Në Republikën e ilaçeve në letër dhe të arkivoleve me para cash, ku shëndetësia falas ekziston vetëm në fjalimet pompoze të kryebashkiakut dhe në bilancet e klanit Veliaj, oligarku i oborrit Nadir Çausholli na fton sërish në shfaqjen e tij të radhës, teksa pronari i CFO Pharma ky titan i tenderave që ka ngritur perandorinë e tij mbi shpinën e pensionistëve që presin në radhë për një kokërr aspirinë nuk del në skenë për ndonjë "akt bamirësie", por për një tjetër kryevepër burokratike ku një raport i brendshëm i FSDKSH-së zbulon se si miliona euro të taksapaguesve janë avulluar nëpërmjet rimbursimeve fiktive.
Sipas këtij raporti që po trondit zyrat e rilindura të shtetit, skema nuk ishte thjesht një gabim matematikor, por një mekanizëm i mirëvajtur sa një orë zvicerane ku zinxhiri funksiononte me tre hallka të qarta, duke nisur te depot farmaceutike ku faturat fryheshin më shpejt se llogaritë bankare të oligarkëve, për të vijuar te farmacitë ku barnat shiteshin vetëm në vargjet e raporteve zyrtare, dhe për t'u mbyllur te mjekët e familjes, penat e të cilëve përdoreshin për të firmosur fatura për pacientë që ose nuk ekzistonin, ose kishin kohë që kishin ndërruar jetë.
Për hir të së vërtetës, dosja nuk është e panjohur për publikun e lodhur nga drejtësia e vonesave, pasi në nëntor të vitit 2025 Gjykata e Tiranës u kujtua të caktonte masa sigurie duke vënë në shënjestër administratorin e CFO Pharma, Frigull Milla, ish-drejtorin e FSDKSH-së, Spartak Zeka, dhe disa sekserë të tjerë në terren, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave për një dëm paraprak prej rreth 700 mijë eurosh, duke dëshmuar kështu simbiozën e errët mes klientelës farmaceutike dhe pushtetit që i mbron.
Në vazhdën e kësaj saga ku faturat udhëtojnë më shpejt se ilaçet, kontrolli administrativ i dorëzuar në janar 2026 te drejtori i përgjithshëm i FSDKSH-së, Arti Papajani, dëshmon se oreksi i skemës nuk ngopjej vetëm me medikamentet “Foster” dhe “Trimbow”, pasi i njëjti mekanizëm kriminal dyshohet se është përdorur edhe për të paktën gjashtë barna të tjera, duke e katërfishuar dëmin financiar në mbi 2.3 milionë euro.
Gërmimi i ekspertëve nxjerr në dritë një shtrirje monstruoze prej të paktën 400 farmacish anembanë Shqipërisë, me kryeqendrën e abuzimit të përqendruar në Tiranë, ku shkëlqenin emrat e farmacive “Medigreen” dhe “Bioplus” që, sipas raportit, tërhiqnin fijet në hije nën drejtimin e Gazmend Aliaj, një klient i vjetër i drejtësisë tashmë i arrestuar për mashtrime të ngjashme me kurat e qytetarëve.
Për ta mbyllur këtë cikël zhvatjeje, kontrolli administrativ zbriti te hallka më jetike dhe më e dhimbshme e sistemit, te mjekët e familjes, ku lupë e ekspertëve të Fondit u fokusua te medikamenti jetik Entrestopër të sëmurët kardiakë, një zgjedhje kjo jo e rastësishme që dëshmon itinerarin e përsëritur ku ilaçi niste rrugëtimin nga depot e CFO Pharma, kalonte te farmacitë fantazmë dhe finalizohej në receta me elemente të pastra fiktiviteti.
Në shtrirjen kirurgjikale të këtij kontrolli që preku 11 mjekë familjeje dhe kardiologë në Qendrat Shëndetësore nr. 1 dhe nr. 2 në Tiranë, ajo që zbuluan inspektorët nuk ishte thjesht një lapsus burokratik apo gabim administrativ, por një kartelë e plotë abuzimi ku mjekët herë shmangnin sistemin e referimit për pacientët që merrnin Entresto dhe herë të tjera ndryshonin vetë formë-dozën, sasinë apo edhe vetë principin aktiv të barit të rekomanduar nga specialisti, duke kryer jo thjesht shkelje formale, por akte të rënda profesionale që vënë në rrezik jetën e të sëmurëve dhe gërryejnë përfundimisht besimin te sistemi shëndetësor publik.
