Sali Berisha u ka bërë thirrje partive opozitare dhe grupeve që kanë dalë në protesta kundër qeverisë, por edhe kundër opozitës, të bashkohen në një front të përbashkët për largimin e Edi Ramës. Në takimin me strukturat demokrate, kryetari i PD-së propozoi që forcat politike të ruajnë programet dhe identitetin e tyre, por të koordinojnë qëndrimin kundër qeverisë. Sipas Berishës, ky bashkim duhet të përfshijë edhe subjektet që kanë programe në kundërshtim me Partinë Demokratike. Ai tha se përballë asaj që e cilësoi si rrezik për vendin, ndasitë politike duhet të lihen përkohësisht mënjanë, ndërsa votuesit duhet të mbeten të lirë të zgjedhin alternativën që preferojnë.
“Ftoj sot këtu të gjitha forcat politike, edhe ato që në program janë anti-Parti Demokratike. Mbaje programin si të duash, nuk kërkoj ndryshimin”, deklaroi Berisha.
Ai shkoi më tej duke iu drejtuar edhe aktivistëve që prej muajsh kanë protestuar me sloganin “Rama ik, Berisha ik”. Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e tyre në protesta, por u kërkoi të afrohen me PD-në në aksionin kundër qeverisë. Sipas tij, vijimi i qëndrimeve të ndara rrezikon që energjia e protestave të mos prodhojë një rezultat politik.
Kreu i demokratëve argumentoi se protestat e muajve të fundit kanë treguar se kundërshtimi ndaj qeverisë mund të bashkojë qytetarë me bindje të ndryshme. Ai solli si shembull tubimet e qershorit, ku pretendoi se krahas demokratëve kishte marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm socialistësh.
Berisha: Nuk duhet të presim ndërhyrjen e ndërkombëtarëve apo SPAK-ut
Në fjalën e tij, Berisha hodhi poshtë pritshmëritë se largimi i kryeministrit mund të vijë nga faktorë të jashtëm apo nga institucionet e drejtësisë. Ai deklaroi se përgjegjësia për ndryshimin politik i takon opozitës dhe qytetarëve, ndërsa kërkoi që fronti i përbashkët të shoqërohet me intensifikimin e protestave.
“Nuk duhet të presim dhe të mendojmë se Edi Rama do të largohet nga ndërhyrjet e huaja. Jo! Nuk duhet të presim dhe të mendojmë se Edi Ramën do ta arrestojë SPAK-u i partisë. Harrojeni!”, u shpreh ai.
Berisha e përshkroi qeverinë si të dobësuar dhe kërkoi që opozita t'i japë, sipas tij, shtytjen përfundimtare përmes bashkimit të forcave.
Akuzat për ekonominë: Eksportet janë dëmtuar nga zhvlerësimi i euros
Një tjetër pjesë e deklaratës iu kushtua situatës ekonomike. Berisha pretendoi se zhvlerësimi i euros dhe dollarit ka goditur eksportet shqiptare, duke ndikuar te prodhimi dhe aktiviteti i ndërmarrjeve. Ai foli për mbyllje masive biznesesh dhe largim të qytetarëve nga vendi, duke ia faturuar këto zhvillime politikave të qeverisë.
Sipas tij, këto problematika e bëjnë edhe më urgjente krijimin e një fronti të gjerë opozitar.
Në përfundim, Berisha përsëriti thirrjen për rigrupim të forcave kundërshtare të qeverisë, duke e vendosur bashkimin në qendër të fazës së ardhshme të aksionit politik të PD-së. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

