Lajme Zone
Nga Shqipëria drejt Italisë, Holandës e Gjermanisë, zbulohet rrjeti i madh i trafikut të drogës me protagonistë shqiptarët
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Nga Shqipëria drejt Italisë, Holandës e Gjermanisë, zbulohet rrjeti i madh i trafikut të drogës me protagonistë shqiptarët

Një organizatë e madhe kriminale e trafikut ndërkombëtar të drogës, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Caveau 38”.

Një organizatë e madhe kriminale e trafikut ndërkombëtar të drogës, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Caveau 38”. Hetimet, të nisura nga Guardia di Finanza në Lecco, zbuluan një rrjet që shpërndante lëndë narkotike me shumicë mes Shqipërisë, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë.

Sipas mediave italiane, hetimi nisi pas kontrolleve ndaj një rrjeti që shpërndante drogë në parqet publike të Cernusco Lombardone dhe Merate, por më pas u zgjerua duke zbuluar një strukturë të mirëorganizuar të trafikimit ndërkombëtar.

Në kuadër të operacionit, 52 persona janë vënë nën hetim, ndërsa gjashtë janë arrestuar në flagrancë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe marihuanë, si dhe 1.5 milionë euro para të gatshme.

Autoritetet kanë zbuluar gjithashtu tetë kilogramë lingota ari të shkrirë, të gjetura në impiantet e dy kompanive të përpunimit të metaleve të çmuara në Milano dhe Alessandria.

Sipas hetimeve, organizata kishte ndërtuar një mekanizëm të gjerë për transportimin e drogës drejt Italisë dhe kthimin e fitimeve në Shqipëri. Gjatë periudhës 2019–2022, në Italinë e Veriut dyshohet se kanë mbërritur të paktën 250 kilogramë kokainë, ndërsa në drejtim të kundërt janë transferuar rreth 14 milionë euro të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Një nga bazat kryesore të organizatës ishte një banesë në Burago Molgora, në të cilën ruheshin paratë përpara se të transportoheshin fizikisht drejt Shqipërisë. Pikërisht nga adresa e kësaj banese, në numrin 38 të rrugës, operacioni mori emrin “Caveau 38”.

Për të zbuluar mënyrën e funksionimit të grupit, hetuesit përdorën përgjime, vëzhgime, gjurmues dhe analiza të komunikimeve të anëtarëve të organizatës. Sipas autoriteteve, droga dhe paratë transportoheshin të fshehura në ndarje të posaçme të automjeteve dhe kamionëve.

Hetimi u drejtua nga Guardia di Finanza në Lecco, nën koordinimin e Prokurorisë Antimafia të Milanos, me mbështetjen e strukturave të specializuara italiane dhe të hetuesve të SPAK-ut në Tiranë.

Sipas hetuesve, anëtarët e organizatës kishin role të përcaktuara dhe paguheshin me shuma fikse, ndërsa për të garantuar transportimin dhe dorëzimin e drogës e parave përdornin kode, simbole dhe kartëmonedha të shënuara. Top Channel