Rrjetet kriminale shqiptare po forcojnë gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre në Amerikën Latine, duke zgjeruar aktivitetin në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Prej më shumë se një dekade, organizatat shqiptare kanë kaluar nga roli i ndërmjetësve mes furnizuesve të Amerikës së Jugut dhe grupeve kriminale evropiane, në aktorë të rëndësishëm në disa hallka të këtij aktiviteti kriminal. Sipas një analize të publikuar nga "Diálogo Américas", këto rrjete kanë ndërtuar lidhje me organizata kriminale në Ekuador, Kolumbi, Peru, Brazil, Paraguai dhe Meksikë, duke krijuar një strukturë bashkëpunimi që shtrihet nga sigurimi i drogës deri te transporti dhe shpërndarja e saj në tregjet evropiane. LEXO edhe...Belgjikë/ U kap me kufje gjatë provimit të patentës, shqiptari përfn në gjykatë: Po prisja një telefonatë nga kolegu Ndryshe nga kartelet e mëdha, organizatat shqiptare nuk mbështeten te prania masive e njerëzve apo kontrolli i drejtpërdrejtë i territoreve. Ato funksionojnë përmes grupeve të vogla të personave kyç, të cilët koordinojnë marrëveshje me partnerë lokalë dhe ndërkombëtarë. Fatjona Mejdini, drejtoreshë e Observatorit për Evropën Juglindore pranë Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, shpjegon se këto grupe veprojnë në mënyrë të pavarur dhe krijojnë partneritete sipas interesave të tyre, pa qenë struktura të nënshtruara ndaj karteleve latino-amerikane. Ekuadori, një nga qendrat kryesore të aktivitetit Ekuadori është kthyer në një nga pikat më të rëndësishme për rrjetet shqiptare, për shkak të pozicionit gjeografik mes Kolumbisë dhe Perusë, si dhe porteve të mëdha tregtare që shërbejnë si pika eksporti drejt Evropës. Sipas analizës, organizatat shqiptare kanë krijuar marrëdhënie me grupe kriminale vendase, përfshirë Los Lobos dhe Los Choneros, duke bashkëpunuar në sigurimin dhe transportin e kokainës. Një prej rasteve të përmendura lidhet me portin e Mantës, ku një kompani eksportuese toni dyshohet se është përdorur nga rrjete kriminale të Ballkanit për të transportuar rreth 11 tonë kokainë drejt Evropës gjatë periudhës 2020-2025. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e kompanive që operojnë në sektorët e bananeve, peshkimit dhe logjistikës për të maskuar aktivitetet e paligjshme brenda tregtisë së zakonshme. Rrjetet shqiptare në Brazil, Paraguai dhe Kili Prania e organizatave shqiptare nuk kufizohet vetëm në Ekuador. Në Brazil, rasti i Ervin Matës përmendet si një shembull i lidhjeve mes operatorëve të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve kriminale evropiane. Mata u arrestua në prill në Ilhabela, në shtetin e Sao Paulos, me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ai lidhet me disa sekuestrime të mëdha kokaine në Holandë dhe Brazil, ndërsa ndaj tij ka pasur edhe dyshime për përfshirje në planifikimin e vrasjeve në Shqipëri. Një tjetër rast i rëndësishëm është ai i Franc Çopjas në Paraguai, i cili, sipas hetimeve, negocionte sasi të mëdha droge përmes një rrjeti partnerësh në Amerikën Latine. Organizata e lidhur me të dyshohet se qëndronte pas trafikut të rreth 28 tonëve kokainë gjatë vitit 2020. Një pjesë e ngarkesave u sekuestruan në porte evropiane, përfshirë Hamburgun dhe Antverpin. Ndërkohë, në Kili përmendet rasti i Viktor Gjinit, shtetas shqiptar i lindur në Kosovë, i cili në vitin 2023 dyshohet se shqyrtoi mundësinë e përdorimit të porteve kiliane për transportimin e kokainës drejt Roterdamit. Operacioni përfi me sekuestrimin e rreth 98 kilogramëve drogë dhe arrestimin e tij. Pastrimi i parave, një tjetër hallkë e rrjeteve kriminale Përveç trafikut të kokainës, një rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si organizatat kriminale menaxhojnë dhe pastrojnë fitimet e përfituara nga aktivitetet e paligjshme. Në Meksikë, në nëntor 2025, Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi sanksione ndaj grupit kriminal Hysa Organized Crime Group (HOCG), i njohur edhe si grupi ISA, duke e akuzuar për përdorimin e kazinove dhe restoranteve për pastrimin e parave të siguruara nga trafiku i drogës. Sipas autoriteteve amerikane, grupi dyshohet se vepronte me miratimin e Kartelit të Sinaloas. Ndërkohë, në Evropë, rrjetet shqiptare kanë krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me organizata të njohura kriminale, si 'Ndrangheta italiane dhe Mocro Mafia. Këto bashkëpunime zhvillohen kryesisht përmes marrëveshjeve të veçanta dhe projekteve individuale. Autoritetet përballë një rrjeti që kapërcen kufijtë Zgjerimi i aktivitetit kriminal në disa kontinente e bën më të vështirë punën e autoriteteve, pasi grupet mund të ndryshojnë partnerët dhe rrugët e transportit në varësi të rrethanave. Për këtë arsye, ekspertët vlerësojnë se lufta kundër këtyre organizatave kërkon bashkëpunim të koordinuar mes vendeve të Amerikës Latine dhe atyre evropiane, shkëmbim informacioni dhe hetime të përbashkëta financiare. Shqipëria bashkëpunon me Eurojust-in që prej vitit 2018, ndërsa në vitin 2026 u mbështetën edhe ekipet e para të përbashkëta hetimore mes Shqipërisë dhe Kolumbisë. Sipas ekspertëve, sfida nuk qëndron vetëm në kapjen e ngarkesave të drogës apo arrestimin e personave të përfshirë, por edhe në identifikimin e kompanive, ndërmjetësve dhe burimeve financiare që mbajnë në funksion këto organizata Analiza nënvizon se krimi i organizuar shqiptar ka fituar një dimension gjithnjë e më ndërkombëtar, duke u përshtatur me tregjet dhe partneritetet e reja dhe duke e shndërruar Amerikën Latine në një pikë strategjike për aktivitetin e tij kriminal./ Diálogo Américas Xh.K/ReportTv.al ekuador amerika latine kokaine trafik droge shqiptar Komento Komente Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 70.9% Protesta 23.1% Asnjëra 6% Vota total: 2633 Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?

