Lajme Zone
Nga Orban te Vuçiç: Fundi i autokratëve apo vetëm një tërheqje e përkohshme?
PolitikëPamfleti

Nga Orban te Vuçiç: Fundi i autokratëve apo vetëm një tërheqje e përkohshme?

Në fillim të këtij muaji, Viktor Orban, ish-kryeministri hungarez i sapolarguar nga pushteti, shkoi në Beograd për të ngushëlluar Aleksandar Vuçiçin, ish-presidentin serb, i cili ishte rrëzuar nga pushteti edhe më herët.

Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, kalon në revistë gardën e nderit pas mbërritjes në Pallatin e Serbisë, ku do të takohej me ish-kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç, në korrik 2014. Që prej asaj kohe, të dy e kanë humbur pushtetin. Foto: Darko Vojinovic/The Associated Press. / Largimi i Vuçiçit dhe Orbanit shënon një goditje për populizmin autoritar, por jo domosdoshmërisht fundin e tij. Sidomos në Serbi, ku nacionalizmi, mohimi i përgjegjësive për krimet e luftërave dhe mosbesimi ndaj Evropës mbeten të rrënjosura, revolucioni studentor mund të jetë vetëm fillimi i një beteje shumë më të vështirë. Në fillim të këtij muaji, Viktor Orban, ish-kryeministri hungarez i sapolarguar nga pushteti, shkoi në Beograd për të ngushëlluar Aleksandar Vuçiçin, ish-presidentin serb, i cili ishte rrëzuar nga pushteti edhe më herët.

Të dy kishin pranuar rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe, për këtë arsye, vazhdonin të ishin të lirë të lëviznin ku të dëshironin. Si njerëz që ndjekin prirjet e kohës, realizuan një video të shkurtër për të festuar ribashkimin e tyre.

Në fund të saj, Vuçiç improvizoi një premtim: “Do të kthehemi!”. Për Orbanin, një rikthim i tillë duket pak i mundshëm, por në rastin e Vuçiçit nuk mund të përjashtohet. Humbja e dy liderëve, të cilët teknikisht nuk mund të cilësoheshin diktatorë, pasi pranonin të luanin sipas rregullave të zgjedhjeve dhe të rrezikonin largimin nga pushteti, ishte pjesë e një prirjeje më të gjerë që karakterizoi këtë vit.

Nga humbjet e rënda të Donald Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, te largimi i Orbanit pas 16 vjetësh në pushtet në Budapest, liderët populistë autoritarë u përballën me disfata dhe goditje të forta politike.

Për një çast, dukej sikur drejtimi i erës politike kishte ndryshuar vërtet. Luiz Injacio Lula da Silva mposhti në balotazhin presidencial brazilian Flavio Bolsonaron, pasuesin e pretenduar të një projekti autokratik.

Në Francë, Marinë Lë Pen dhe Tubimi Kombëtar humbën terren. E njëjta gjë ndodhi me Najxhëll Farazh dhe Reform UK në Britani, si dhe me liderin e së djathtës ekstreme portugeze, Andre Ventura.

Ndërkohë, Orban dhe Vuçiç u larguan nga pushteti. Por batica, siç dihet, vjen dhe ikën me një rregullsi të lodhshme. Në Spanjë, kryeministri i majtë Pedro Sançez ka shumë gjasa të humbasë zgjedhjet aktuale dhe të zëvendësohet nga një koalicion konservator ku do të përfshihet edhe partia e së djathtës ekstreme Vox.

Ndërrimi i forcave politike në pushtet është i pashmangshëm dhe në fakt i dëshirueshëm.

Ajo që dukej se po shpërbëhej këtë vit, ishte frika se populistët e së djathtës ekstreme kishin zbuluar një formulë për të qëndruar përgjithmonë në pushtet.

Ata shfrytëzojnë mediat e reja, mbulojnë hapësirën publike me gënjeshtra, blejnë mbështetjen e votuesve me paratë e tyre dhe u ofrojnë bukë e spektakël të gjithëve. Kështu, njerëzit e korruptuar dhe cinikë që kanë marrë pushtetin mund ta mbajnë atë pa fund.

Në të vërtetë, kjo frikë nuk ka qenë kurrë veçanërisht bindëse. Megjithatë, teknikat populiste u kanë dhëë mundësi autokratëve të qëndrojnë për një kohë shumë të gjatë në pushtet: Orban për 16 vjet dhe Vuçiçi për 12.

A mund të rikthehet sërish vala populiste? Sigurisht që po. Hungaria duket se është imunizuar mirë nga përvoja e hidhur me Orbanin, por Serbia mbetet ende një vend ku gjithçka mund të ndodhë. Në fakt, Serbia e ka përjetuar një rikthim të tillë edhe më parë.

