Një prapaskenë e bujshme nga fundi i epokës së Didier Deschamps te kombëtarja franceze është zbuluar pas Kupës së Botës 2026. Sipas gazetarit François Vignolle, ish-trajneri i “Les Bleus” është ndjerë i pambështetur nga drejtuesit e Federatës Franceze të Futbollit gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara. Në një intervistë për revistën Paris Match, Vignolle, bashkautor i librit “Des étoiles dans leurs yeux”, ka rrëfyer se Deschamps kishte krijuar bindjen se federata kishte nisur tashmë të mendonte për pasardhësin e tij: Zinédine Zidane.
Sipas gazetarit, në kampin francez ekzistonte një distancë e dukshme mes stafit teknik dhe drejtuesve të federatës, një ndarje që ai e përshkroi metaforikisht si “një mur i Bostonit”. Skuadra qëndronte në hotelin Four Seasons, ndërsa rrethi i presidentit të FFF-së, Philippe Diallo, dukej gjithnjë e më i shkëputur nga trajneri dhe stafi i tij.
Kjo situatë, sipas Vignolle, e bëri Deschamps të ndihej i vetëm dhe i pavlerësuar, pavarësisht se ai kishte drejtuar Francën për më shumë se një dekadë dhe kishte sjellë sukseset më të mëdha në historinë moderne të kombëtares. “Është një person shumë i ndjeshëm, edhe pse imazhi publik është ai i një njeriu të fortë dhe të ftohtë”, ka theksuar gazetari francez.
Deschamps kishte bërë të ditur që në janar se do të largohej pas Kupës së Botës 2026. Sipas Vignolle, ky vendim nuk ishte vetëm një zgjedhje personale, por edhe një mënyrë për t’i dhënë fund spekulimeve të vazhdueshme rreth pasardhësit të tij.
Largimi i tij i hapi rrugën Federatës Franceze për të nisur një kapitull të ri me Zinédine Zidane, emri që prej vitesh konsiderohej si pasuesi natyral i Deschamps në stolin e kombëtares. Në Botërorin 2026, Franca nuk arriti objektivin maksimal, duke e mbyllur turneun në vendin e katërt. Ndeshja e fundit e Deschamps në drejtimin e “Les Bleus” ishte një humbje spektakolare 6-4 ndaj Anglisë, përpara se më 28 korrik 2026, Zidane të prezantohej zyrtarisht si trajneri i ri i Francës me një kontratë katërvjeçare.
Pas një epoke të artë me Kupën e Botës 2018 dhe finalen e Botërorit 2022, historia e Deschamps me Francën përfi me sukses, por edhe me një ndjenjë zhgënjimi në prapaskenë. Top Channel

