Lajme Zone
Nga Vjosë-Narta në Bruksel: Flamingoja që sfidon oligarkët
PolitikëPamfleti

Nga Vjosë-Narta në Bruksel: Flamingoja që sfidon oligarkët

Protestat kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës kanë shndërruar flamingon në një simbol të rezistencës qytetare. Të Gjelbërit evropianë shpresojnë se kjo kauzë mund t'u japë një shtysë të re politike pas humbjeve të viteve të fundit.

Cili është mesazhi politik i flamingos rozë? Protestat kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës kanë shndërruar flamingon në një simbol të rezistencës qytetare. Të Gjelbërit evropianë shpresojnë se kjo kauzë mund t'u japë një shtysë të re politike pas humbjeve të viteve të fundit.

Flamingot po përjetojnë momentin e tyre politik në Shqipëri, ndërsa protestat e nxitura nga ndërtimi i një kompleksi turistik me lidhje me familjen Trump po përhapen si një ortek. Të Gjelbërit evropianë, pasi humbën vrullin e “valës së gjelbër” që i çoi në pushtet në disa vende të Evropës në vitin 2019, shpresojnë se kjo mund të jetë një mundësi për rikthim.

Kafshët dhe politika kanë një histori të gjatë. Simbolet heraldike si luanët dhe dragonjtë kanë përfaqësuar prej shekujsh pushtetin dhe autoritetin. Gjatë Revolucionit Amerikan, Karolina e Jugut përdori gjarprin me zile dhe moton “Mos më shkel” për të paralajmëruar ushtrinë britanike. Panda gjigante është bërë prej më shumë se gjashtë dekadash simboli i WWF-së.

Por ndoshta askush nuk i ka përdorur kafshët si simbole politike më mirë se të Gjelbërit gjermanë. Si një parti e lindur nga lëvizja ambientaliste, ata i kanë shoqëruar prej kohësh kauzat e tyre me botën e egër.

Fillimisht ishte thithlopa, një specie e kërcënuar nga urbanizimi dhe trafiku rrugor. Aktivistët e parë të të Gjelbërve, të njohur edhe për sandalet e tyre Birkenstock, organizonin aksione vullnetare për ta shpëtuar atë nga shtypja në rrugë. Mesazhi ishte i qartë: ashtu si mbrojmë natyrën, do të mbrojmë edhe qytetarët.

Më pas erdhën bletët, simbol i luftës kundër korporatave të mëdha bujqësore dhe industrisë agrokimike. Në vijim, repertorit iu shtuan edhe ujqërit, si emblemë e fushatave kundër gjuetisë.

Flamingot kundër oligarkëve

Cili është mesazhi politik i flamingos rozë? “Për shqiptarët, flamingoja është simboli se vendi i tyre nuk është në shitje,” tha Jutta Paulus, eurodeputete e të Gjelbërve, e cila mori pjesë në protestat kundër ligjit që lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura si Laguna e Vjosë-Nartës.

Pikërisht aty ndodhet habitati i flamingove dhe aty Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, synon të ndërtojë një resort luksoz. Përballë një projekti të tillë, flamingoja elegante, që zakonisht qëndron mbi një këmbë në ujërat e cekëta, është shndërruar në simbol të rezistencës ndaj kapitalizmit grabitqar dhe korrupsionit oligarkik.

“Është sikur protestojnë edhe për ne”

Për të Gjelbërit, të cilët ranë nga vendi i katërt në të gjashtin në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2024, duke humbur rreth 20 eurodeputetë, flamingoja përfaqëson edhe një mundësi politike.

“Kur njerëzit në Shqipëri protestojnë për mbrojtjen e natyrës, është sikur të ishin në rrugë bashkë me ne në Gjermani, dhe anasjelltas”, tha Sven Giegold, zëvendëskryetar i të Gjelbërve gjermanë. “Do të doja që edhe në Gjermani më shumë njerëz të protestonin për natyrën”, shtoi ai.

Ish-eurodeputeti, i cili hyri në Parlamentin Evropian në vitin 2009 dhe më pas iu bashkua qeverisë së Olaf Scholz si bashkëpunëtor i zëvendëskancelarit Robert Habeck, është prej kohësh një nga figurat më të njohura të lëvizjes ambientaliste.

Në vitin 2000 ai bashkëthemeloi degën gjermane të lëvizjes kundër globalizimit ATTAC.

Edhe më parë, të Gjelbërit fituan mbështetje të gjerë gjatë protestave kundër marrëveshjeve të tregtisë së lirë, ku “pula me klor” u bë simbol i kundërshtimit ndaj industrisë ushqimore.

Revolucioni i flamingove

“Revolucioni i flamingove” në Shqipëri është bërë kauza më e re e Giegoldit. “Po, më ka prekur shumë kjo lëvizje,” tha ai për Euractiv. “Njerëzit po dalin në rrugë për të protestuar kundër politikanëve të tyre dhe shohin te Bashkimi Evropian një pjesë të zgjidhjes”, shtoi ai.

Ai ka nisur madje shpërndarjen e flamingove prej pelushi me mbështetjen e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian. Kushdo mund të marrë një të tillë falas, ndërsa inkurajohet të bëjë një donacion vullnetar për organizatën shqiptare të mbrojtjes së natyrës PPNEA.

Është krijuar gjithashtu edhe një listë elektronike e “Klubit të Revolucionit të Flamingove”, për të informuar mbështetësit mbi aktivitetet dhe protestat.

Një simbol që po përhapet

“Të Gjelbërit” thonë se qytetarët shqiptarë po ngrejnë zërin kundër miliarderëve të fuqishëm si Donald Trump dhe Jared Kushner. Në një shenjë se protesta ka kaluar kufijtë e aktivizmit ambientalist, edhe ylli i muzikës pop Dua Lipa, vajza e prindërve shqiptarë nga Kosova, e quajti lëvizjen “frymëzuese.

“Ajo që më shqetëson është fakti që qeveria mund të ndryshojë ligjin dhe të heqë mbrojtjen mjedisore pa asnjë konsultim publik”, tha ajo në podcast-in e saj.

Kauza kundër dobësimit të mbrojtjes së natyrës, e ndërthurur me mesazhin kundër oligarkëve, po përhapet edhe në Gjermani e Austri përmes diasporës shqiptare.

A do të bëhet flamingoja, ashtu si bleta apo ujku dikur, simboli i një lëvizjeje të re politike evropiane?”. Në Gjermani flamingot mund t'i shohësh vetëm në kopshtin zoologjik”, tha me humor Giegold. “Të paktën, për momentin”, shtoi ai./Përshtati "Pamfleti" nga "Euroactiv"revolucion protesta para kuvendit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Apeli Administrativ merr zyra me qira te kulla e Bashkim Ulajt, bllokohet nga KLGJ 23 Korrik 2026, 17:2817:28Aktualitet Video/ Deputetët e PS largohen fshehurazi nga Kuvendi, protestuesit i presin me vezë 23 Korrik 2026, 17:0417:04Aktualitet Nëse nuk ka presion, ata do të vazhdojnë të shesin Shqipërinë! 23 Korrik 2026, 16:3616:36Aktualitet Seanca plenare drejt fundit, protestuesit presin deputetët me vezë para Parlamentit 23 Korrik 2026, 16:1816:18Aktualitet Tubimi para Kuvendit, policia shoqëron 11 protestues 23 Korrik 2026, 15:4015:40Aktualitet Kërkoi zëvendësimin e masës në këmbim të garancisë pasurore, Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt 23 Korrik 2026, 15:1915:19Aktualitet