Edi Rama Në një intervistë për gazetën britanike The Independent, Edi Rama ka zbuluar një tjetër fuqi të shqiptarëve: mallkimin që u shkatërron karrierën politikanëve që flasin keq për ta. Sipas kryeministrit, Nigel Farage dhe Suella Braverman po paguajnë çmimin e përplasjes me shqiptarët. Ndërsa në Tiranë korrupsioni mbetet një nga problemet më të mëdha, Rama e ka drejtuar vëmendjen nga Londra, ku duket se ka gjetur edhe formulën magjike për të shpjeguar fatin politik të kundërshtarëve të tij britanikë. Shkrimi i plotë
Nigel Farage është paralajmëruar nga kryeministri i Shqipërisë se rrezikon të bëhet viktimë e një “mallkimi shqiptar”, pasi i ka etiketuar qytetarët e këtij vendi si kriminelë.
Ironia e Edi Ramës ndaj drejtuesit të Reform UK, i cili po përballet me vështirësi politike, vjen pas një sërë deklaratash të ashpra të politikanëve të kësaj partie për emigrantët shqiptarë në Britani.
Vitin e kaluar, Farage pretendoi se “një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga kryeministri shqiptar, i cili kundërshtoi shifrat e paraqitura dhe e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë. Tani, Rama e ka akuzuar Farage se nuk e ka mbajtur premtimin për të vizituar Shqipërinë dhe për të verifikuar faktet, duke e cilësuar këtë sjellje si “të turpshme”.
Ai ka ndërmarrë një tjetër sulm verbal, duke ironizuar rënien e Farage në sondazhe dhe duke pretenduar se ajo është pasojë e një “mallkimi shqiptar”, ndërsa shpresat e drejtuesit të Reform UK për të ardhur në pushtet “nuk po shkojnë askund”.
Sipas Ramës, edhe politikania tjetër e Reform UK, Suella Braverman, është viktimë e “mallkimit shqiptar”, siç deklaron ai në një intervistë ekskluzive për The Independent.
Braverman, e cila gjithashtu ka bërë komente fyese ndaj shqiptarëve, u shkarkua dy herë nga posti i ministres së Brendshme në qeveritë konservatore. Ajo është kritikuar edhe për angazhimin e saj më të fundit profesional, pasi, sipas raportimeve, ka marrë 100 mijë paund për t'u lidhur me pranga me modelen e njohur Katie Price në spektaklin televiziv me personazhe të famshëm Celebrity Handcuffed.
“Mallkimi shqiptar është diçka nga e cila duhet të ruhesh, sepse kush u vihet kundër shqiptarëve, nuk përfn mirë politikisht”, thotë Rama.
“Suella Braverman – ajo nuk është askund tani, apo jo? Edhe disa të tjerë nuk janë askund. Unë i kam thënë ‘mikut’ tim Nigel Farage: ‘Ki kujdes, sepse ekziston një mallkim shqiptar’.”
Rama, kryeministri më jetëgjatë aktualisht në detyrë në Evropë, thotë se Farage e pranoi ftesën e tij për të vizituar Shqipërinë, por nuk e ka mbajtur premtimin.
“Ai është shumë i zoti për të bërë premtime, por nuk duket po aq i zoti për t'i mbajtur ato.”
Deklaratat e Ramës për një “mallkim shqiptar” nuk duhen marrë fjalë për fjalë, por pasqyrojnë përbuzjen e tij ndaj politikanëve si Farage dhe Braverman, të cilët, sipas tij, përdorin një kombësi të tërë, popullin shqiptar, si objektiv politik.
“Është e turpshme të veçosh komunitete, përkatësi etnike, ngjyra lëkure, gjuhë dhe kultura të ndryshme për qëllime politike”, thotë ai.
A e konsideron këtë racizëm?
“Mund të jetë raciste. Mund të mos jetë raciste. Por është e turpshme në të dyja rastet”.
