Foto ilustruese Nga pagesat për kontrolle mjekësore të pakryera dhe miliona euro kosto shtesë për koncesionet, te kontratat që tejkalojnë fondet, parapagimet për dronët pa miratimet e kërkuara, borxhet e papaguara dhe pensionistët që marrin bonuse në vend të rritjeve të qëndrueshme. Raporti 121-faqësh i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i depozituar në Kuvend ditët e fundit dhe i sigurur nga "Pamfleti", zbulon një tablo të rëndë të administrimit të parave publike gjatë vitit 2025. Miliona euro të paguara për shërbime që nuk janë kryer, kontrata publike të lidhura përtej fondeve të miratuara, parapagime pa dokumentacionin dhe autorizimet e kërkuara, detyrime që grumbullohen vit pas viti dhe shpenzime që nuk pasqyrohen saktë në bilancet e shtetit.
Këto janë vetëm disa nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin për zbatimin e buxhetit të vitit 2025, një dokument që nxjerr në pah probleme serioze në mënyrën se si institucionet shtetërore kanë administruar paratë e taksapaguesve shqiptarë.
KLSH ka arritur në një konkluzion të kualifikuar të auditimit, duke evidentuar mospërputhje materiale me kërkesat ligjore në planifikimin dhe rishikimin e buxhetit, ekzekutimin e shpenzimeve, administrimin e të ardhurave, raportimin fiskal dhe menaxhimin e detyrimeve financiare.
Një nga gjetjet më të rënda lidhet me koncesionin e kontrollit mjekësor bazë, të njohur si Check-Up. Sipas KLSH-së, gjatë periudhës 2015–2025, ndaj koncesionarit janë kryer pagesa totale prej 8.05 miliardë lekësh me TVSH, për 4,366,140 kontrolle të financuara. Por nga këto, vetëm 3,877,008 kontrolle janë realizuar.
Diferenca është 489,132 kontrolle të pakryera, për të cilat buxheti ka paguar rreth 902 milionë lekë.
Edhe koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale paraqet një faturë të rëndë. Financimi buxhetor për periudhën 2016–2025 ka arritur në 15.11 miliardë lekë, duke tejkaluar me 3.52 miliardë lekë, ose 30.4%, vlerën maksimale të planifikuar.
KLSH konstaton gjithashtu një kosto shtesë prej 2.52 miliardë lekësh nga trajtimi me TVSH i këtij shërbimi.
Vetëm nga trajtimi me TVSH i dy koncesioneve shëndetësore, kostot shtesë të identifikuara nga auditimi arrijnë në rreth 3.86 miliardë lekë.
Në rastin e sterilizimit, auditimi evidenton edhe një tjetër problem: gjatë periudhës 2016–2021 nuk janë kryer monitorime nga strukturat përgjegjëse, ndërsa kontrollet e mëvonshme nuk kanë garantuar verifikimin e plotë të detyrimeve kontraktuale.
Në sektorin shëndetësor, parregullsitë shtrihen edhe te barnat e rimbursueshme. KLSH ka evidentuar 373 barna pa konsum, mes tyre 77 alternativa të para, pa verifikime të mjaftueshme mbi disponueshmërinë e tyre në treg.
Gjithashtu, janë konstatuar 200 barna pa kontratë, nga të cilat 64 kanë pasur konsum të realizuar.
Auditimi evidenton se 19 importues dhe distributorë farmaceutikë kanë regjistruar dalje të 9.3 milionë njësive të barnave me vlerë zero, përfshirë 283 mijë njësi në prag skadence, pa verifikime të mjaftueshme mbi destinacionin dhe përdorimin e tyre.
Në të njëjtën kohë, 366 milionë lekë të planifikuara për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve kanë mbetur të pashfrytëzuara, ndërsa investimet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë realizuar në masën vetëm 2.3% të planit vjetor.
Një tjetër kapitull i rëndë i raportit lidhet me investimet publike.
KLSH ka konstatuar 44 raste, me vlerë kontratash prej 16.83 miliardë lekësh, ku procedurat e prokurimit janë iniciuar për vlera më të larta se fondet në dispozicion.