Pas një dekade luftërash me Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, ndërsa Sllobodan Millosheviçi, si një diktator i zgjedhur, përpiqej të ndërtonte Serbinë e Madhe mbi rrënojat e ish-Jugosllavisë, vendi u zhyt në gjenocid, sanksione dhe kolaps ekonomik.

Në vitin 2000, një kryengritje popullore paqësore e rrëzoi atë nga pushteti. Revolucioni serb frymëzoi lëvizje të ngjashme edhe në vende të tjera, ndërsa Millosheviçi u përball me akuza për gjenocid dhe krime lufte në Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë, ku vdiq në vitin 2006. Megjithatë, aparati shtetëror nuk u spastrua kurrë plotësisht nga njerëzit e regjimit të vjetër. Përmes një procesi gradual gërryerjeje, deri në vitin 2012, shteti serb kishte rënë sërish në duart e populistëve ultranacionalistë.

Pikërisht ky ishte regjimi që u rrëzua muajin e kaluar nga protestat paqësore të udhëhequra nga studentët. Shpresa është që këtë herë ata që bënë revolucionin të arrijnë ta mbrojnë fitoren e tyre. Studentët janë të vetëdijshëm për rrezikun.

Kjo është edhe arsyeja pse ata këmbëngulin në vendimmarrjen kolektive dhe shmangin krijimin e një lidershipi karizmatik të përqendruar rreth një figure të vetme. Megjithatë, historia e vendit të tyre nuk është në anën e tyre.

Serbia është vendi më nacionalist ku kam kaluar një kohë të konsiderueshme të jetës time. Aty mbizotëron një nacionalizëm agresiv dhe sfidues, i ushqyer nga bindja se të gjithë janë kundër nesh dhe se kjo nuk na shqetëson aspak.

Shumica dërrmuese e njerëzve që takon janë të ndikuar, në një shkallë apo në një tjetër, nga kjo mendësi. Shumë serbë, e kuptojnë se qëndrime të tilla u shërbejnë drejtpërdrejt populistëve, por zakonet e vjetra është e vështirë të braktisen.

Pothuajse të gjithë serbët kanë një simpati të veçantë për Rusinë, e cila në periudha të ndryshme u ka ardhur në ndihmë gjatë përpjekjeve të gjata për t’u çliruar nga Perandoria Osmane. Më pak se gjysma e tyre janë të interesuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ndërsa pothuajse askush nuk pranon se Kosova, një territor me shumicë shqiptare, i shkëputur nga ish-Jugosllavia, është shtet i pavarur dhe jo pjesë e Serbisë.

Po kështu, pothuajse askush në Serbi nuk e pranon se vendi i tyre mban përgjegjësi për masakrat e organizuara nga shteti në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, të cilat tejkaluan shumë përmasat e krimeve të tjera etnike të kryera gjatë dekadës së përgjakshme të viteve 1990.

E gjithë kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë që Serbia të zërë vendin që i takon, si një vend tjetër ballkanik me një histori të trazuar. Kjo nuk do të thotë se Serbia është e dënuar të rrëshqasë sërish drejt tiranisë, apo se duhet medoemos të ndryshojë qëndrimet e saj për t'u përshtatur me pjesën tjetër të Evropës.

Çdo vend mbart me vete një histori të rëndë dhe shumë prej tyre, ndoshta shumica, arrijnë të përparojnë pa u përballur ndonjëherë plotësisht me të kaluarën e tyre. Megjithatë, suksesi apo dështimi i demokracisë në Serbi nuk duhet marrë si një tregues i asaj që i pret vendet e tjera. Rrëzimi i një lideri, nuk është domosdoshmërisht fundi i një sistemi, ashtu siç fitorja e një revolucioni nuk garanton vetvetiu lindjen e një demokracie të qëndrueshme. Në rastin e Serbisë, kjo mbetet ende një çështje e hapur.orban vuçiç fundi i autokratëve tërheqje e përkohshme Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Opinion Elisa, Erioni, Bela e ndoshta Gysi në sfond 22 Nëntor 2026, 11:5111:51Opinion A duhet që shteti të blejë software pa tender? 21 Nëntor 2026, 21:2421:24Opinion Samiti si shpërqendrim i përkohshëm nga konfliktet e ardhshme midis fuqive të mëdha 21 Nëntor 2026, 17:5417:54Opinion Stina e re politike e Beogradit dhe nyja e vjetër e Kosovës 21 Nëntor 2026, 13:3613:36Opinion Nevoja për një kryebashkiak inxhinier të pa parti! 21 Nëntor 2026, 13:0013:00Opinion Elisa dhe dilema e trashëgimisë politike! 20 Nëntor 2026, 22:2022:20Opinion