Në një bisedë që përfshin një gamë të gjerë temash, Rama, një admirues i Britanisë, i cili e ka drejtuar Shqipërinë për 13 vjet pas rënies së regjimit të saj të mëparshëm komunist të linjës së ashpër, thotë se demokracia po “gëlltitet e gjallë nga e keqja e rrjeteve sociale”, të cilat u kanë dhënë një platformë “nazistëve dhe pedofilëve”.
Ai e vlerëson Andy Burnham si një “forcë të jashtëzakonshme të natyrës”; thotë se Tony Blair dhe administrata e tij “fantastike” e New Labour e frymëzuan të hynte në politikë dhe flet për admirimin e tij ndaj Margaret Thatcher. Ai pretendon se Mbretëria e Bashkuar ndodhet në një gjendje “të dëshpëruar” pas “vetëshkatërrimit” të Brexit-it.
Ai përshkruan se si pësoi një frakturë të kafkës gjatë një tentative të dhunshme për ta vrarë nga kundërshtarët politikë, të cilët e lanë si “një copë mut qeni në shi”. Gjithashtu, ai hedh poshtë akuzat për korrupsion lidhur me një projekt porti turistik me vlerë disa miliardë dollarë në Shqipëri, ku janë përfshirë vajza e Donald Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner.
Socialisti Rama hedh poshtë të ashtuquajturin “Revolucioni i Flamingove” – protestat e përhapura të studentëve dhe ambientalistëve kundër qeverisë së tij, të nxitura nga projekte të financuara nga jashtë, si ai i Ivanka Trump, dhe nga kërcënimi i pretenduar ndaj flamingove dhe gjallesave të tjera të egra.
Komentet e Ramës për Farage dhe “mallkimin shqiptar” përbëjnë një ndërhyrje provokuese, karakteristike për një udhëheqës, vendi i të cilit ka përjetuar një nga transformimet më të jashtëzakonshme në Evropë: nga pushtimet fashiste dhe një prej diktaturave komuniste më shtypëse në historinë moderne, në një vend që ka përqafuar zgjedhjet, kapitalizmin, turizmin dhe investimet ndërkombëtare.
Në zyrën e tij në Tiranë, lapsat me ngjyra të shpërndarë mbi tryezë japin shenjën e parë se Rama nuk është tamam si kryeministrat e tjerë: ai është një artist i talentuar, veprat e të cilit janë paraqitur në ekspozita.
Shenja e dytë është vetë ai. Me një gjatësi prej 2 metrash e 3 centimetrash, ai është një burrë trupmadh, me duar artisti, me dëshirë për debat dhe me një prirje për teatralitet që përputhet me gjatësinë e tij të jashtëzakonshme. Sapo është kthyer nga Dublini, ku ka marrë pjesë në një samit të Bashkimit Evropian, dhe është në humor për të folur gjatë.
Për të kuptuar krenarinë e tij për përparimin e Shqipërisë, duhet të kuptojmë se nga çfarë gjendjeje u nis vendi.
Italia e pushtoi Shqipërinë në vitin 1939, ndërsa Gjermania naziste e pushtoi në vitin 1943. Kur gjermanët u tërhoqën, rezistenca komuniste mori pushtetin nën drejtimin e Enver Hoxhës, i cili vendosi një diktaturë staliniste që zgjati katër dekada.
Sipërmarrja private u ndalua, feja u nxor jashtë ligjit dhe kundërshtarët politikë u burgosën ose u ekzekutuan. Pasi prishi marrëdhëniet, njëra pas tjetrës, me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, Hoxha e izoloi Shqipërinë, duke e shkëputur pothuajse tërësisht nga bota e jashtme. Mijëra bunkerë prej betoni u ndërtuan për t'u mbrojtur nga një pushtim që nuk ndodhi kurrë.