Në 39 projekte të tjera janë marrë angazhime financiare mbi fondet buxhetore të miratuara, me një diferencë prej 4.28 miliardë lekësh.
Këto nuk janë thjesht gabime teknike në tabela. Bëhet fjalë për angazhime financiare të institucioneve publike që, sipas auditimit, nuk kanë respektuar kufijtë e financimit.
Edhe më problematike janë konstatimet për parapagimet në projektet e mbrojtjes.
Për tre projekte investimi, me parapagime totale prej 1.15 miliardë lekësh, KLSH nuk ka gjetur dokumentacionin justifikues për trajtimin e tyre si raste me rëndësi të veçantë.
Për dy projekte, konkretisht blerjen e dronëve dhe ndërtimin e sistemit antidron, me parapagime prej 841.7 milionë lekësh, auditimi konstaton se nuk është evidentuar miratimi paraprak i ministrit të Financave.
Jo vetëm kaq. Këto parapagime janë kryer në masën 20% të vlerës së kontratave, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar ishte 10%.
Pra, për projekte me qindra milionë lekë, KLSH evidenton njëkohësisht mungesën e autorizimeve të kërkuara dhe tejkalimin e kufirit të parapagimit.
Raporti zbulon gjithashtu një praktikë shqetësuese në regjistrimin e kontratave publike.
Gjatë vitit 2025, plot 5,868 kontrata, me vlerë totale 119.55 miliardë lekë, janë regjistruar në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë përtej afatit ligjor pesëditor.
Në Thesar janë dorëzuar jashtë afatit edhe 25,793 fatura, me vlerë totale 64.24 miliardë lekë, nga 748 njësi shpenzuese.
Madje, KLSH ka evidentuar 175 raste, me vlerë 9.12 miliardë lekë, ku data e kontratës rezulton më e hershme se data e kërkesë-blerjes.
Me fjalë të tjera, në dokumentacionin e këtyre rasteve, kontrata figuron e lidhur përpara kërkesës për blerjen përkatëse.
KLSH ka evidentuar gjithashtu 40 raste, me fatura në vlerë 3.26 miliardë lekë, ku pagesat nuk janë ekzekutuar sipas radhës kronologjike të parashikuar.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 janë shlyer nga buxheti 9.46 miliardë lekë detyrime të prapambetura që u përkisnin viteve 2008–2024.
Edhe vetë funksionimi i sistemeve informatike të financave publike ka qenë problematik.
Sipas raportit, sistemi AFMIS ka funksionuar pa mbështetje teknike që prej korrikut 2024, ndërsa Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë ka mbetur pa mbështetje funksionale të jashtme pas përfundimit të kontratës së mirëmbajtjes në tetor 2025.
Situata ka shkuar deri aty sa, në fund të dhjetorit 2025, Ministria e Financave ka urdhëruar vijimin e ekzekutimit të buxhetit përmes dorëzimit fizik të dokumentacionit në degët e Thesarit.
KLSH konstaton se dokumentacioni i kësaj periudhe nuk është arkivuar elektronikisht as pas zgjidhjes së problematikave të sistemit.
Një tjetër gjetje me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët lidhet me pensionet.
KLSH evidenton se financimi shtesë i pensioneve gjatë vitit 2025 është orientuar kryesisht drejt bonuseve të njëhershme, në vend të indeksimit që ndikon në mënyrë të qëndrueshme në të ardhurat mujore të pensionistëve.
Fondi për indeksimin e pensioneve është ulur nga 1.61 miliardë lekë në 1.14 miliardë lekë, ndërsa fondi për bonusin e pensionistëve është rritur nga 3.75 miliardë lekë në 9.7 miliardë lekë.
Për më tepër, për financimin e bonusit të fundvitit janë përdorur edhe 705 milionë lekë nga pakësimi i fondeve të planifikuara për pensione, pa një analizë financiare të miratuar mbi ndikimin e këtij rialokimi.
E njëjta logjikë është ndjekur edhe me familjet në nevojë.
Sipas KLSH-së, gjatë viteve 2023–2025 nuk është zbatuar indeksimi i ndihmës ekonomike, megjithëse kuadri rregullator parashikon rritjen e saj sa herë indeksohet pensioni social dhe në të njëjtën masë.
