Historia e jashtëzakonshme vjen nga Londra dhe duket më shumë si skenar filmi sesa si një ngjarje reale. George Desmond Kamurasi, portier i një skuadre të ligave të ulëta angleze dhe njëkohësisht yll i rrjeteve sociale, është zgjedhur si sundimtari i ri i Mbretërisë së Toros në Ugandë. Nga rrugët e Londrës dhe një periudhë në burg në adoleshencë, te futbolli i ligave të ulëta angleze dhe tani drejt fronit mbretëror në Afrikë. Kjo është historia e jashtëzakonshme e 36-vjeçarit George Desmond Kamurasi. Nga Londra në portat e futbollit
Kamurasi është 1.98 metra i gjatë dhe prej vitesh luan si portier në nivelet e ulëta të futbollit anglez. Ai ka veshur fanellat e klubeve si Ashford United, Hightown dhe Greenwich, ndërsa është bërë veçanërisht i njohur si kapiten dhe portier i parë i SE Dons. Klubi londinez luan në nivelin e nëntë të piramidës së futbollit anglez dhe ka fituar një popullaritet të madh në YouTube dhe rrjetet sociale. SE Dons u themelua nga reperi britanik Don Strapzy. Kamurasi, i njohur me nofkën “Big G”, u kthye në një personazh të njohur në internet falë videove nga dhoma e zhveshjes. Si kapiten, ai është bërë i famshëm për fjalimet e tij të zjarrta, me zë të lartë dhe jashtëzakonisht motivuese para ndeshjeve. Një e kaluar e vështirë
Pas kësaj figure të zhurmshme dhe karizmatike fshihet një fëmijëri aspak e lehtë. Kamurasi humbi nënën e tij kur ishte vetëm 14 vjeç. Pas kësaj, ai u shoqërua me njerëz të gabuar dhe, ende në moshë adoleshente, përfi në burg. Ishte pikërisht në qelinë e burgut, sipas rrëfimeve të tij, kur kuptoi se duhej të ndryshonte jetën dhe të merrte përgjegjësi për të ardhmen e tij. Pas lirimit, iu përkushtua sportit dhe punës me të rinjtë. Madje arriti të bëhej pjesë e Akademisë Nike dhe, gjatë një kampi në Barcelonë, u stërvit e luajti nën drejtimin e Pep Guardiolës. Nga fanella te kurora
Por historia e Kamurasit nuk do të kishte asgjë të zakonshme edhe sikur të kishte përfunduar këtu. Portieri londinez është pasardhës i dinastisë mbretërore Babito në Ugandë. Gjyshi i tij ishte George Rukidi III, ish-mbret i Mbretërisë së Toros, i cili në vitin 1954 priti edhe Mbretëreshën Elizabeth II gjatë vizitës së saj në Ugandë. Pas vdekjes së ish-mbretit të Toros, Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, në shtator 2026, u mblodh Komiteti Mbretëror i Pasardhësit për të përcaktuar sundimtarin e ri. Nga 18 anëtarë të pranishëm, 15 votuan pro Kamurasit. Kështu, portieri 36-vjeçar i një skuadre të ligave të nënta të Anglisë u zgjodh si Omukama, titulli tradicional i mbretit të Toros. Mbreti që nuk donte të largohej nga Londra
Zgjedhja e tij solli menjëherë një dilemë të jashtëzakonshme. Kamurasi jeton në Londër me bashkëshorten e tij angleze, Abby Rook, dhe djalin e tyre. Për këtë arsye, ai fillimisht ka hezituar të largohet nga Anglia dhe të marrë përsipër përgjegjësitë mbretërore në Ugandë. Nëse ai vendos të marrë plotësisht detyrat e tij në pallatin Karuzika, në qytetin Fort Portal, jeta e tij do të ndryshojë rrënjësisht. Djali i tij, ndërkohë, është tashmë pjesë e linjës së drejtpërdrejtë të trashëgimisë së dinastisë Babito dhe, në të ardhmen, mund të jetë ai që do të trashëgojë fronin.
Një mbret 1.98 metra i gjatë
Mbretëria e Toros është një nga monarkitë tradicionale të Ugandës që gëzon status kushtetues dhe ka një rol të rëndësishëm kulturor për popullsinë Batoro. Ndërsa Kamurasi po përballet me vendimin më të madh të jetës së tij, në Angli ai vazhdon të njihet si “Big G”, portieri i gjatë dhe kapiteni energjik i SE Dons. Me shtatlartësinë prej 1.98 metrash, ai është një figurë dominuese në duelet ajrore dhe njihet për komunikimin e fortë me mbrojtjen. Gjithashtu, është i famshëm për aftësinë në pritjen e penalltive, ku shpesh përpiqet të fitojë edhe betejën psikologjike me ekzekutuesin. Nga një qeli burgu në Londër, te portat e futbollit të ligave të ulëta dhe tani drejt fronit në Afrikë, një histori që vështirë të besohet, por që është kthyer në realitet për George Desmond Kamurasin. Top Channel