Izolimi i vendit ishte aq ekstrem, sa Shqipëria krahasohej shpesh me Korenë e Veriut. Udhëtimet jashtë vendit kufizoheshin rreptësisht, ndikimet e huaja shiheshin me dyshim dhe planifikimi i ngurtë qendror e kishte varfëruar ekonominë.
Hoxha vdiq në vitin 1985, por komunizmi mbijetoi deri në vitin 1991. Rënia e tij solli një tranzicion kaotik drejt kapitalizmit, emigracion masiv dhe, në vitin 1997, shembjen e skemave mashtruese të investimeve, që e zhytën vendin në një gjendje pranë anarkisë.
Sot, Shqipëria zhvillon zgjedhje konkurruese, ka një ekonomi private në rritje, investime ndërkombëtare dhe një industri turizmi që po lulëzon. Ajo u anëtarësua në NATO në vitin 2009 dhe po negocion anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ende ekzistojnë shqetësime serioze për korrupsionin, lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve. Por rruga që ka përshkuar vendi që nga Shqipëria e Enver Hoxhës është e jashtëzakonshme.
Rama ka qenë një nga arkitektët dhe përfituesit kryesorë të këtij transformimi.
Që kur ai u bë kryeministër, Britania ka pasur shtatë kryeministra në Downing Street. Ai nuk e sheh këtë si diçka për t'u argëtuar, por si dëshmi të një gjendjeje më të gjerë problematike politike.
“Mbretëria e Bashkuar është një rast edhe më dëshpërues se Evropa”, thotë ai, duke shprehur shpresën se kryeministri i ri britanik mund ta kthejë vendin nga “rruga e vetëshkatërrimit” ku e ka çuar Brexit-i.
Një ditë më parë, ai ishte takuar për herë të parë me Andy Burnham dhe shfaq shumë më tepër entuziazëm për të sesa për Farage.
“Një forcë e jashtëzakonshme e natyrës”, thotë ai.
Sipas Ramës, tërheqja që ushtron Burnham buron nga përvoja e tij në qeverisjen vendore, të cilën kryeministri shqiptar e quan fushëbetejën e vërtetë të politikës, ku problemet që duken të vogla kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për njerëzit e zakonshëm.
“Ai ka shumë admirues në kabinetin tim, sepse ata janë të rinj dhe ende duken mirë në Instagram, gjë që unë nuk e bëj”, thotë ai duke qeshur. “I thashë se e admiroj atë që po bën, por jam shumë i vjetër për t'u dukur mirë në Instagram.”
Rama është larg figurës së një teknokrati konvencional. Shumë kohë përpara se të hynte në qeveri, ai ishte një intelektual që shprehej hapur, artist dhe profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai e përshkruan veten si një “ngatërrestar profesionist”, një tipar që për pak sa nuk i kushtoi jetën.
Në janar të vitit 1997, siç rrëfen ai, dy burra e sulmuan ndërsa po kthehej në shtëpi me të dashurën e tij. Të armatosur me tuba metalikë dhe me doreza të pajisura me gozhdë, ata i shkaktuan një frakturë të kafkës dhe ia thyen hundën në pesë vende. Ai tregon një shenjë të thellë në pjesën e sipërme të kokës.
“Isha krejtësisht i pambrojtur, i ekspozuar ndaj goditjeve”, kujton ai.
Rama beson se burrat ishin dërguar nga regjimi i asaj kohe dhe se synimi ishte ta vrisnin. Njëri prej agresorëve ka vdekur që atëherë. Rama thotë se nuk është përballur kurrë me të.
Në atë periudhë, ai kishte pak interes për politikën partiake. Si një liberal i pavarur, e ndante kohën mes Shqipërisë dhe Francës dhe besonte se intelektualët kishin detyrimin t'i flisnin shoqërisë në mënyrë të pavarur.
Pas sulmit, vendosi se nuk do të kthehej më kurrë në Shqipëri.
“Ndihesha si një copë muti në shi, si mut qeni. Dhe thashë se nuk do të kthehesha më”, thotë ai.