Pensioni social është indeksuar me 8.6% në vitin 2023, 4.1% në vitin 2024 dhe 2.5% në vitin 2025, por përfitimet e ndihmës ekonomike nuk janë rritur sipas këtij mekanizmi.
Në vend të rritjes së qëndrueshme të pagesës mujore, mbështetja është orientuar drejt pagesave të njëhershme, përfshirë 2.22 miliardë lekë të akorduara në fund të vitit 2025 për përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara.
Kështu, ndërsa pensionistët dhe familjet në nevojë kanë marrë bonuse të përkohshme, mekanizmat e parashikuar për rritjen e qëndrueshme të përfitimeve nuk janë zbatuar plotësisht.
Raporti nxjerr në pah edhe mënyrën se si janë administruar fondet rezervë të qeverisë.
Nga 12 vendime të Këshillit të Ministrave për përdorimin e Fondit Rezervë, KLSH ka identifikuar pesë vendime, me vlerë totale rreth 782 milionë lekë, që kanë financuar veprimtari dhe detyrime të parashikueshme, të cilat duhej të ishin përfshirë në planifikimin normal të buxhetit.
Një rast konkret janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Megjithëse buxheti kishte parashikuar një fond të posaçëm prej 2.5 miliardë lekësh për organizimin e tyre, qeveria ka miratuar edhe 927.2 milionë lekë financim shtesë nga Fondi Rezervë.
Sipas KLSH-së, financimi i përgjithshëm për zgjedhjet ka rezultuar 37.1% mbi nivelin e planifikuar fillimisht.
Edhe Fondi i Rindërtimit ka pasur probleme serioze me shpërndarjen e fondeve.
Nga 5 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2025, janë shpërndarë vetëm 1.73 miliardë lekë përmes 18 vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Të gjitha këto vendime janë miratuar në dhjetor, ndërsa shtatë prej tyre, me vlerë 763.4 milionë lekë, janë marrë më 30 dhjetor, vetëm një ditë përpara përfundimit të vitit.
KLSH konstaton gjithashtu se janë miratuar projekte të reja pa u siguruar më parë financimi për përfundimin e projekteve të mbartura.
Në raport evidentohet edhe klasifikimi i pasaktë i 1.28 miliardë lekëve shpenzime operative dhe transferta, të raportuara si shpenzime kapitale.
Një tjetër problem lidhet me ritmin e shpenzimeve të shtetit.
Vetëm gjatë dhjetorit 2025 janë kryer shpenzime prej 162.54 miliardë lekësh, ose 20.3% e totalit vjetor.
Po në këtë muaj është realizuar rreth 40.6% e shpenzimeve kapitale të gjithë vitit.
Deficiti i vetëm muajit dhjetor ka arritur në 96.2 miliardë lekë, duke përthithur të gjithë suficitin prej 49.1 miliardë lekësh të krijuar gjatë periudhës janar–nëntor.
Kjo përqendrim i shpenzimeve në fund të vitit shoqërohet me një tjetër konstatim: buxheti ka pësuar 28,412 ndryshime në zërat buxhetorë, të lidhura me 3,106 rishikime unike, ndërsa rreth 17% e ndryshimeve janë kryer vetëm në dhjetor.
Auditimi evidenton se plani buxhetor i vitit 2025 është ndryshuar edhe pas përfundimit të vitit, deri në shkurt 2026.
Probleme të mëdha janë konstatuar edhe në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor ka arritur në 194.43 miliardë lekë, me një rritje prej 19.6% krahasuar me vitin 2024. Rreth 60% e këtij borxhi përbëhet nga detyrime më të vjetra se pesë vjet.
Borxhi doganor ka arritur në 61.83 miliardë lekë, duke u rritur me 25.9%, ndërsa 77% e tij përbëhet nga detyrime mbi pesëvjeçare.
Të marra së bashku, detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara arrijnë në rreth 256.26 miliardë lekë.
Ndërkohë, KLSH konstaton mangësi në ndjekjen e debitorëve dhe zbatimin në kohë të procedurave të mbledhjes me forcë.
Edhe ndërmarrjet publike vijojnë të rëndojnë financat e shtetit.
