Mëngjesin e kësaj të diele, kryeministri Edi Rama ishte në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, së bashku me kryeministrin, Hristijan Mickoski, pasi ditën e nesërme do të nisë “One Stop Shop”, me një ndalesë. “One Stop Shop” ka si qëllim kryerjen e kontrolleve vetëm në një postobllok policie dhe vetëm me një ndalesë, ndryshe nga sa ka qenë më parë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi sistemin e ri kufitar si një hap konkret dhe lehtësim të madh për miliona qytetarë, duke e përmbledhur kalimin nga kontrollet e dyfishta te besimi i ndërsjellë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe bashkëpunimin strategjik për Korridorin 8. “Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo. Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8. Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem. Kam edhe një ankesë për Hristijanin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama. Ndërkohë, në fjalën e tij, kryeministri maqedonas e cilësoi këtë bashkëpunim si një lehtësim të madh për lëvizjen e qytetarëve dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e projektit edhe në pikat e tjera kufitare, ndërsa nuk la pa uruar edhe festën e 22 Nëntorit. “Për mua është nder i veçantë që së bashku me mua është miku im i dashur Edi Rama. Në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj të uroj këtë festë të rëndësishme si 22 Nëntori. Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duam të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, bashkëpunime në Ohër e Strugë nëpërmjet liqenit me Shqipërinë. Dua të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, punonjësit, që të kemi një pikë kontrolli të vetme dhe falënderim për mikun tim Edi Rama”, tha Mickoski.