Por u kthye. Artisti që kishte sfiduar shtetin u bë më në fund përfaqësuesi i tij më i fuqishëm.
Arti mbetet pjesë qendrore e identitetit të tij. Nën komunizëm, shprehja artistike kontrollohej rreptësisht dhe regjimi përcaktonte se çfarë mund të pikturohej dhe si duhej të paraqitej bota. Rama, përkundrazi, tërhiqej nga arti modern evropian, abstraksioni dhe ngjyrat.
Një nga aktet e tij më të spikatura të sfidës ishte lyerja e pallateve të zymta të Tiranës me ngjyra të ndezura pastel, duke transformuar pamjen e një qyteti që po dilte nga dekada të tëra të sundimit komunist.
Pas rënies së komunizmit, ai ndihmoi në udhëheqjen e revolucionit studentor në Akademinë e Arteve, duke kërkuar liri intelektuale.
“Nuk isha i interesuar për politikën partiake. Isha i pavarur, liberal”, thotë ai
Ironia është e konsiderueshme. Njeriu që dikur e shihte qeverinë si një instrument shtypjeje, tani mban postin më të fuqishëm në vend. Nëse ai ka ruajtur mjaftueshëm nga skepticizmi i disidentit të ri për të vënë në dyshim pushtetin e vet, kjo është një pyetje më e vështirë.
Shqipëria ka përjetuar së fundmi disa nga protestat më të mëdha që prej rënies së komunizmit. Demonstratat janë përqendruar te korrupsioni, kostoja e jetesës dhe një projekt i propozuar zhvillimi luksoz në ishullin e Sazanit, ku përfshihen Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, dhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë.
Ishulli, ku gjenden habitate të rëndësishme për gjallesat e egra, përfshirë flamingot, është kthyer në simbol të shqetësimeve më të gjera për drejtimin që po merr vendi. Protestuesit madje kanë ngritur dhe më pas kanë rrëzuar një bust të Ramës, një jehonë e qartë e rrëzimit të statujës së Hoxhës në vitin 1991.
Rama beson se rrjetet sociale e kanë shtrembëruar debatin dhe e kanë shndërruar atë në diçka më të dëmshme: një sulm ndaj dialogut demokratik.
“Kështu u bëmë skena e një indinjate që e çoi Shqipërinë në çdo ekran kompjuteri në të gjithë botën.”
Ai thotë se kjo përvojë e ka shqetësuar thellësisht: “Ishte shqetësuese, sepse e ndjeva në lëkurën time se çfarë katastrofe janë rrjetet sociale. Pashë se si demokracitë tona po gëlltiten të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale.”
Ai argumenton se shoqëritë demokratike dikur e kuptonin që publikimi i informacionit shoqërohej me përgjegjësi. Gazetat mund të kishin mosmarrëveshje të ashpra, por redaktorët dhe botuesit ushtronin njëfarë kontrolli mbi atë që arrinte te publiku.
“Nazistët, radikalët, pedofilët dhe gjithë llumi i shoqërisë nuk mund të kishin lirinë për të arritur te të tjerët dhe për të pasur një status të barabartë në këtë botë. Sot, të gjithë nazistët e botës janë të lidhur me njëri-tjetrin, janë bashkë dhe krenarë, po kështu edhe të gjithë teoricienët e konspiracionit dhe gjithë ato budallallëqe”, thotë ai.
Përshkrimi i tij rrëqethës i këtij ndryshimi: “Ne, demokracitë, kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria për të arritur te publiku.”
Është një shprehje bindëse, veçanërisht kur vjen nga dikush që është rritur në një vend ku liria e shprehjes pothuajse nuk ekzistonte. Por sfida për çdo udhëheqës demokratik është të bëjë dallimin mes kërcënimeve ndaj institucioneve demokratike dhe kritikave legjitime ndaj qeverisë.
Debati për ishullin e Sazanit është një shembull i qartë.