Detyrimet e raportuara ndërmjet kompanive publike në sektorin e energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve, si dhe ndaj buxhetit të shtetit, kanë arritur në 175.42 miliardë lekë në fund të vitit 2025.
Kjo shumë është rritur me 4.18 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë, pavarësisht mbështetjes buxhetore prej 5.28 miliardë lekësh për sektorin energjetik gjatë vitit.
Shteti përballet edhe me detyrime të konsiderueshme nga vendimet gjyqësore dhe arbitrazhet ndërkombëtare.
Për nëntë vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të cilat ishte tejkaluar afati tremujor i ekzekutimit, detyrimet faktike dhe kontingjente të raportuara kanë arritur në 19.95 milionë euro.
Vetëm interesat e akumuluara nga vonesat kanë arritur në rreth 4.59 milionë euro.
Ndërkohë, detyrimet faktike dhe kontingjente të raportuara për çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar arrijnë në 179.95 milionë euro.
Në këtë tablo, një nga konstatimet më domethënëse të KLSH-së është se shteti shqiptar vijon të mos hartojë pasqyrat financiare të konsoliduara.
Për pasojë, nuk është mundësuar certifikimi i tyre për vitin 2025 dhe mbetet i kufizuar vlerësimi i plotë i aktiveve, detyrimeve dhe pozicionit financiar të sektorit publik.
Problemi shtrihet edhe te institucionet që duhet të kontrollojnë përdorimin e fondeve.
KLSH konstaton se 45 njësi publike nuk mbulohen nga shërbimi i auditimit të brendshëm, ndërsa 152 nga 465 audituesit në detyrë rezultojnë të pacertifikuar.
Procesi i certifikimit nuk është realizuar për të tretin vit radhazi.
Nga 7,095 rekomandime të pranuara të auditimit të brendshëm gjatë vitit 2025, vetëm 4,143, ose 58.4%, rezultojnë të zbatuara.
Edhe vlerësimi i cilësisë së sistemeve të kontrollit jep një pamje shqetësuese: nga 19 institucione të vlerësuara, vetëm katër kishin sistem efektiv kontrolli, nëntë pjesërisht efektiv dhe gjashtë joefektiv.
Të gjitha këto gjetje marrin peshë edhe më të madhe kur vendosen përballë shifrave zyrtare të buxhetit.
Gjatë vitit 2025, shpenzimet e përgjithshme të raportuara të shtetit kanë arritur në 801.69 miliardë lekë. Por KLSH evidenton se në këtë shumë është përfshirë edhe një transfertë prej 16.58 miliardë lekësh drejt Fondit të Pensioneve, e cila nuk përbën shpenzim buxhetor sipas trajtimit të auditimit.
Nga ana tjetër, të ardhurat tatimore rezultojnë të mbivlerësuara me 3.75 miliardë lekë për shkak të përfshirjes së parapagimeve. /Pamfleti fonde klsh ff20ebe7 70ae 45e3 a830 acf4eb2d9097 screenshot 27 screenshot 28 screenshot 29 screenshot 30 screenshot 31 screenshot 32 screenshot 33 screenshot 34 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Europa në deficit, Shqipëria peng i importeve: Blejmë 2,5 herë më shumë sesa shesim! 14 Nëntor 2026, 12:0412:04Ekonomi Euro në greminë, si këmbehen sot monedhat e huaja 14 Nëntor 2026, 07:2507:25Ekonomi Struktura e shpenzimeve; shqiptarët punojnë për të mbijetuar, europianët për të jetuar 13 Nëntor 2026, 17:0017:00Ekonomi Pëlhura e Penelopës mbi Milot–Balldren: Ministri Karakaçi vendos afate ditën dhe i zhbën natën 13 Nëntor 2026, 15:0815:08Ekonomi Qeveria kërkon 9 miliardë lekë borxh të ri, tregu nuk e mbulon plotësisht ofertën! 13 Nëntor 2026, 12:0012:00Ekonomi Çmimet në Tiranë, deri në 50% më të shtrenjta se në rajon, rekord bulmeti 13 Nëntor 2026, 07:3407:34Ekonomi

