KUSH KA MUNDËSI TË KONTRIBUOJË NË LINKUN E GOFUNDME
Një thirrje prekëse për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, e nisur nga bashkëshortja e Sali Qoshkut, i cili po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas saj, Saliu vuan nga Hepatiti C dhe ka nevojë urgjente për trajtim me ilaçin Maviret (glecaprevir 100 mg / pibrentasvir 40 mg). Sipas familjes, kostoja e mjekimit arrin në rreth 44 mijë euro, një shumë që ata shprehen se nuk kanë mundësi ta përballojnë në këto momente.
Pikërisht për këtë arsye, bashkëshortja e Saliut i është drejtuar shqiptarëve për ndihmë, duke kërkuar solidaritetin e kujtdo që ka mundësi të kontribuojë.
“Çdo donacion, edhe 5 apo 10 euro, na afron më shumë te shërimi”, thuhet në apelin e saj, ndërsa për ata që nuk kanë mundësi të dhurojnë kërkohet të paktën shpërndarja e linkut të fushatës, në mënyrë që thirrja të arrijë te sa më shumë njerëz.
Familja thekson gjithashtu se fondet e mbledhura do të përdoren vetëm për blerjen e mjekimit dhe se recetat dhe faturat do të publikohen në përditësimet e fushatës, për të garantuar transparencën ndaj çdo personi që kontribuon.
Në një moment kaq të vështirë, bashkëshortja e Saliut kërkon që askush të mos qëndrojë indiferent. Edhe një kontribut i vogël, apo një shpërndarje e thirrjes, mund të ndihmojë familjen të afrohet me shumën e nevojshme për trajtimin.
Sot, Sali Qoshku ka nevojë për ndihmën e të gjithëve.