Projekti i propozuar për zhvillimin e ishullit, dikur bazë ushtarake, në hyrje të Gjirit të Vlorës, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për shkak të peizazhit të tij të jashtëzakonshëm natyror dhe përmasave të investimit që po shqyrtohet. Por Rama thotë gjithashtu se kjo vëmendje lidhet kryesisht me përfshirjen e familjes Trump.
Ivanka Trump ka përshkruar se si bukuria e ishullit e kishte magjepsur, duke kujtuar një ecje zbathur deri në majën e malit të tij. Por përfshirja e familjes Trump ka ngritur pikëpyetje për investitorët e fuqishëm, lidhjet politike dhe pasojat mjedisore të projektit.
Rama shfaq dukshëm acarim nga ajo që ai e konsideron një paraqitje të shtrembëruar të ngjarjeve.
“Kur u takova me Jared Kushner dhe kur Jared Kushner më pyeti nëse mund të shqyrtonte një investim të mundshëm në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara. Ai ishte subjekt i sistemit të drejtësisë penale në Shtetet e Bashkuara dhe në atë kohë dukej se shanset e tij për të përfunduar në burg ishin shumë më të mëdha sesa shanset për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë”, thotë ai.
“I thashë Jared Kushnerit: ‘Po, të lutem, je i mirëpritur.’ Pse? Sepse ai është një investitor amerikan, së bashku me investitorë të tjerë të mëdhenj, dhe unë shoh interesat e vendit tim. Pse duhet të më interesojë se kush është vjehrri i tij?”
Është një mbrojtje që buron nga ambicia e një vendi që ka kaluar dekada duke u përpjekur të tërheqë investime.
Rama këmbëngul se nuk ka një marrëveshje përfundimtare dhe se negociatat kanë vazhduar prej vitesh. Ai thotë se shteti shqiptar po negocion pjesën e tij në projekt dhe se vlerësimet mjedisore duhet të përcaktojnë nëse projekti do të realizohet. Ai kundërshton supozimin se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi janë domosdoshmërisht të papajtueshme.
“Mund të jetë shumë e dëmshme të mendosh se po ruan një zonë natyrore, ndërkohë që e lë të degradojë dhe të ndotet. Mund të jetë shumë e dëmshme të bësh një zhvillim të keq, por mund të jetë shumë mirë të rigjenerosh një zonë të mbrojtur përmes zhvillimit.”
Ai përmend rezultatet e qeverisë së tij në fushën e mjedisit, përfshirë zgjerimin e zonave të mbrojtura në më shumë se 20 për qind të territorit të vendit, ndalimin e gjuetisë për dhjetë vjet dhe kufizimet në shfrytëzimin e pyjeve.
Ai argumenton se Shqipëria ka nevojë për investime, punësim dhe infrastrukturë pas dekadash privimesh. Por bregdeti dhe peizazhet e saj natyrore janë gjithashtu ndër pasuritë më të mëdha të vendit. Masat mbrojtëse për gjallesat e egra të Sazanit dhe marrëveshjet për aksesin e publikut e bëjnë vendimtare mbajtjen e premtimeve si nga qeveria, ashtu edhe nga investitorët.
Rritja e shpejtë e turizmit tashmë po e transformon vendin.
Kur Rama erdhi në pushtet, më pak se dy milionë turistë kalonin kufijtë e Shqipërisë çdo vit. Sot, sipas tij, kjo shifër i kalon 12 milionët.
Vizitorët tërhiqen nga plazhet, malet, çmimet relativisht të përballueshme dhe ndjesia e zbulimit të një vendi që ende nuk është përfshirë plotësisht nga turizmi masiv.
Edhe ekonomia është zgjeruar. Rama thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga më pak se 10 miliardë euro (8.3 miliardë paund) në rreth 30 miliardë euro brenda një dekade. Kostoja e jetesës, së bashku me korrupsionin dhe cenimin e të drejtave të njeriut, nxit protestat.
