Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“News24 është kërcënuar vetëm pse ka transmetuar zërin e protestës”/ Tabaku: 47 gazetarë janë dhunuar, intimiduar dhe kërcënuar!


Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Jorida Tabaku, ka denoncuar dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve gjatë protestave studentore, duke veçuar televizionin News24, i cili, sipas saj, është përballur me sulme vetëm për shkak të pasqyrimit të protestave.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Jorida Tabaku, ka denoncuar dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve gjatë protestave studentore, duke veçuar televizionin News24, i cili, sipas saj, është përballur me sulme vetëm për shkak të pasqyrimit të protestave. Në një intervistë për News24, Tabaku deklaroi se gazetarët dhe operatorët kanë qenë në shënjestër të veprimeve të policisë, ndërsa theksoi se liria e medias dhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar nuk mund të cenohen. “Situata me median është ajo që është. 47 gazetarë janë dhunuar, janë intimiduar, janë kërcënuar gjatë protestës, në 43 raste nga policia. Ju vetë si televizion, vetëm pse keni ushtruar të drejtën e informimit, keni qenë pre e sulmeve”, deklaroi Tabaku. Deputetja demokrate vlerësoi praninë e vazhdueshme të News24 në terren, duke theksuar se televizioni ka transmetuar për orë të tëra zhvillimet nga protestat, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve. “News24 në fakt ka qenë një nga televizionet që ka qenë atje në shesh nonstop, mbi 12 deri në 14 orë në ditë, dhe vetëm pse ka transmetuar zërin e protestës është kërcënuar”, u shpreh Tabaku. Ajo theksoi se mbrojtja e medias dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë dy nga përgjegjësitë kryesore të komisionit që drejton. Për këtë arsye, sipas saj, Kuvendi nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve të regjistruara gjatë dy javëve të fundit.

“Parlamenti nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe ne nuk ekzistojmë në parlament vetëm për të miratuar ligje rutinë”, deklaroi ajo.

Tabaku bëri të ditur se ka vizituar komisariate, ambiente paraburgimi dhe spitale për të verifikuar nga afër respektimin e të drejtave të protestuesve, ndërsa gjetjet për trajtimin e tyre dhe të gazetarëve ua ka përcjellë organizatave ndërkombëtare.

“Kam qenë në të gjitha komisariatet, kam qenë në paraburgim, kam qenë në spital dhe kam vëzhguar vetë, në vetë të parë, të drejtat e njeriut se si janë respektuar. Kam parë minorenë të arrestuar, kam parë dhunën, kam parë tërheqjet zvarrë”, tha deputetja.

Ajo shtoi se ka qenë në komunikim edhe me organizatën Reporterët pa Kufij, e cila ka publikuar një raport për situatën e medias gjatë protestave.

“Kam qenë në kontakt edhe me Reporterët pa Kufij, që nxorën edhe raportin e tyre për situatën e mediave gjatë protestës”, deklaroi Tabaku.

Sipas saj, policia ka detyrimin të garantojë sigurinë e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës dhe jo t’i pengojë apo t’i sulmojë ata.

“Ka disa parime shumë të thjeshta të OKB-së për gazetarin. Për shembull, parimi është që kur një gazetar identifikohet si i tillë, ti ke për detyrë edhe ta mbrosh atë. Ndërkohë që policët e kanë sulmuar”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Tabaku kërkoi që ministri i Brendshëm të paraqitet në komisionin parlamentar për të dhënë shpjegime mbi sjelljen e policisë ndaj protestuesve dhe përfaqësuesve të medias gjatë dy javëve të fundit, duke theksuar se transparenca dhe llogaridhënia janë detyrime të institucioneve shtetërore. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb