Marrja e një tablete multivitaminash çdo ditë mund t’i ndihmojë të moshuarit të ruajnë aftësitë fizike dhe të jetojnë më të pavarur, sipas një studimi të ri. Sipas gjetjeve, një multivitaminë e përditshme sjell një përmirësim "modest, por domethënës" në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, si veshja, larja, ecja dhe ngjitja e shkallëve, te personat mbi 60 vjeç.Lexo edhe:A duhet të fle me ventilator ndezur? Ja cilat janë përparësitë dhe disavantazhet Studime të mëparshme kanë treguar se aftësia për të kryer aktivitetet e zakonshme pa kufizime të mëdha ka ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës me kalimin e moshës. Në studimin e ri, të moshuarit që morën çdo ditë një multivitaminë kishin rezultate dukshëm më të mira në vlerësimin e shëndetit funksional pas tre vitesh, krahasuar me ata që morën placebo. Sipas studiuesve, kjo tregon se multivitaminat mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksionimit të përditshëm, duke mbështetur aftësitë njohëse. Ato mund të kenë gjithashtu ndikim pozitiv në qarkullimin e gjakut dhe qëndrueshmërinë fizike. Bayu Bekele tha:"Ajo që e bën këtë studim të veçantë është se fokusohet te shëndeti funksional, pra te mënyra se si njerëzit ndihen dhe funksionojnë në jetën e përditshme, dhe jo vetëm te parandalimi i sëmundjeve të rënda.Për të moshuarit, këto rezultate tregojnë se një multivitaminë e përditshme mund të jetë një shtesë e dobishme dhe me rrezik të ulët për një stil jetese të shëndetshëm, duke mbështetur mirëqenien fizike me kalimin e moshës. Megjithatë, ajo nuk zëvendëson një ushqyerje të shëndetshme apo aktivitetin fizik." Ekipi hulumtues analizoi të dhënat e më shumë se 16 mijë personave mbi 60 vjeç, të cilët morën pjesë në studimin COSMOS (COcoa Supplement Multivitamins Outcomes Study). Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në grupe që morën çdo ditë një multivitaminë, një suplement me ekstrakt kakaoje, të dyja së bashku ose asnjërën. Grupet e kontrollit morën placebo. Pas tre vitesh, ata që kishin marrë multivitamina kishin rezultate dukshëm më të mira për shëndetin funksional, bazuar në përgjigjet e tyre në një pyetësor për mirëqenien. Përmirësimet më të mëdha u vunë re në uljen e barrës së simptomave dhe në rezultatin e përgjithshëm klinik, i cili përmbledh gjendjen fizike dhe intensitetin e simptomave. Nga ana tjetër, ekstrakti i kakaos nuk solli përmirësime të rëndësishme në popullatën e përgjithshme, megjithëse pati përfitime të dukshme te pacientët me insuficiencë kardiake kongjestive. Bekele, nga Kolegji Mjekësor i Gjeorgjisë në Universitetin Augusta, tha:"Përdorimi i multivitaminave, duke mbështetur shëndetin e zemrës dhe funksionimin e përgjithshëm fizik, mund t’i ndihmojë të moshuarit të ruajnë aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme, si veshja, larja, ecja, ngjitja e shkallëve, ecja e shpejtë ose kryerja e punëve të shtëpisë." Ai shtoi:"Këto përfitime mund të jenë veçanërisht të rëndësishme për personat që vuajnë nga lodhja, vështirësia në frymëmarrje ose ënjtja e këmbëve, simptoma që mund të kufizojnë aktivitetet e përditshme." Studiuesit theksuan se është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun përpara se të filloni të merrni suplemente të reja. Gjetjet u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqyerjen, të mbajtur në National Harbor, në shtetin e Maryland-it. /Talker News – Syri.net