Megjithatë, ai e pranon se transformimi ekonomik sjell pritshmëri gjithnjë e më të larta. Njerëzit që dikur kërkonin një rrugë të re, thotë ai, tani kërkojnë rrugën që ende mungon.
Rama citon Alexis de Tocqueville për të shpjeguar pse përparimi ekonomik nuk sjell domosdoshmërisht kënaqësi. Mendimtari politik francez i shekullit XIX vuri në dukje se përmirësimi i kushteve mund t'i bëjë njerëzit gjithnjë e më të vetëdijshëm jo për atë që kanë fituar, por për atë që ende u mungon.
“Njerëzit nuk shtrojnë më pyetjen: A ka ndryshuar Shqipëria? Sot njerëzit shtrojnë pyetjen: ‘Ku jam unë në këtë ndryshim? Çfarë përfitoj unë prej tij?’”
Ai e pranon se një vend mund të bëhet më i pasur dhe më tërheqës për investitorët e huaj, ndërkohë që disa prej qytetarëve të tij ndiejnë se nuk kanë përfituar mjaftueshëm nga rezultatet e këtij zhvillimi. Rritja ekonomike, siç e pranon ai, duhet të përkthehet përfundimisht në një mirëqenie që ndahet më gjerësisht.
Korrupsioni, liria e medias, pavarësia e gjyqësorit dhe të drejtat e grupeve të cenueshme mbeten gjithashtu shqetësime legjitime. Konkurrenca politike është reale, por polarizimi dhe dominimi i figurave të konsoliduara politike e kanë bërë ndonjëherë të vështirë që institucionet të zhvillojnë pavarësinë që pritet nga një demokraci evropiane e konsoliduar.
Për Ramën, ambicia më e madhe mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Duam të anëtarësohemi tani, por nuk do ta ndryshojmë kurrë mendjen për anëtarësimin, edhe nëse Bashkimi Evropian zhduket. Do ta krijojmë në Tiranë”, thotë ai.
Ai e sheh Evropën si një projekt paqeje, sigurie dhe bashkëpunimi, dhe jo thjesht si një marrëveshje financiare.
“Ne vijmë nga një histori ku ishim të detyruar të jetonim nën sundimin e fuqive, perandorive dhe regjimeve. Nuk kemi qenë kurrë në gjendje të zgjedhim”, shton Rama.
Pikëpamjet e tij për Brexit-in janë, siç mund të pritej, të prera dhe pa kompromis. Ai citon Tony Blair, të cilin e konsideron një ndikim vendimtar në zhvillimin e tij politik. Rama beson se Britania votoi për t'u larguar nga Bashkimi Evropian pa pasur një ide të besueshme se çfarë do ta zëvendësonte anëtarësimin.
“Nuk është se e mendoj unë”, thotë ai kur pyetet nëse Brexit-i ishte një gabim. “Është ajo që ndodhi më pas që po e provon çdo ditë”.
Rama ia atribuon Partisë Laburiste të Re frymëzimin për t'u bërë drejtues partie.
“Nëse Tony Blair dhe New Labour nuk do të kishin ekzistuar, me shumë gjasë nuk do të isha frymëzuar për t'u bërë drejtues partie.”
Ai përmend transformimin që Blair i bëri Partisë Laburiste, qasjen e saj pragmatike dhe përpjekjen për të kapërcyer ndarjet tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.
“Hapat transformues për Britaninë ishin fantastikë. Sidomos gjuha e New Labour, qasja pragmatike, risia e kapërcimit të së majtës dhe së djathtës, tejkalimi i ideologjisë”, thotë ai.
Me kalimin e kohës, të dy u bënë miq. Rama kujton një udhëtim në Londër me drejtorin e tij të ri të komunikimit për të takuar Alastair Campbell, me të cilin kishin kontaktuar përmes Facebook-ut.