Skena rrëzohet poshtë çdo alibie njerëzore në faqet e raportit, ku dëshmitë e pacientëve përplasen dhunshëm me llogaritë e korrupsionit, si në rastin konkret ku një i sëmurë deklaron hapur se prej muajsh nuk ka marrë asnjë kokërr Entresto, ndërkohë që në sistemin digjital të rilindur trajtimi i tij vijonte me sukses të plotë fiktiv, apo në rastet e tjera ku qytetarëve u figuronin tërheqje barnash me doza që nuk përkonin fare me rekomandimet e mjekëve specialistë, pasi vetë mjekët e familjes kishin ndërhyrë për të manipuluar sasinë dhe substancën në shërbim të skemës.
Në zbardhjen e mëtejshme të dokumentit, ku vetë raporti nxjerr në pah rastet konkrete të shkeljeve, siç ishte ai i mjekut të familjes me inicialet I.J. që shmangte haptazi sistemin e referimit për recetat me rimbursim të Entresto-s dhe zëvendësonte arbitrarisht formë-dozën, principin aktiv apo sasinë e barit të caktuar nga specialisti praktikë që FSDKSH e vulos si goditje fatale ndaj sigurisë së pacientit dhe portofolit të shtetit , kontrollorët u përplasën me një tjetër mur zhdukjeje provash, ku nga 49 dosje të përzgjedhura për verifikim, në 40 prej tyre ishte e pamundur të kryhej një kontroll i plotë për shkak të fshirjes apo mungesës së dokumentacionit, ku plot 33 raste i përkisnin të njëjtit mjek familjeje dhe 7 të tjerë shpërndaheshin mes mjekëve të tjerë përmes justifikimesh burokratike të pasqyruara në procesverbal, duke e detyruar grupin e kontrollit të zgjerojë rrethin e hetimit te dy kardiologë me kontratë pranë Qendrës Shëndetësore nr. 2 dhe madje deri në zyrat e një kardiologu të ndjerë që dikur kishte pasur kontratë me Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 1 në kryeqytet.
Në këtë spirale misteresh ku gjurmët humbasin deri në zyrat e të vdekurve, kontrollorët u përplasën me një tjetër ngërç ku në ish-zyrën e kardiologut të ndjerë, i cili kishte pasur kontratë me Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 1 të rajonit të Tiranës, nuk u gjet asnjë kartelë apo dokument i vetëm që të provonte se si pacientët kishin nisur trajtimin jetik me Entresto, duke lënë pas një mal me pikëpyetje të pazgjidhura mbi mënyrën e ndjekjes së pacientëve, teksa dosja merr një kthesë edhe më surreale më 25 nëntor 2025 në orën 13:55, kur ndërsa grupi i kontrollit i FSDKSH-së po verifikonte kartelat e pacientëve në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në Tiranë, në zyrë u paraqitën dy persona që u prezantuan si oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës për të njoftuar se çështja për të cilën po kryhej verifikimi ishte tashmë pjesë e një hetimi penal, ndonëse raporti nuk shpjegon se kush i njoftoi oficerët, kush kërkoi ndërhyrjen e tyre dhe as cili ishte rezultati i këtij komunikimi, duke mbetur kështu një nga episodet më të pazakonta të përshkruara në dokument.
Pavarësisht këtij episodi hije-prerës që ngre dyshime të forta, grupi i kontrollit arriti të mbyllë raportin paraprak duke evidentuar një sërë parregullsish që mbështesin dyshimet për një skemë të organizuar abuzimi, dhe tashmë topi ndodhet në fushën e Prokurorisë ku raporti administrativ ka ekspozuar gjetjet ndërsa hetimi penal pritet të përcaktojë nëse këto dyshime do të çojnë në përgjegjësi penale, sepse kur në një dosje përmenden 2.3 milionë euro dëm i dyshuar, 400 farmaci, 11 mjekë, administratori i CFO Pharma, Frigull Milla, ish-drejtor i FSDKSH-së Spartak Zeka, farmacitë “Medigreen” dhe “Bioplus”që menaxhoheshin në hije nga Gazmend Aliaj, si dhe biznesmeni Nadir Çausholli, përgjigjet nuk mund të mbeten vetëm në një raport administrativ, por hetimi penal do të duhet të sqarojë nëse gjetjet e kontrollit mbështeten nga prova të mjaftueshme dhe kush, nëse ka, mban përgjegjësi sipas ligjit.

