Pardje ndoqa intervistën e ministres së shëndetësisë, Spahiu. Si rregull, nuk komentoj asnjë ministër gjatë 100 ditëve të para në detyrë, dhe ministrja aktuale është ende brenda këtij afati. Gjithsesi, paralajmërimin që i bëra në shtator kur mori detyrën, mund ta përsëris dhe t'i rikujtoj ministres shprehjen italiane "Njeriu i lajmëruar, gjysmë i shpëtuar!"
Paraardhësja e saj në detyrë, ministrja Sala, u largua kur refuzoi të firmoste projektin e një shoqërie aksionere që do të blinte barnat, materialet mjekësore dhe, sipas disa burimeve, edhe aparaturat për spitalet publike. Në media u përfol se ministrja Sala preferoi largimin nga detyra përballë rrezikut për t'u përfshirë në një çështje që mund t'i hapte dyert e SPAK-ut dhe më tej.
Në daljen e pardjeshme, ministrja Spahiu konfirmoi se ky projekt famëkeq jo vetëm që nuk është arkivuar, por përkundrazi. Me sa duket, ai do të nisë të zbatohet me pretekstin se "shteti do të bëhet garant për të mos munguar medikamentet". Në gusht u raportua se projektligji në fjalë i lejon kësaj SHA-je të krijojë ortakëri dhe të marrë kapital nga vetë kompanitë që shesin barna dhe pajisje mjekësore.
Pra, ata që shesin barnat do të bëhen ortakë të atij që i blen. Shitësi do të ulet në të dy anët e tavolinës dhe do të vendosë vetë çmimin që do t'i paguajë vetes. Tenderi i hapur, ku kompanitë konkurrojnë për çmimin më të ulët, zëvendësohet me një monopol të ligjëruar.
Si do të përzgjidhen këta ortakë privatë?
Mos vallë me bekimin e Boratit, njësoj si në KAYO, ku shqiptarët ende nuk e dinë se kush janë ortakët, sa fitojnë dhe çfarë blejnë e shesin?!
Një SHA e konceptuar kësisoj del jashtë kontrollit të ligjit për prokurimin publik, madje dyshimet janë se pikërisht kjo është arsyeja se përse krijohet.
Zonja ministre!
Mungesat e barnave nuk kanë ardhur dhe nuk vijnë nga mungesa e një ndërmjetësi, por nga buxheti qesharak që Borati i jep shëndetësisë. Nga hajdutëritë! Nga fakti se nën qeverisjen e Boratit ju dhanë 500 milionë euro katër koncesioneve mashtruese!
Kjo SHA nuk do t'i zgjidhë mungesat, thjesht do t'i shndërrojë ato në biznes! Çdo fitim i ortakëve privatë në këtë zinxhir do të jetë kosto e shtuar për të sëmurin. Dhe mos harroni se shqiptarët paguajnë nga xhepi pjesën më të madhe dhe më të rëndë të kostove shëndetësore, në vendin që shpenzon për shëndetësinë publike 11 herë më pak se mesatarja e BE-së, ndërsa qytetari paguan 60% të kostove të shërbimit shëndetësor.
Zonja Spahiu, ministrja Sala tha jo.
Ju ende keni kohë të thoni jo.
Për të mirën tuaj.../ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