Udhëtimi me taksi dukej sikur nuk do të përfnte kurrë. Rama filloi të dyshonte se shoferi po i mashtronte, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke i sorollatur me makinë. Por në vend të kësaj, ata mbërritën te dera e Campbellit.
Ai e quan me përzemërsi “Princi i Errësirës”, nofkë që zakonisht i është atribuuar një tjetër mjeshtri të metodave të errëta të fushatave politike, Peter Mandelsonit.
“Pjesa më e bukur e politikës është se më bëri të njoh njerëz të jashtëzakonshëm dhe të krijoj miqësi me njerëz si Tony Blair, si Alastair Campbell, për të cilët do të kisha paguar vetëm që t'i shihja, jo më të bëhesha mik me ta”, tha ai.
Rama është krenar për këtë marrëdhënie. Ai beson gjithashtu se qëndrimi për periudha të gjata në pushtet mund t'u sjellë përfitime vendeve demokratike, duke u mundësuar qeverive të ndjekin projekte që përndryshe mund të braktiseshin nga administratat pasardhëse.
Ai përmend Thatcherin, Helmut Kohlin dhe Angela Merkelin si shembuj. Bën shaka se, si socialist, ndoshta nuk duhet t'i lavdërojë të gjithë.
Dhe humori e arti i tij dalin vazhdimisht në pah.
“Unë jam artisti më i mirë mes kryeministrave dhe askush nuk mund të ma marrë këtë”, thotë ai. “Dhe jam kryeministri më i mirë mes artistëve dhe askush nuk mund të më thotë se nuk është kështu.”
Lapsat me ngjyra mbi tryezën e tij janë një kujtesë se, edhe mes lodhjes dhe burokracisë së qeverisjes, ai dëshiron të ruajë lirinë për të vizatuar, eksperimentuar dhe menduar përmes imazheve.
Shqipëria e fëmijërisë së tij ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme krahasuar me vendin që ai drejton sot. Një komb dikur i izoluar nga bota tani po tërheq miliona vizitorë, investime ndërkombëtare dhe vëmendjen e disa prej njerëzve më të pasur në botë. Qytetarët e tij votojnë, debatojnë, protestojnë, krijojnë biznese dhe udhëtojnë lirisht.
Transformimi është ende larg përfundimit dhe pothuajse të gjithë përmendin korrupsionin. Nëse faza e ardhshme do të arrijë të shpërndajë më gjerësisht mirëqenien, të mbrojë trashëgiminë natyrore të vendit dhe të forcojë institucionet demokratike, kjo do të jetë masa e vërtetë me të cilën do të vlerësohet trashëgimia e Ramës.
Për momentin, lapsat me ngjyra mbeten mbi tryezën e tij. Jashtë, Shqipëria po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Rama është i vendosur t'i japë formë këtij ndryshimi dhe të sigurojë që vendi i tij të zërë më në fund vendin që i takon në Evropë.
Sa për Nigel Farage, ai tashmë është paralajmëruar. Disa mallkime politike, me sa duket, nuk duhen marrë lehtë. /Pamfletirama britani Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike “Flamingot” kundër korrupsionit, Ditmir Bushati: Shqipëria ka nevojë për ndryshim që të hyjë në BE 17 Nëntor 2026, 19:5819:58Politike Hija e Kremlinit mbi Ballkan, kush është në shënjestër? Rreziku nga një krizë e re 17 Nëntor 2026, 18:2818:28Politike Shqipëria e Edi Ramës vazhdon të presë trenin... 17 Nëntor 2026, 17:5817:58Politike Tenderët, gangrena e korrupsionit; si mashtron Rama me standardet europiane 17 Nëntor 2026, 17:4517:45Politike Reforma Zgjedhore, loja e dy partive të mëdha; pse ndryshimi i sistemit po kushtëzohet me një marrëveshje të re? 17 Nëntor 2026, 17:4417:44Politike Pas "Diellës" vjen "Gjoni", Rama: Do merret me Prokurimet Publike 17 Nëntor 2026, 14:4714:47Politike

