Një ngjarje e rëndë që për pak sa nuk përfi në tragjedi ka tronditur opinionin publik në Brazil, ku një ndeshje futsali për fëmijë nën moshën 10 vjeç degjeneroi në përdorimin e armës së zjarrit. Incidenti ndodhi në qytetin Criciúma, në shtetin e Santa Catarina-s, gjatë një turneu lokal. Loja u ndërpre rreth minutës së shtatë pasi trupa e gjyqtarëve zbatoi rregulloren e sigurisë, duke kërkuar që portieri i njërës prej skuadrave të hiqte vathin që mbante në vesh. Kjo kërkesë nxiti reagimin agresiv të babait 41-vjeçar të njërit prej fëmijëve në stol, i cili filloi të ofendonte arbitrat dhe u nxor nga salla prej të pranishmëve.
Pavarësisht se u largua nga ambienti sportiv, autori u kthye me automjetin e tij dhe priti përfundimin e takimit jashtë ndërtesës. Në momentin kur tre gjyqtarët po i afroheshin makinës së tyre, 41-vjeçari i kërcënoi ata dhe hapi zjarr në drejtim të automjetit.
Fatmirësisht, asnjë nga tre pjesëtarët e trupës së gjyqtarëve nuk mbeti i lënduar fizikisht, ndonëse të gjithë pësuan gjendje të rëndë shoku psikologjik. Forcat e policisë ndërhynë me shpejtësi dhe e lokalizuan të dyshuarin në të njëjtën zonë, teksa po përpiqej të ndërronte automjetin për t’u arratisur. Edhe pse i rezistoi arrestimit, ai u prangos nga policia, e cila i konfiskoi armën e zjarrit, municionet dhe një sasi parash.
Gjyqësori e ka regjistruar çështjen si tentativë për vrasje të cilësuar për motive banale, ndërsa pas seancës dëgjimore ndaj 41-vjeçarit u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”.
Pas ngjarjes reaguan menjëhirë Sindikata e Gjyqtarëve të Futbollit të Santa Catarina-s (SINAFESC) dhe Federata Lokale e Futsalit (FCFS), të cilat dënuan ashpër aktin e dhunshëm, duke theksuar se asnjë mosmarrëveshje në fushën e lojës nuk mund të justifikojë kërcënimet apo sulmet me armë ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Top Channel

