhe u finalizua formalisht në emër të tij me një kontratë shitjeje më 12 shtator 2025.
Sidoqoftë, SPAK thotë se ka provuar se pagesat e Tares mbuluan vetëm vlerën e punimeve deri në fazën e karabinasë. Prokuroria lë të kuptohet se pagesa prej 250 mijë eurosh është një përfitim tjetër i fshehur i Ballukut, pasi kompania e Tares kishte marrë nga Këshillit Kombëtar të Territorit, ku Balluku bënte pjesë, një leje ndërtimi për një kullë pranë Zogut të Zi.
“Vendimi i mësipërm i Këshillit Kombëtar të Territorit, ndër të tjera, është nënshkruar edhe nga shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë (Ministër i linjës)”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës. Po aty shtohet se “Balluku ka në pronësi indirekte pasurinë e regjistruar në emër të personit nën hetim, Igli Tare, objektin ‘Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27’, në kompleksin ‘Green Coast’, Palasë”.
Sipas Prokurorisë, po ashtu është provuar se ishte Balluku ajo që ka kërkuar dhe marrë si përfitim vlerën e investimit për punimet e tjera të ndërtimit të vilës dhe pishinës së saj. Këto të fundit u morën përsipër nga Arbër Abazi, administrator i “Alko Impex”, për llogari të saj, ndërkohë që menaxhimi i punimeve në terren u krye nga partnerja e Abazit, Lorela Reçi, njëherazi lidhje familjare e Ballukut.
Reçi mori në dorëzim vilën dhe autorizoi hyrjen e kontraktorëve të rinj, por emrat e ndryshëm në kontrata e letërkëmbime, që sipas prokurorisë po përdoreshin për të fshehur pronësinë, futën në konfuzion punonjësit dhe drejtuesit e kompanisë Balfin dhe Mane TCI.
Fillimisht në 2022, një prej anëtarëve të stafit u shkroi kolegëve se dhënia e vilës 188 në dorëzim Reçit i dukej gabim. “Hi… Lorela Reçi ka 187/2, jo 188/1… Mos është lapsus?”, citohet nga prokuroria. Një vit më vonë, në një email të ri drejtuar stafit, një zyrtar i kompanisë shkruante i habitur se “njëra nga 188-at (vilat) i është dorëzuar një tjetër klienti të ndryshëm nga porositësi… Mbi ç’bazë dhe konfirmim?”.
Misteri duket se zgjidhet sipas prokurorisë në emailet dhe bisedat që pasuan dhe që kishin të bënin me punimet e brendshme të vilës. Dhjetëra emaile mes arkitektësh e inxhinierësh tregojnë se kësaj të fundit iu kushtua vëmendje e veçantë, madje në një rast lihet të kuptohet se muret u rrëzuan për së dyti për t’iu përshtatur kërkesave të klientit.
Balluku nuk përmendet në shumicën e emaileve që tregon kujdesin e personave të përfshirë, por pakujdesitë digjitale dhe kontabiliteti i furnitorëve të jashtëm zbuluan “sekretin”. Një tabelë e sekuestruar nga sistemi informatik i kompanisë që ndërtoi pishinën për vilën, e kishte regjistruar porosinë pa doreza me gërma kapitale: “PISHINA ARBER ABAZI (DHËRMI) + BELINDA” me një kosto prej 25,000 eurosh.
Zbulimi i dytë erdhi në komunikimet e vazhdueshme mes arkitektit Alban Efthimi, stafit të “Mane TCI” dhe Belinda Ballukut, përfshirë dy emaile që Efthimi i drejtoi direkt Ballukut dhe që duken thelbësore në dokumentimin e pasurisë së fshehur. Në dosje nuk thuhet nëse Balluku është përgjigjur. Por pavarësisht se ishte e qartë se nga vinin porositë, punimet e brendshme nuk iu faturuan as Ballukut dhe as Tares, por kompanisë “Alko Impex Construction”. Kjo e fundit në letra nuk kishte asnjë lidhje me vilën, por sipas preventivave të zbuluara në kompjuterët e studios “Atelier 4”, rezulton të ketë paguar mes 288,616 euro deri në 410,526 euro për punimet e luksit.
Manipulimi i tenderit
Hetimet e SPAK ndaj Belinda Ballukut tregojnë se pagesat për ndërtimin e vilës nga “Alko Impex Construction” nuk ishin falas.
Sipas vendimit të gjykatës, ato u përfituan si shpërblim për një nga procedurat e prokurimit të drejtuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, tenderin “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2.2 miliardë lekë. Sipas prokurorisë, ky tender dhe të tjerë u manipuluan nën udhëzimet e Ballukut për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, dhe vartësit e tij.
Në vendim vihet në dukje se procedura nisi në shkelje të plotë më 9 gusht 2021 nga zv.drejtori Gentian Gjyli pa marrë ende miratimin e Ministrisë, i cili erdhi një ditë më vonë. Afatet për kompanitë u kufizuan në kundërshtim me ligjin, ndërsa procesi kontrollohej nga celulari i Evis Berberit përmes aplikacionit “Signal”, ku ky merrte urdhrat nga Balluku dhe vinte në lëvizje vartësit.
SPAK citon disa biseda të kapura në celularin e Berberit në të cilat ky kërkon udhëzime nga Balluku për tenderat. Kështu, në 1 tetor në orën 10:50, Evis Berberi i shkruan ministres të pyesë nëse kishte ndryshime planesh. “Ok, po pres, po më duhen 3 orë kohë nëse ka ndryshime”, thotë ai. Dy minuta më vonë Balluku përgjigjet lakonike: “Asnjë ndryshim”.
Një javë më vonë, në datën 7 tetor 2021, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues bashkëpunimin mes kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k, me ofertë ekonomike 2.2 miliardë lekë. Pavarësisht vlerës së tenderit dhe rëndësisë së objektit, fituesi ishte në fakt garues i vetëm, pasi të gjitha kompanitë e tjera u përjashtuan më parë nga gara.
Prokuroria thotë se pavarësisht se u shpall fitues, bashkimi i operatorëve kishte një sërë problemesh dhe ndër të tjera dyshohet se kishte gënjyer për mjetet dhe stafin, duke i deklaruar ato si ekskluzive për projektin, ndërkohë që i kishte të angazhuar në punë të tjera. Prokuroria konstaton se ky ishte një falsifikim masiv kapacitetesh, pasi dy kompanitë fituese kishin deklaruar staf dhe mjete që ishin plotësisht të zëna në dhjetë kontrata të tjera paralele me ARRSH-në. Kompania “2T” ishte angazhuar në 4 kontrata të tjera me dhjetëra kamionë e inxhinierë, ndërsa “Alko Impex” kishte deklaruar staf teknik fiktiv që në fakt operonte në 6 kontrata të tjera të mirëmbajtjes së rrugëve./ BIRN © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

