Ish-kryeministri dhe lideri i PD-së, Sali Berisha, në një dalje të tij në rrjetet sociale ku është pyetur nga komentuesit, midis të tjerave ka diskutuar edhe çështjen e provave të SKYECC-së.
Berisha ka thënë se prokurorët nuk flasin se provat u zhvlerësohen me ligj dhe se nuk ka një vendim gjykate për këto përgjime. “SKAP-istët nuk flasin, por ata duhet ta dinë që kanë një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhe heshtja e tyre është heshtje turpi.
Nuk flasin për faktin se provat u zhvlerësohen me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Të gjitha mesazhet e Edi Ramës dërguar Lubi Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të tjerë me radhë, meqenëse janë marrë pa vendim gjykate, nuk kanë vlerë.
Unë isha në Strasburg dhe e shtrova këtë problem. Pse? Sepse regjistrimi i bandave kriminale nga servera të fshehtë, të cilët ata mendonin se nuk i di njeri, nxori në pah se krimi i Shqipërisë së vogël ishte një ajsberg i madh, ishte një gjigant. Se gjuha jonë shqipe, ishte gjuha e dytë e përdorimit të bandave pas anglishtes. Dhe kjo jo se banditë të shteteve të tjera kanë mësuar shqip. Jo, jo. Po se shqiptarët ishin kaq të panumërt, të angazhuar në organizata kriminale saqë e bënin gjuhën shqipe të dytën.
Numri i telefonave të kriptuar ishte 65 mijë. Nga këta, 15 mijë në duar të shqiptarëve. Flisnin shqip.
Më falni, 73 telefona të kriptuar në kryeministri. Dy ose tre telefona të kriptuar Edi Rama. Telefon të kriptuar, sipas disa burimeve, Sokol Sadushi. Dy telefona të kriptuar Tulet Balla... se s’dua t’ia përmend emrin.
Pra, i gjithë ky material, këto dosje që dalin, janë të gjitha të këtij materiali, mos mendoni se janë të këtushme, aty vetëm nga Franca janë nja pesë dosje të tjera të pahapura fare. Gjithë ky material u përpoq të zhvlerësohej se janë regjistrime pa lejen e gjykatësit”, tha Berisha. Në fakt kjo është e pasaktë. Nuk po e quajmë gënjeshtër, por doktori nuk ka se si ta dijë, ose i ka shpëtuar ose i ka rrëshqitur padashje.
Në lidhje me përgjimet SKYECC ka një vendim gjykate të Parisit për 175 mijë personat e përgjuar, ky është fakt i thënë dhe përsëritur.
Megjithëse në Shqipëri ka pasur një narrativë dhe në opinion publik shpesh avokatët mbrojtës të bandave të kapura nga SKYECC thonë se janë të pavlefshme, se janë bërë pa autorizim gjykate, nuk mund të konsiderohen si prova etj.
Nga ana tjetër sipas të dhënave zyrtare të marra në momentin e plasjes së të dhënave SKYECC dhe fillimit të arrestimeve në Europë, Interpoli dhe Agjencitë Ligjzbatuese europiane nxorën një vendim të gjykatës së Parisit, e cila autorizonte përgjimin e 175 mijë personave.
Disa gazetarë, opinionistë e quajtën një kurth të mirëmenduar nga Interpoli dhe nga policitë e vendeve europiane ndërtimin e platformës SKYECC, duke hedhur në publik idenë se ishte e enkriptuar dhe e sigurt, nuk përgjohet, komunikimi ishte mes dy personave, askush nuk mund t’i çkodonte, ndërkohë që në fakt serverat ishin në duart e oficerëve të policisë që kryenin hetimet dhe gjithçka bëhej me autorizimin e gjykatës së Parisit.
Pra, ajo që thotë Berisha se nuk ka pasur një autorizim në fakt nuk është e vërtetë. Ka pasur një autorizim të gjykatës së Parisit. Pastaj se çfarë i thonë doktorit avokatët mashtrues që vijnë vërdallë dhe kanë nëpër burgje klientët e tyre kjo është histori tjetër, por SKYECC për përgjimet ka një autorizim nga gjykata e Parisit dhe ky është fakt.
Në bazë të vendimit më pas janë ushtruar të gjitha veprimet e tjera hetimore ku janë zbuluar trafiku ndërkombëtar i drogës, vrasjet, krimet që kanë çuar në ndalimin e mijëra personave dhe burgosjen dhe shkatërrimin e qindra grupeve kriminale./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

