Kryeinspektori Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, ka komentuar zhvillimet politike në Partinë Demokratike, protestat e opozitës dhe vendimin e tij për t’iu bashkuar mazhorancës socialiste. Sula, i cili në të kaluarën ka qenë deputet i PD-së dhe është bërë i njohur edhe për daljen në Kuvend me qepë dhe presh, kritikoi gjendjen e opozitës, duke deklaruar se përçarjet e brendshme dhe mungesa e një strukture të konsoliduar po dëmtojnë besimin e qytetarëve. Ai u ndal edhe te protestat e opozitës, duke u shprehur kundër dhunës dhe përdorimit të molotovëve. Sipas tij, opozita duhet të krijojë shpresë te qytetarët dhe të ushtrojë presion politik ndaj mazhorancës, në vend që të përfshihet në përplasje të dhunshme. Duke folur për largimin nga PD-ja dhe kalimin në krahun e socialistëve, Sula përdori një metaforë për të shpjeguar vendimin e tij, duke thënë se asnjë marrëdhënie nuk mund të mbahet me forcë. Ai pranoi se vendimi nuk kishte qenë i lehtë dhe se e kishte menduar për javë e muaj, ndërsa bëri të ditur se kishte zhvilluar disa takime me kryeministrin Edi Rama, i cili i kishte kërkuar të kontribuonte. “Nëse ndodh kjo që po ndodh, është gjë e mirë. Opozita ka kauzat e veta politike. Nëse opozita nuk është në nivelin e vet që të bëjë opozitën, është në dëm të demokracisë. Duhet të bëjë presion te mazhoranca. Po nuk ishe në rregull për veten tënde, mos prit nga të tjerët. Opozita duhet të jetë e kuruar, e strukturuar. Përballë mazhorancës dhe qytetarëve, ti do të duhet të ngjallësh shpresë. Edhe kur isha unë aty, ishim në luftë civile në PD, nga 10 shtatori i vitit 2021 deri në vitin 2025. Çfarë mesazhi u japim qytetarëve ne? Sot ke protesta ku ka dhunë. Mua më vjen turp për 10 janarin. Si njeri që kam qenë aty në atë kohë, kur shihje vëlla dhe motër që thyenin selinë, si mund të ngjallë shpresë një opozitë kur ke problematika të tilla?! Ka dhe kolegë të nderuar në PS.
Zërat në PD kanë rënë totalisht. I hoqi të gjithë të mirët. Kjo e imja nuk është hakmarrje. As gruaja nuk mbahet me zor, as burri. Po të përzunë, s’do rrish pa u martuar, s’do rrish pa dashuruar. Unë jam te mazhoranca sot, por e kam pyetur veten disa herë, për disa javë e muaj pasi kam marrë një vendim. Mos kujtoni se ka qenë e lehtë. E mohova, se nuk kisha vendosur akoma. Kam pasur disa takime me kryeministrin, që më ka kërkuar të kontribuoj. I jam mirënjohës. Doja t’i tregoja edhe familjes që unë isha aty, që kam detyrime dhe peshë. Rruga e duhur nuk është molotovi, as dhuna, por fitimi i shpirtit dhe i zemrave, ngjallja e shpresave te qytetarët.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Dash Sula
