SPAK ka zbardhur detajet e arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit të vitit 2025. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, Agasi u arrestua pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Biznesmeni u lokalizua dhe u prangos në autostradë, në hyrje të Durrësit, në zonën e Plepave. Në momentin e arrestimit, ai shoqërohej nga Uljan Shpataraku, ish-punonjës policie, i cili u arrestua në flagrancë për “Përkrahjen e autorit të krimit”, sipas nenit 302/2 të Kodit Penal.
Agasi ka qenë në kërkim për më shumë se tetë muaj, deri në momentin e arrestimit dhe në dosjen e SPAK, biznesmeni dyshohet për një sërë veprash penale që lidhen me tenderat publikë, korrupsionin, pastrimin e parave dhe aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal.
Mes akuzave të ngritura ndaj tij janë konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqja e paligjshme e lirisë, shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimi i produkteve të veprës penale, si dhe krijimi dhe pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal.
Njoftimi i SPAK:
Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

